Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS E PAKËNAQUR ME PROPOZIMET E AKM-SË PËR ZHBLLOKIMIN E PRIVATIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës i ka shqyrtuar sot raportet e saj me Agjensionin Kosovar të Mirëbesimit, duke shprehur haptas pakënaqësitë e saj me punën e AKM-së, në veçanti me angazhimin për zhbllokimin e privatizimit. Sipas zëdhënëses së kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusarit, qeveria nuk është e kënaqur as me premtimet e fundit për ndryshimin e politikave operacionale, që erdhi si rezultat i vizitës së delegacionit të UNMIK-ut në Nju Jork. Kusari tha, se qeveria në mbledhjen e sotme, ka konstatuar se edhe pas kësaj vizite, asaj nuk i është dorëzuar asnjë vendim me shkrim për masat e reja dhe se kjo është hera e katërt që UNMIK-u kthehet nga Nju Jorku me premtimet për zhbllokimin e privatizimit, pa ndonjë mbulesë konkrete. Për këtë arsye, sipas saj, kabineti i kryeministrit Rexhepi është duke shqyrtuar tejet seriozisht mundësinë e ngrirjes së raporteve me AKM-në, nëse nuk shënohen lëvizje në drejtim të zhbllokimit të privatizimit:
“Ashtu si u prezantuan në mbledhjen e qeverisë, secila nga pikat operacionale e kishte edhe anën e vet, në të cilat ka hapësirë për keqpërdorim apo korrupsion. Sidomos në pikën ku AKM-së i jepen kompetenca të veçanta për negociata me investitorët, atëherë kush është personi përgjegjës nga ana e AKM-së dhe çfarë do të jenë kufizimet e këtij personi për negociata”, shtroi dilemën zëdhënësja e kryeministrit.
Kusari tha po ashtu, se bordi vendor në kuadër të AKM-së, do të takohet në një mbledhje të veçantë, kurse më pas do të mblidhet sërish qeveria kur, sipas saj do të merret vendimi përfundimtar rreth pozicionit që do të marrë qeveria e Kosovës ndaj AKM-së dhe çështjes së privatizimit.
Në anën tjetër zëdhënësi i Shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Chris Lithier, thotë se tre propozimet për ndryshimin e politikave operacionale të bëra së fundit nga Nju Jorku, janë të mjaftueshme dhe garantojnë vazhdimin e privatizimit në Kosovë. Sapo që këto ndryshime të adoptohen, privatizimi mund të vazhdojë menjëherë, thotë Litthiere.
“Kishte një numër të konsiderueshëm të problemeve me privatizimin, dhe se të gjithë ishim të përkushtuar t’i zgjidhim këto probleme, kurse tani me këto tre modifikime, jemi të bindur se mund të vazhdojmë përpara menjeherë”, tha Lithiere, duke shtuar se raundi i tretë i shitjes së ndërmarrjeve do të caktohet shumë shpejt.
Sidoqoftë, përpjekjet për tejkalimin e kundërshtimeve ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve rreth privatizimit do të vazhdojnë gjatë javës. Mirëpo, në rast se këto bisedime përfundojnë pa sukses, atëherë qeveria e Kosovës paralajmëron tërheqjen e vendorëve nga bordi i AKM-së dhe ngrirjen e raporteve me këtë agjension, i cili sipas një rregulloreje të nënshkruar nga ish-shefi i UNMIK-ut Mihael Steiner, është i vetmi organ kompetent për privatizimin e ish-ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG