Ndërlidhjet

INSTITUCIONET VENDORE KËRKOJNË TRANSFORMIMIN E UNMIK-UT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës kërkojnë një rol të ri të Misionit të Kombeve të Bashkuara, respektivisht transformimin e këtij misioni nga roli ekzekutiv e administrues në atë këshilldhënës për institucionet vendore. Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës Mimoza Kusari, thotë se qeveria e Kosovës konsideron se UNMIK-ut i duhet një ristrukturim si dhe ndërrim i rolit që ka, ndërsa nuk e përjashton as mundësinë e evropianizimit të këtij misioni:
“Duhet patur kujdes, sepse ndërrimi i strukturës së UNMIK-ut me një strukturë tjetër, por jo edhe ndërrimi i rolit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, nuk do të sjellë ndryshime. Natyrisht që një qasje e re duhet të ndërlidhet edhe me ndryshimin e rolit të administratës ndërkombëtare, prej atij vendimmarrës në atë këshilldhënës. Është momenti kur transferi i kompetencave duhet të bëhet me një dinamizëm të shpejtuar te institucionet vendore, për t’iu mundësuar atyre funksionimin e plotë si institucione të zgjedhura nga vota e popullit”, tha Kusari.
Ndërkohë, Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, thotë se ky mision i UNMIK-ut si administrues i Kosovës, në këtë fazë është shndërruar dhe si mision konflikti për pushtet me institucionet e vendore, kështu që sipas tij, kjo nuk i shërben as UNMIK-ut, e as as Kombeve të Bashkuara dhe duhet të bëhet ristrukturimi i tij:
“Kërkohet që ky mision të kalojë në këshilldhënës dhe mbikqyrës për çështjet e caktuara, që kanë të bëjnë dhe me të drejtat e minoriteteve dhe vetëm në këtë mënyrë mund të jetë i sukseshëm, njëkohësisht duke ndërtuar atë që është thënë dhe në rezolutën 1244, kapacitetet e plota qeverisëse të institucioneve të Kosovës”, theksoi Tahiri.
Misioni i Kombeve të Bashkuara, pavarësisht rolit që do të ketë në të ardhmen, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut ka buxhetin e caktuar deri në vitin 2006. Sipas Ramush Tahirit, nuk ka kurrëfarë nevojë që ky mision të mbetet edhe pas këtij viti i pranishëm në Kosovë, pasi ky mision, sipas Tahirit qysh tani mundt ë konsiderohet se është përmbushur, meqënëse në Kosovë janë ngritur institucionet funksionale dhe demokratike:
“Konsideroj se deri tani kemi dëshmuar se mund t’i ndërtojmë të gjitha kapacitetet qeverisëse të Kosovës dhe Kosova duhet t’i ketë të gjitha strukturat e veta. Në këtë fazë jemi deklaruar se përveç strukturave mbrojtëse që duhet të mbeten në NATO dhe KFOR, të gjitha strukturat e tjera jemi të aftë t’i përmbushim dhe t’i mbajmë dhe nuk shohim asnjë arsye që UNMIK-u të vazhdojë këtë mandat”, vlerësoi Tahiri.
Në anën tjetër, zëdhënësja Mimoza Kusari, pohon se prania ndërkombëtare i duhet Kosovës edhe pas zgjidhjes së statusit të saj, që sipas Kusarit do të jetë pavarësia e Kosovës nga Unioni Serbi e Mali i Zi. Mirëpo, prania ndërkombëtare thotë ajo, duhet të ketë një rol tjetër duke u dhënë vendorëve përgjegjësi për të qeverisur me Kosovën në kuadër të një misioni të Bashkimit Evropian, duke i pasur parasysh ambicjet e kosovarëve për integrim në BE:
“Me formimin e këtyre institucioneve dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve vetqeverisëse të Kosovës, atëherë mundet që gradualisht pas vitit 2006 të jetë prezente një administratë evropiane, përkatësisht e Bashkimit Evropian, për arsye se edhe vetë synimi i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian”, pohon zëdhënësja Mimoza Kusari.
Përndryshe, në administratën e UNMIK-ut, thuhet se çështja e ristrukturimit, që është ngritur zyrtarisht nga ana e ish-shefit i kësaj administrate Harri Holkerit në Këshillin e Sigurimit, i përket vetë kësaj instance në Nju Jork. Sot në Prishtinë, ka ardhur një ekip ekspertësh të njërit prej kandidatëve kryesorë për shefin e UNMIK-ut, Kai Eide, ndërsa vet Eide pritet që të vijë nesër në Prishtinë, për t’u informuar nga dora e parë me gjendjen në Kosovë. Kai Eide është ambasador i Norvegjisë në NATO. Ai është prezantuar në mediat vendore si kandidat potencial për shef të misionit ndërkombëtar, kurse për institucionet vendore, është e rëndësishme që qoftë Eide apo një kryeadministrator tjetër, një prej prioriteteve kryesore ta kenë ristrukturimin dhe ndërrimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë.



XS
SM
MD
LG