Ndërlidhjet

VDEKSHMËRIA E FOSHNJAVE NË KOSOVË, MË E LARTA NË EVROPË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Edhe pesë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, niveli i vdekshmërisë së foshnjave vazhdon të mbetet më i larti në Evropë. Doktoresha Syheda Hoxha-Latifi, kryeshefe e sallës së lindjes në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Prishtinë, tha se shkalla e vdekshmërisë perinatale në Kosovë është alarmante, në 1000 lindje, 51 foshnje lindin të vdekur ose vdesin në gjashtë ditët e para pas lindjes së tyre.
“Në kliniken tonë është mjaft e lartë kjo vdekshmëri perinatale dhe kap shifren në 51/për mijë. Ndërsa në botë ku ka kulturë të lartë shëndetësore, vdekshmëria përmes lindjes është diku në 5.5/për mijë, që nënkupton në 1000 të porsalindur vdesin vetëm 5.5 ose lindin të vdekur. Ndërsa në klinikën tonë në 1000 fëmijë të lindur vdesin 51, ose lindin të vdekur. Vdekje e frytit në gjashtë ditët e para kap shifrën 51, që është shifër alarmante.”
Pediatri Mujë Shala, numëron shkaqet më të shpeshta që çojnë deri tek vdekshmëria e foshnjeve.
“Në qendrën ku punoj unë, sipas hulumtimeve dhe fakteve qe ne kemi arritur, ka dalë që shkaktarët më të shpeshtë të vdekshmërisë janë: prematuriteti, që do të thotë fëmijet që kanë lindur para kohe, sidomos ata qe kanë lindur para javes së 30 të gjestacionit. Pastaj bien në sy numri më i madh i anomalive kontigjentale apo fëmijët me të meta të mëdha, që janë inkotabile më jetën dhe gjithashtu infeksionet. Infeksionet e shpeshta, të cilat munden më ndodh qoftë nozokomiale apo inthospitalore, qoftë infeksione që ndoshin në shtëpi."
Arben Cami, drejtor i departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, vdekshmërinë e lartë të foshnjave e arsyeton edhe më mungesën e personelit profesional.
“Ne e dimë se Kosova ka numër më të ulët të profesionistëve shëndetësorë, të mjekëve, posaçërisht të profileve të ndryshme, sikurse janë neonatologët. Ne qëndrojmë relativisht mirë, por sigurisht që ka nevojë ende mjaft për gjinekologë, kujdesi pas lindjes, kushtet e përgjithsme në institucionet tona shëndetësore”
Doktor Lulëzim Celaj nga Fondi Ndërkombëtar Emergjent të Kombeve të Bashkuara, UNICEF, thotë se një prej shkaktarëve të tjerë të vdekshmërisë së lartë të foshnjave në Kosovë është pikërisht komunikimi i dobët i pacientëve më personelin mjekësor.
“Ne duhet të lëvizim në dy drejtime në përmirësimin e mëtejshëm në shërbimet shëndetësore, të cilat kanë trend pozitiv dhe në edukimin e masave të gjëra, që brenda kësaj mase të popullatës të krijojmë shprehi të mira të përkujdesjes për vetëveten, për rrethin e ngushtë, por edhe praktika që të kalojë në praktikë. Shembull po marr menjëherë pas luftës në vitin 1999-2000 numri i femrave shtatëzëna që kanë patur numër optimal të vizitave gjatë shtatëzanisë ka qenë vetëm 35 për qind, kjo katër vite më vonë është rritur në 72 për qind.”
Me gjithë këto të dhëna që nga autoritet kompetente quhen alarmante, strukturat qeverisëse akoma nuk kanë hartuar ndonjë strategji për zvoglimin e këtyre të dhënave dhe për të mundësuar një fillim të shëndetshëm të jetës, ashtu si quhet edhe dokumenti i Ministrisë së Shëndetësisë mbi lindjen e foshnjave të shëndetshme.

XS
SM
MD
LG