Ndërlidhjet

SCHEFFER: ZGJIDHJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NUK MUND TË SHIHET SI NJË ÇËSHTJE E IZOLUAR


Augustin Palokaj, Bruksel

Në një takim mes Këshillit të NATO-s dhe komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së, që ka patur për qëllim përgatitjet përfundimtare për transferimin e misionit të SFOR-it në Bosnje-Hercegovinë nga NATO-ja në duart e BE-së, është folur edhe për situatën në Kosovë.
Siç është thënë pas këtij takimi nga Havier Solana dhe shefi i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, është shprehur kënaqësi për emërimin e kryeadministratorit të ri të Kosovës. Scheffer i lutur të komentojë qëndrimin e tij të shprehur në mediat gjermane, se duhet më shumë angazhim për të zgjidhur çështjen e Kosovës, ka thënë se Kosova dhe zgjidhja e statusit politik të saj, nuk mund të shikohen si proces i izoluar, por kërkon angazhim të të gjithëve.
Dhuna e marsit si dhe vrasja e para disa kohëve e një të riu serb, tregojnë se sa e brishtë është ende gjendja në Kosovë. Prandaj kërkohet angazhim i madh i të gjithëve dhe një vëmendje më e madhe për Kosovën, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer. Ai po ashtu nënvizoi se në këto rrethana përsëri kërkohet nga kosovarët, si nga serbët ashtu dhe nga shumica shqiptare, që të angazhohen më shumë në zgjidhjet e problemeve. Serbët e Kosovës duhet të kyçen në institucionet kosovare, ndërsa liderët shqiptarë të atjeshëm, duhet të angazhohen më shumë që të kontrollojnë ekstremistët në rradhët e shqiptarëve, ka thënë shefi i NATO-s. Ai premtoi se NATO-ja përmes KFOR-it do të vazhdojë të krijojë dhe të mbajë një ambjent të sigurisë në Kosovë. Por për zgjidhjen e problemit politik kërkohet një angazhim më i gjerë, sesa vetë emri i NATO-s, përfshirë këtu si element të rëndësishëm, siç tha ai, edhe raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndryshe NATO-ja dhe BE-ja konfirmuan sot se deri në fund të këtij viti, misioni i SFOR-it në Bosnje Hercegovinë do të kalojë në duart e Bashkimit Evropian, duke u quajtur EUFOR dhe se vendimi për këtë do të merret javës që vjen në samitin e NATO-s në Stamboll.
Havier Solana, shefi i diplomacisë dhe sigurisë së BE-së, e quajti sot këtë hap si dëshmi të suksesit të punës së përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por edhe lajm të rëndësishëm edhe për vetë popullin e Bosnje-Hercegovinës. Ndërkohë për misionin e NATO-s në Kosovë, nuk është parashkuar asnjë ndryshim.



XS
SM
MD
LG