Ndërlidhjet

NË TIRANË SË SHPEJTI TESTI I ADN-SË


Alma Çupi, Tiranë

Për herë të parë në Shqipëri do të bëhet testi i ADN-së. Madje është planifikuar që Shqipëria të jetë qendra kryesore për të gjithë rajonin e Ballkanit, për testet e ADN-së. Përfaqësuesit e kompanisë së madhe amerikane Invented Eyes kanë deklaruar se hapja e klinikës në Tiranë do të mundësojë zbardhjen e shumë krimeve, pasi teknologjia është një nga metodat më të fundit që ndihmon kriminalistikën.
Drejtori i institutit në Tiranë që do të bëjë testet e ADN-së Agim Molla, shpjegon se ky institut do të ndihmojë shumë kriminalistikën në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.
"Qytetarët qoftë dhe institucionet zyrtare do të gjejnë një shërbim ekstra, një shkencë të përparuar, një teknollogji moderne në përcaktimin dhe njohjen e ADN-së qoftë në fushën e kriminalistikës. Teste të veçanta që kanë të bëjnë me zbulimin e krimit janë pak më të mëdha, sepse kanë të bëjnë me një element shumë të rëndësishëm".
Në rastin e zbardhjes së një krimi, specialistët shpjegojnë se metoda bën të mundur identifikimin e të gjithë personave, duke u nisur që nga një fije floku ose një njolle gjaku në vendin e krimit, për të gjetur më pas autorin e vërtetë. Deri më tani në Shqipëri, shumë krime kanë mbetur të pazbuluara për shkak të mungesës së mundësisë për të bërë testin e ADN-së, të autorëve të krimit. Një test i tillë në rastin e zbardhjes së krimit nëpërmjet analizës së ADN-së do të kushtojë 700-800 euro.
Presidentja e kompanisë amerikane, me qendër në Huston që do të hapë edhe degën e saj në Shqipëri, Carolin Kaskeyd, shprehet se Shqipëria është zgjedhur pasi kjo metodë në Ballkan ka munguar dhe rastet e krimeve janë rritur më shumë.
"Nëpërmjet provave të ADN-së zbulohet e vërteta nëse një person i akuzuar, është kriminel i vërtetë apo jo. Por gjithashtu ky institut do të ndihmojë shumë edhe në fushën e mjekësisë. Ka ardhur koha që Shqipërisë dhe Ballkanit të mos i mungojë më kjo metodë, që do të ndihmojë shumë kriminalistikën."
Por pashaporta e identitetit biologjik do të shërbejë edhe në rastet e tjera në shëndetësi. Në gjykatën e Tiranës janë shumë raste, ku prindërit nuk janë të sigurtë për atësinë e fëmijës dhe me hapjen e këtij insituti, gjykatat do ta kenë më të lehtë për të vërtetuar atësinë. Kundrejt një çmimi deri në 300 euro, kjo analizë vërteton atësinë e vërtetë të fëmijëve dhe rrjedhimisht u jep udhë proceseve gjyqësore. Kompania amerikane është lider që nga viti 1993 në të gjithë industrinë e ADN-së në botë dhe udhëhiqet nga personalitete të njohura të shkencës gjenetike.


XS
SM
MD
LG