Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

T'JA LESH JETËN FATIT NË DUAR ËSHTË FATKEQËSI


Bekim Bislimi, Prishtinë

Me gëzimin për përfundimin e luftës në Kosovë, pesë vitet që pasuan pas saj për Raush Ymerin nga Prishtina, i verbër, dhe familjen e tij gjashtë anëtarëshe, sollën dhe zhgënjimin për shkak të moskthimit të tij në vendin e punës ku kishte punuar më parë. Zoti Ymeri thotë se papunësia gjatë këtyre pesë viteve i ka sjellë buzë varfërisë së skajshme, me të cilën ai dhe familja e tij janë duke u përballur çdo ditë.
"Unë nuk kam pritur se do të vimë në këtë situatë. Kam punuar, 27 vjet përvojë pune i kam. Kam punuar në Radio Prishtinë centralist, telefonist. Kur i vunë emrin Radio Kosova jam gëzuar se e ka komponentin e nënshtetësisë, por nuk kam menduar se do t'i lenë gjysmën e punëtorëve e ndër ta dhe mua në rrugë. Tani arsyeja që ata japin është se gjoja nuk mund të punoj në centralet dixhitale, por në fakt unë mundem të punoj dhe me dixhitalen. Më lehtë është me dixhitalen sesa me manuelin".
Ai tha se e familja e tij përpiqet të mbijetojë me 62 euro të cilat i merr si ndihmë sociale, ndërkohë që bashkëshortja e tij, pohon zoti Ymeri, është e detyruar që herë pas here të kërkojë punë në shtëpi private, për t'i pastuar ato për 6-7 euro.
" Thjesht bukë, çaj, ndonjëherë djathë të lirë në Pazar. Tjetër send s'ka. Po qe se nuk i shkollon fëmijët ndoshta do të kishte patur diçka më shumë për ushqim. Por nuk është puna vetëm tek ushqimi. Veshëmbathje nuk kam blerë akoma. Më ndihmojnë komshinjtë çfarë t'u mbetet dhe shokët me tesha, përndryshe nuk ka shanc që të ble diçka."
Zoti Ymeri thotë se shoqëria dhe institucionet kosovare nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për të verbërit, madje as në rastet kur ata janë të aftë të kryejnë punë të ndryshme. Ndërkaq Flutura 14 vjeçe, e bija e zotit Ymeri, thotë se është vështirë të kesh prindërin e verbër dhe njëkohësisht dhe të përballesh me vështirësitë materiale. Skamja, siç thotë ajo, shpesh herë e ka vënë në pozita të pakëndshme.
"Për shembull kur shkojnë shoqet nëpër vende ku dalin shumë shpesh, unë nuk shkoj se duhet të paguaj. Normal që ndihem keq dhe duhet t'ju them që ja kam punë me dajën me babin, për të mos pranuar realitetin që unë për shkak të kushteve nuk po shkoj me to. Në shkollë mirë i kam punët, ama librat një shoqe m'i jep. Nganjëherë duhet edhe t'i blej, por kur nuk mundem atëherë mbetem kështu pa gjë. Vështirë është sepse jam krejtësisht e varur prej mamit, babit."
Flutura thotë se e kupton pozitën me të cilën përballet familja e saj, por kjo nuk ndodh edhe me vëllain e saj të vogël.
"Për shembull vëllai im i vogël 5 vjeç nuk i kupton këto sende hiç dhe lyp prej meje prej babit prej mamit. S'mundemi t'ja plotësojmë dëshirat. Mosha e tij po dalin lypin biçikleta, ky sa herë i sheh shokët e vet kërkon biçikletë, po kërkon të hajë akullore, apo çokollata, sende të vogla. Nuk kupton se mendon akoma se ja bëjmë me qëllim. Por nuk është ashtu, ne as vetes as atij nuk po ja bëjmë".
Kërkesat e fëmijëve thotë zoti Ymeri, janë të njëjta si në gjithë botën.
"Këta nuk duan të kenë veshjen apo veshmbathjen më të mirë, ose së paku nga një simite kur shkojnë në shkollë. Këta në 7 çohen prej gjumit direkte në klasë, pa mëngjes shkojnë, pa mëngjes vijnë. Por në fatkeqësi thonë se ka dhe fat. Nuk më kanë shkaktuar kokëçarje as sa kam pritur, çfarë kanë mundur. Megjithatë këta po shkojnë të uritur. Kërkesat janë më të mëdhaja. Nevojat më të mëdhaja. Diçka duhet të bëhet, por t'ja lemë fatit."
Por t'ja lesh jetën fatit në duar është fatkeqësi, thotë zoti Ymeri, duke shtuar se edhe të verbërve u duhet ofruar rasti që të jetojnë dhe mbajnë familjen me djersën e tyre.

XS
SM
MD
LG