Ndërlidhjet

LIDERËT SERBË KANË MENDIME TË NDRYSHME PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndajnë mendime të ndryshme lidhur me nismën e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për vendosjen e dialogut ndëretnik, si mënyrë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet shumicës dhe komunitetit serb. Sipas deputetët të koalicionit “Kthimi”, Oliver Ivanoviç, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe se takimi i djeshëm ndërmjet liderëve shqiptarë dhe atyre serb i mbajtur në Zyrën Amerikane dhe i thirrur nga drejtori i Projektit për Marrëdhënie Etnike, Alen Kasof, ishte një dëshmi se problemet mund të fillojnë të zgjidhen përmes bisedimeve:
“Me rëndësi është se kemi dëshmuar se mund të ulemi në të njëjtat lokale dhe mundemi që në mënyrë të arsyeshme të bisedojmë, kurse është normale se në disa pika qenësore nuk pajtohemi, siç është çështja e statusit final, por kjo çështje edhe ashtu nuk do të jetë në rendin e ditës për disa vjet”, tha Ivanoviç. Ai thotë se është me rëndësi që liderët shqiptarë të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ndalimin e dhunës ndaj serbëve.
Në anën tjetër, deputetja Rada Trajkoviç, e njohur si përfaqësuese e një krahu më radikal të politikës së serbëve të Kosovës, thotë se dialogu mund të zhvillohet, por nuk pret ndonjë rezultat konkret:
"Mendoj se ky është një dialog pa marrëveshje, sepse përfaqësuesit serbë edhe po të kishin legjitimitet, nuk mund t’u ofrojnë kurrëfarë garancash liderëve shqiptarë dhe institucioneve të Kosovës, ngase në Kosovë duhet zgjidhur çështja e serbëve dhe çështja e shtetit të Serbisë”, thotë Trajkoviç. Sipas saj, edhe liderët shqiptarë nuk mund t’u ofrojnë në këtë dialog kurrëfarë garancash serbëve, sepse shton ajo, ata nuk janë marrë vesh së pari me Serbinë për shkallën e autonomisë së Kosovës.
Trajkoviç, nuk mbështet as kthimin e serbëve në institucionet vendore, përderisa nuk zgjidhet çështja përfaqësimit të tyre në organet vendore:
“Nëse nuk kemi punë institucionale, nuk do të kemi as sundim të rendit e ligjit, por pjesëmarrja në institucione, përmes së cilave nuk mund të realizosh kurrëfarë të drejtash, është e vështirë”, thotë Trajkoviç. Ajo do t’i parapëlqente ato institucione në të cilat serbët nuk do të ndiheshin si pakicë, por të barabartë me shumicën shqiptare, pavarësisht faktit se shqiptarët përbëjnë më tepër se 90 përqind të popullatës së Kosovës.
Ndërkohë, Oliver Ivanoviç, nuk e përjashton mundësinë e kthimit të serbëve në institucionet vendore:
“Unë jam i vetëdijshëm që gjasat për të arritur diçka kështu jashtë institucioneve, janë shumë më të vogla, por duhet të kërkojmë rastin dhe mundësinë që të kthehemi”, thotë Ivanoviç. Ai megjithatë pohon se kthimi i tyre në institucione varet nga arritja e konsensusit të brendshëm ndërmjet serbëve.
Në anën tjetër, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, i kanë intensifikuar aktivitetet e tyre në terren, kryesisht në vise të banuara me popullatë të përzier, duke kërkuar që serbët të kyçen në jetën institucionale. Nisma për dialog të brendshëm dhe pajtim ndëretnik, është lansuar pas trazirave të marsit, ndërkohë që kësaj nisme i është dhënë mbështetje dhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.



XS
SM
MD
LG