Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT SHQIPTARË DHE SERBË TË KOSOVËS E VLERËSUAN TË SUKSESSHËM TAKIMIN E SOTËM TË PME-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pjesëmarrësit e takimit joformal të Projektit për Marrëdhënie Etnike me temë "Relaksimi i marrëdhënieve etnike" kanë thënë se është arritur një relaksim i konsiderueshëm i raporteve ndëretnike në kuptim të domosdoshmërisë së arritjes së marrëveshjes së brendshme, që problemet e të gjithëve të zgjidhen në Prishtinë.
Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova tha se pjesëmarrja e të gjithëve në takimin e projektit të Alan Kasoffit në Zyrën Amerikanë është gjest pozitiv i vullnetit të mirë, që dëshmon mundësinë e zgjidhjes së të gjitha problemeve në Kosovë:
"Unë e vlerësoj poztivisht gjestin e përfaqësuesve serbë që kanë pranuar të vijnë sot këtu dhe të bisedojnë për çështjet që ata i shohin të arsyeshme të bisedohen, të shqyrtohen." tha Rugova duke e quajtur këtë, një vullnet të mirë për të bashkëpunuar në mënyrë që serbët e Kosovës ta shohin interesin në institucionet tona.
Ndërkaq, kryeministri Rexhepi, duke premtuar përshpejtim të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara gjatë trazirave të marsit tha:
"Mendoj se kjo na ka munguar në të kaluarën dhe mendoj se duhet të kemi më shpesh një dialog të brendshëm me përfaqësuesit e tyre dhe shumë çështje mund të zgjidhen me këtë formë komunikimi".
Edhe përfaqësuesi i serbëve të Ksoovës, Oliver Ivanoviç tha se kjo mënyrë komunikimi i jep kuptim edhe pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës, ku kanë munguar që nga shkurti i këtij viti:
"Në këtë situatë ne kemi pritur dhe presim që shqiptarët si shumicë të krijojnë kushtet për serbët, në këto institucione që të mund të veprojnë, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi vetëm dekor i këtyre institucioneve," tha Ivanoviq, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se ishte i bindur për rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës:
"Nga takimi rezultoi se shumëçka do të ndryshojë në ditët që vijnë dhe unë jam i bindur se do të ndodhë edhe një pjesëmarrje e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të mund të organizojmë së bashku zgjedhjet që vijnë".
Vetë organizatori Alan Kassof, bisedën e sotme e quajti konstruktive dhe të frytshme:
"Ishte diskutim shumë i hapur, shumë i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv. Tani u mbetet liderëve politikë që t’i kërkojnë mundësitë e tyre."
Ndërsa përfaqësuesi i Solanës në Kosovë, Fernando Gentilini, tha se dialogu ndëretnik është shumë i rëndësishëm nëse duam ta çojmë procesin përpara. Nga ana tjetër mikëpritësja e takimit, shefja e zyrës amerikane, Marcie Ries tha:
"Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun, pasi është edhe pjesë e standardeve dhe mendojmë se ky ishte një shembull i mirë për këtë," tha zonja Ries.
Përveç se është arritur një pajtueshmëri parimore që takimet e tilla duhet të vazhdojnë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se takimi i sotëm nxori vullnetin e të gjithë liderëve politikë për bashkëpunim ndëretnik:
"U konfirmua sot nga të gjithë liderët se janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje të brendshme me serbët e Kosovës, në mënyrë që problemet e të gjithëve të zgjidhen në Prishtinë".
Takimi i sotëm joformal i organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike, që synon të promovojë dialogun ndëretnik në Kosovë, ka pasuar takimin e gati një muaji më parë në Lucern të Zvicrës, ku nuk patën marrë pjesë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.



XS
SM
MD
LG