Ndërlidhjet

MOORE:"STANDARDET DHE STATUSI - PARALELISHT DHE JO NDARAS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Havier Solana këtë javë në Prishtinë ka thënë se vrasja e një të riu serb dëshmon se Kosova nuk është shoqëri e shëndoshë dhe se një shoqëri e tillë nuk i takon Evropës. A ka rrezik që Kosova të ekskomunikohet nga Evropa?

PATRICK MOORE
E dimë të gjithë se ajo që i ndodhi këtij adoleshenti ishte tragjedi dhe diçka e pafalshme. Megjithatë duhet të them se kur dëgjova këtë deklaratë nga zoti Solana, nuk mund t'u besoja veshëve. Tingëlloi si një mësues shkolle arrogant që po u fliste kalamajve të vegjël. Por nëse e shihni më me vëmendje këtë deklaratë, kjo në një farë mënyre do të thotë që çdo vend ku vriten 16 vjeçarët, nuk i përket Bashkimit Evropian. E dij që në qytetin (Detroit/SHBA) nga i cili vij, adoleshentët vriten gjithë kohës në lojëra luftash. Mora në telefon një kolegun tim gjerman, një gazetar të njohur dhe e pyeta nëse ka adoleshentë që vriten në Gjermani dhe nëse kjo do të thotë se ata nuk i përkasin Bashkimit Evropian. Dhe ai shpejt gjeti që jo vetëm adoleshentët vriten në Gjermani, Francë, Spanjë e vënde të tjera gjatë gjithë kohës, por disa herë edhe fëmijë 7 vjeç. Sipas kësaj logjike, askush nga këto vende nuk duhet të jetë në Bashkimin Evropian. Besoj se nuk kam qenë i vetmi person që ka menduar kështu, apo që ka patur këtë këndvështrim lidhur me këtë deklaratë. Shpresoj që herën tjetër kur dikush do të dojë t'i mësojë njerëzit në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër ballkanik, do të mendojë dy herë para se të flasë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Kosova po ballafaqohet me krizë të thellë sociale. Papunësia është 60-70%, procesi i privatizimit po ngec, ndërsa investime nga jashtë nuk ka. Zhvillimi ekonomik në periudhën pas qershorit 1999, ka qenë obligim i Bashkimit Evropian. A mund të ecet përpara në planin politik me këtë situatë ekonomike?

PATRICK MOORE
Le të fillojmë së pari me përgjegjësinë e Bashkimit Evropian që e ka patur për 4-5 vjet. Këto janë pak a shumë të njëjtat vende që janë shumë kritike ndaj faktit se Iraku (i Shteteve të Bashkuara) nuk funksionon si Zvicra për më pak se një vit.
Por t'ju kthehemi shifrave të papunësisë 60-70 % në Kosovë.
Disa vjet më parë isha në një konferencë në Maqedoni, në Ohër dhe aty u takova me një zyrtar të Bankës Botërore. Atë ditë kisha parë disa shifra të papunësisë në Republikën Serbe të Bosnjës dhe isha shumë i befasuar sa të larta ishin. Gjithashtu u afroheshin nivelit 50-60 %, sidomos në rradhët e të rinjëve. E pyeta këtë zyrtar të Bankës Botërore se çfarë mendonte për këto shifra.
Ai më shpjegoi se çdo herë që shifrat e papunësisë kalojnë nivelin 30 %, hyjmë në një kategori filozofike, me fjalë të tjera është një katastrofë. Dhe çdo gjë mbi nivelin 30 % më nuk ka rëndësi. Prandaj për këto shifra munde të themi se për Kosovën janë katastrofë. Duhet të shohim kush ka qenë përgjegjës për mbikqyrjen e këtyre çështjeve ekonomike, si privatizimi apo investimet. Ajo çfarë kemi mësuar nga rastet si ai i Bosnjes, është që nevojitet stabilitet politik dhe ligje të qarta, në mënyrë që këto gjëra të arrihen. Kam frikë se në Kosovë nuk do të ketë stabilitet politik dhe ligje të qarta për sa kohë që çështja e statusit mbetet e pazgjidhur. Dhe sërish shohim se, derisa vazhdojnë zvarritjet në zgjidhjen e statusit, problemet që mund të zgjidhen vetëm përmes qartësimit të statusit, shkojnë duke u përkëqesuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, një organizatë joqeveritare në Kosovë këto ditë ka vlerësuar se qytetari i Kosovës aktualisht gjendet ndërmjet pafuqisë dhe paaftësisë së institucioneve vendore dhe gjithëfuqisë dhe inkompetencës së UNMIK-ut.
Kush çfarë përgjegjësie mban në këtë aspekt?

PATRICK MOORE
Kjo është egzaktësisht fraza që përdorët që njerëzit ndodhen në mes të gjithë këtyre gjërave. Dhe kjo është çështja. Të gjithë e dimë se ka disa standarde që duhen plotësuar dhe kjo është absolutisht serioze. Por nëse pritet në pafundësi për një plotësim absolutisht të përsosur të të gjitha standardeve, atëhere do të na duhet të presim përjetë. Dhe këto probleme për të cilat flisni, do të vazhdojnë dhe do të përkeqësohen. Mendoj se ideja e statusit me standardet, e cila u përmend kohët e fundit nga ambasadori i Pakistanit në Kombet e Bashkuara, që asokohe ishte kryesues i Këshillit të Sigurimit, pra kombinimi paralel i të dyja mundësive në vend të njërës para tjetrës, ofron shpresë për të dalë nga kjo rrugë e zezë.

Intervistoi: Melazim KOCI

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG