Ndërlidhjet

B. ZENELI:"UNMIK-u DUHET TË KETË NJË ZËVENDËS SHQIPTAR DHE NJË SERB"


Bernard ZENELI, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë


EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, standardet për Kosovën, është fraza më e përfolur në fjalorin politik të Kosovës. Koha për përmbushjen e tyre po kalon. Deri në ç’masë është realizuar ky proces dhe çfarë mund të pritet në të ardhmen?

BERNARD ZENELI
Unë mendoj se kemi kaluar tashmë nga e folura figurative, në diçka pak më të prekshme. Pra, duket që qoftë UNMIK-u, qoftë organet e qeverisjes së përkohshme e kanë marrë më seriozisht këtë çështje dhe kanë filluar të hartojnë politika që do të çonin drejt përmbushjes së standardeve.
Kjo mund të them se është një gjë e re sa i përket këtij dialogu apo këtij fjalori tashmë të pasuruar të shqipes në Kosovë me fjalën “standarde”.

EVROPA E LIRË
Dhe, si mendoni - a do të mund të arrihet afati i paraparë për përmbushjen e këtyre stanadardeve?

BERNARD ZENELI
Më e rëndësishme se përmbushja e standardit të paraparë është se çfarë do të sjellin të re këto standarde dhe sa do të kuptohen ato qoftë nga shumica, qoftë nga pakica. Në përgjithësi, në pikëpamjen e analistit, unë kam shumë frikë nga vënia e afateve, sepse më përkujton një periudhë të shkuar të një regjimi në të cilin ka kaluar Shqipëria, ku do të gjitha punët bëheshin me afate, por nuk bëhej asgjë dhe, thashë, për të dalë nga ky lloj i të menduarit se ne po ecim me afate ose me fushata, siç është në përgjithësi të menduarit në këtë pjesë të Ballkanit unë do të thosha se është më e rëndësishme të shohim se çfarë po arrihet. Dhe, kur flasim se çka po arrihet, kam përshtypjen se familjarizimi me këto koncepte, sikur po ndryshon pak shtrati në të cilin po bëhen politikat e reja politike në Kosovës.

EVROPA E LIRË
Mendoni për mirë apo për keq?

BERNARD ZENELI
Për mirë.

EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, ndërkohë përfaqësuesit e serbëve të Ksoovës vazhdojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në gru[pet punuese për jetësimin e standardeve, si dhe në punët e institucioneve në përgjithësi. Si do të ndikojë ky qëndrim i tyre në zhvillimet aktuale dhe në të ardhmen?

BERNARD ZENELI
Ky refuzim i minoritetit serb mund të lidhet drejtpërdrejt me faktin që, oferta që i bëhet këtij minoriteti nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë dhe nga institucionet e vetqeverisjes së përkohshme, nuk është e atillë që të arrijë t’i konkurrojë ofertës që u bëhet atyre nga qeveria e Serbisë. Përderi sa ky minoritet të jetë në këtë pozicion të avantazhit të tillë, që të ketë dy oferta dhe të luajë me të dyja, sigurisht se ata nuk do të kenë asnjë arsye që të përfshihen, sepse përfitimet qoftë nga planet që ka qeveria serbe për ta, qoftë nga planet që ka UNMIK-u dhe institucionet e qeverisjes së përkohshme, ata poi marrin. Domethënë, ata nuk kanë ndonjë arsye që të marrin pjesë, pasi si morën pjesë, si nuk morën pjesë, ata përfitimet po i marrin. Dhe, pot ë shikohet në pikëpamjet krejtësisht racionale ne nuk mund t’ konkurrojmë ofertës që po u bëhet atyre nga qeveria serbe.

EVROPA E LIRË
Doni të thoni se qeveria e Kosovës dhe institucionet në përgjithësi duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj minoritetit serb, ndaj qasjes apo grishjes së tyre në institucione?

BERNARD ZENELI
Kam përhstypjen se para se të bëhet kjo, qoftë qeveria, qoftë partitë politike të shumicës duhet të marrin në radhë të parë një lloj mandati nga populli, që e kanë lejen dhe mund të vazhdojnë këtë process që e kanë nisur. Për mua më e rëndësishmja është që paraprakisht të arrihet një lloj bashkëmarrëveshjeje ndër të gjithë popullsisë kosovare përsa u takon këtyre proceseve. Përderi sa kjo lloj bashkëmarrëveshjeje ndërmjet palëve shumicë-pakicë ose e grupeve të ndryshme ndëretnike nuk është arritur dhe përderisa palët në Serbi dhe palët në Kosovë vazhdojnë të abuzojë me këtë grup, me këtë minoritet të vogël, atëherë është shumë e vështirë të flitet për një angazhim të vërtetë të të gjitha palëve-nuk dua ta përjashtoj asnjërën palë.

EVROPA E LIRË
Duke kaluar në një fushë tjetër, zoti Zeneli, ekzistojnë disa sinjale për ristrukturimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Sipas jush, si duhet të duket ky mision i ristrukturuar dhe i riorganizuar?

BERNARD ZENELI
Në mision i ristrukturuar i OKB-së do të kishte kuptim vetëm nëse përveç Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, dy nënkryetarët ose dy zëvendëspërfaqësuesit të ishin njëri nga pala serbe, tjetri nga pala shqiptare. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kot flasim për një ristrukturim të OKB-së.

EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, një vit më parë në Selanik të Greqisë është mbajtur samiti i Bashkimit Evropian, ku është thënë se Ballkani nuk do të lihet jashtë procese të integrimit evropian. Ku gjendet Kosova në këtë proces një vit më pas?

BERNARD ZENELI
Në fakt, unë nuk jam shumë i kyçur në këto zhvillime evropiane, sepse natyra e studimeve të mia, ose thjesht mënyra se si u qasem çështjeve nuk përkon me të. Megjithatë, do të thosha se në një pikëpamje të përgjithshme, edhe pse Kosova mund të jetë diku afër qendrës, së çështjeve kreysore të çështjeve të rëndesës të politikës së jashtme të Evropës, ajo nuk është se është bërë një çështje qendrore e politikës së jashtme të Evropës. Pyetja që duhet të shtrohet më pas është se a duhet të jetë çështje e tillë? Unë do të thosha se nuk ma merr me dnja, pasi për nga vetë rëndësia që ka ky cep i botës për Evropën, nuk duket se luan ndonjë rol shumë të madh, kështu që edhe një lloj anashkalimi i këtyre çështjeve është i kuptueshëm. Ajo që ne nuk e kuptojmë është se nisemi nga fakti se veten, apo Kosovën e vëmë në qendër dhe mendojmë se gjithë bota duhet të ketë të njëjtën qasje. Në qoftë se nuk mund ta arrijmë pozicionin me të cilin bota, përfshirë edhe Evropën i qasen Ksoovës atëherë do ta kemi situatën, që ne e shikojmë në qendër, ndërsa nga të tjerët duket se është në periferi. Megjithatë, edhe pse bëj këtë lloja aluzioni, apo se kam këtë pikëpamje, mendoj se shumëçka që u tha në samitin e Selanikut të vitit të kaluar, ka mbetur në letër dhe unë nuk kam parë ndonjë ndryshim.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG