Ndërlidhjet

LAMBSDORF: OKB-JA PËRKRAH PROCESIN E PRIVATIZIMIT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Procesi i privatizimit në Kosovë duhet të vazhdojë me shpalljen e raundit të tretë të ankandeve për privatizim. Ky është qëndrimi i Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar sot shefi i Shtyllës së 4 të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Nikolas Lambsdorf. Ai ditë më parë është kthyer nga Nju Jorku, ku me kërkesën e Departamentit për Operacione Paqësore të KB-së është biseduar për çështjen e privatizimit, e cila me një vendim të zotit Lambsdorf, në tetor të vitit të kaluar ishte bllokuar. Antarët vendorë në Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit, të cilët u njoftuan me qëndrimet e Kombeve të Bashkuara, kërkuan sqarime lidhur me propozimet për ndryshimin e politikave operacionale me të cilat rregullohen procedurat e privatizimit.
“Kemi biseduar për një sërë çështjesh lidhur me AKM-në e jo vetëm për privatizimin. Por sa i përket privatizimit ne ishim të interesuar se çka do t'ju sjellim prap në Prishtinë," tha zoti Lambsdorf duke shtuar se- "Selia e OBK-së në Nju Jork e përkrah proçesin e privatizimit" tha zoti Lambsdorf dhe shtoi:
“Respektivisht ata i mbështesin ndryshimet minimale në politikat operacionale, që janë diskutuar javëve të fundit. Fjala është për tre ndryshime në politikat operacionale," tha zoti Lambsdorf. Ai theksoi se ndryshimi i parë është që AKM-së duhet t’i lejohet që të negociojë me pjesëmarrësit në tender, në mënyrë që të njohë jo vetëm atë që ka dhënë çmimin më të lartë, por edhe pjesëmarrësit e tjerë, në mënyrë që të zgjedhet më i miri. Ndryshimi i dytë, tha zoti Lambsdorf, është që të propozohet oferta në dy faza, me ç’rast do të mund të evitohej marrëveshja në mes konkuruesve, gjë që sipas tij, ka ndodhur në raundet e mëparshme të privatizimit. Ndërkaq, ndryshimi i tretë ka të bëjë me mundësinë e aplikimit të spin-offit special, i cili nënkupton që AKM-së i mundëson negocimin me blerësit eventual.
Ndërkaq, Ali Jakupi, Ministër i Tregëtisë dhe Industrisë si dhe zëvendës kryetar i Bordit të Drejtorëve të AKM-së tha se disa propozime të cilat janë dëgjuar sot gjatë mbledhjes së Bordit të drejtorëve të AKM-së, në këtë mes edhe propozimet e vjetra, duhet të shqyrtohen në detaje, në mënyrë që Bordi të mos aprovojë vendime të ngutshme.
"Ne jemi të gjithë shumë të interesuar, por që natyrisht nuk dëshirojmë që të bëjmë ndonjë hap të papërspektivë e pastaj të na dalin gjërat që këto apo ato nuk i kemi shqyrtuar, dhe të kemi ngecje. Ne dëshirojmë që gjërat t’i pastrojmë. Për këtë arsye, pasnesër, të mërkurën, duke e marrë parasysh rëndësinë e privatizimit, në rend të ditës këtë çështje e ka qeveria. Po ashtu në rend të ditës e ka edhe Parlamenti i Kosovës”. Ai tha se politikat operacionale duhen shqyrtuar me kujdes dhe anëtarët vendorë të Bordit të AKM-së, pas mbledhjes së Qeverisë dhe Parlamentit, do të dalin me qëndrime lidhur me propozimet mbi ndryshimet e politikave operacionale. Zoti Lambsdorf ka insistuar se ndryshimet e propozuara e bëjnë më transparent procesin e privatizmit dhe punën e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit.

XS
SM
MD
LG