Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KOMISIONI QË HETON NGJARJET E 11 SHTATORIT, PËRFUNDON SEANCËN DËGJIMORE


Komisioni i pavarur i ngritur nga administrata amerikane, që po heton sulmet e 11 shtatorit ka arritur në përfundimin se reagimi nga ana e aviacionit ushtarak dhe civil me atë rast ka qenë konfuz.
Sipas këtij komisioni mbrojtja ajrore amerikane ka qenë në nivel të ulët dhe nuk ka kuptuar sa, si duhet, se çfarë po ndodhte atë ditë. Kryesisht ky ka qenë rezultat i mungesës së bashkërendimit mes mbrojtjes dhe aviacionit civil.
Për pasojë aeroplanët luftarakë nuk u bënë gati në kohë që të mund të qëllonin të katër aeroplanët e rrëmbyer, tre prej të cilëve qëlluan objektivat e parapara nga terroristët.
Filip Zelikou, një nga punonjësit e administratës amerikane në sektorin ushtarak, i cili ka dëshmuar në seancën e fundit dëgjimore, theksoi se ka pasur mungesë të bashkërendimit të punës edhe brenda vetë ushtrisë, veçanërisht në pyetjen si mund të mbrohemi nga aeroplanët e rrëmbyer. Zelikou theksoi se derisa për pak kohë komandën e morri nënpresidenti Dik Çejni, pasi presidenti Bush për arsye sigurie nuk u kthye menjëherë në Uashington, Çejni urdhëroi që të qëlloheshin të gjithë aeroplanët civilë, të cilët nuk zbatonin urdhërin për t'u ulur. Megjithatë të njëjtat burime thanë se komanda ushtarake për verilindjen e vendit nuk i zbatoi këto urdhëra, pasi nuk e kishte kuptuar sa duhet shkallën e rrezikut.

"Thënë shkurt, derisa udhëheqësit në Uashington besonin se aeroplanët ushtarakë do zbatonin urdhërin për të qëlluar çdo aeroplan të rrëmbyer, pilotët ushtarkë e kishin marrë urdhërin se duhej të identifikonin dhe të ndiqnin aeroplanët e dyshimtë", tha Zelikou.
Edhe Komandanti i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Riçard Mejërs, në dëshminë e tij para komisionit në fjalë, tha se konfuzioni i krijuar atëherë është shkaktuar edhe për faj të politikave dhe jo thjesht si pasojë e mungesës së bashkërendimit. Mejërs theksoi se deri në atë kohë ushtarët amerikanë ishin të përgatitur të mbronin vendin nga sulmet nga jashtë dhe jo nga brenda, derisa në përballjen më këtë kërcënim të ri ata reaguan mirë.
"Politika jonë ushtarake deri në 11 shtator – bazuar në ligj, në politika dhe në përvojë – ishte e përqëndruar në përgjigje të kërcënimeve nga jashtë kufijve. Por pavarësisht kësaj ne zbatuam shumë mirë planin e qeverisë në 11 shtator dhe njerëzit tanë në uniformë dëshmuan profesionalizëm të jashtëzakonshëm, gjykim dhe përshtatshmëri të lartë atë ditë. Unë ndihem krenar për punën e tyre", tha Mejërs.
Por nuk ka ndarë të njëjtin mendim me gjeneralin Mejërs, Xhon Leman, që ka shërbyer për 7 vjet si sekretar për çështjet e mbrojtjes detare në administratën Regan.
Sipas tij, ndryshimet e bëra pas rënies së Bashkimit Sovjetik, që sollën zvogëlimin e mbrojtjes ajrore, kanë ndikuar negativisht në reagimin e mbrojtjes amerikane.
"Gabimet në komandë dhe në kontroll nuk kanë të bëjnë me faktin nëse ishte kërcënim i brendshëm apo i jashtëm," tha Leman. Komisioni për një vit e gjysëm ka hetuar sulmet terroriste të 11 shtatorit, ka marrë në pyetje mbi 1000 dëshmitarë, përfshi presidentin Bush dhe zëvendësin e tij Çejni dhe ka studjuar mbi 2 milionë dokumenta.
Raporti përfundimtar do publikohet muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG