Ndërlidhjet

Y.HYSA: TRE PARTITË KRYESORE NUK KANË OFRUAR ASGJË TË RE PËR VOTUESIN KOSOVAR


Ylber Hysa, Drejtor i KACI-t

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, si një përfaqësues i shoqërisë civile, si e shihni mozaikun aktual politik në Kosovë, disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme?

YLBER HYSA
Mozaiku pak a shumë është i njëjti, nëse nuk do të ketë ndonjë sfidë tjetër në kuptimin e një oferte të re elektorale dhe programore. Pra kryesisht i përqëndruar në tre partitë më të mëdha kosovare dhe falë sistemit elektoral egzistues në Kosovë, në kombinatorikë është dhe partia serbe, e cila falë sistemit të vendeve të rezervuara, mund të zërë një pozicion të rëndësishëm në legjislacionin kosovar, me kushtin që ata do të vendosin të marrin pjesë në këto zgjedhje. Kjo për faktin se egzistojnë që tani prononcime të cilat theksojnë mundësinë që serbët të luajnë një lojë politike me mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Në anën tjetër ky sistem egzistues elektoral, për të cilin shoqëria civile ka patur rezerva të theksuara, favorizon me të madhe partitë të cilat janë të udhëhequra nga liderë dhe të cilat nuk janë të profilizuara dhe as që kanë ndonjë pozicionim të caktuar ideologjik dhe as që kanë ndonjë ofertë elektorale në këtë aspekt. Kjo do të ndikojë, me kushtin pra që nuk do të ketë ndonjë ofertë tjetër, në dalësit në zgjedhje. Ne kemi qenë dëshmitarë që nga zgjedhjet e para, ku dalja ka qenë entuziaste, pra 79.5 %, deri në zgjedhjet e fundit, të bjerë deri në 54 %. Pra nëse nuk ka ndonjë ndryshim, me siguri që numri i atyre që do të dalin në zgjedhje do të mendohet mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flisni për ndryshimet për çfarë mendoni?

YLBER HYSA
Mendoj çfarëdolloj ndryshimi i cili mund ta sfidojë strukturën e tanishme politike, strukturën e tanishme të ofertës, sepse kemi parë që këto tre parti pak a shumë e kanë realizuar veten dhe deri më tani, krahasuar nga tre raunde zgjedhore, por dhe nga fushata e deritanishme, nuk kanë ofruar asgjë të re për qytetarin kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se shoqëria civile ka bërë aq sa duhet për t'u imponuar në vendimmarrjet politike?

YLBER HYSA
Kurrë nuk është mjaft. Megjithatë shoqëria civile në Kosovë, sidomos kohëve të fundit është përpjekur që të luajë një rol të caktuar për të ndikuar vendimmarrjen. Ju thashë edhe në rastin e përpjekjes për ndryshimin e sistemit zgjedhor, jo gjithnjë ajo është dëgjuar, sepse nganjëherë ka patur dhe interesa politikë, të cilat nganjëherë i kanë bashkuar administratën ndërkombëtare dhe partitë egzistuese. Gjithsesi që do të mund të bëhej më shumë, mirëpo fakti që po kalon koha dhe nuk ka ndonjë ofertë të re, kjo vetëm e rrit numrin e atyre që dëshpërohen dhe realisht e rrit rolin e shoqërisë civile.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, në ç'drejtim shoqëria civile është përpjekur për shembull të zbutë tensionet ndëretnike pas trazirave të marsit?

YLBER HYSA
Shoqëria civile ka bërë një përpjekje ad hoc për të ndërtuar një bashkëveprim. Jo vetëm për të dënuar atë që ka ndodhur, por është përpjekur që të ndikojë drejtpërdrejt, qoftë në forma individuale, qoftë në forma të organizuara, edhe tek qytetarët kosovarë, pra ata shqiptarë, për të treguar të gjitha të këqijat që kanë dalë nga 17 marsi. Gjithsesi kjo ka patur të bëjë jo vetëm me humbjen e njerëzve, por edhe me dëmtimin e objekteve me aq rëndësi të kulturës, duke u përpjekur për të treguar që ato janë trashëgimi kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për shoqëri civile, e keni fjalën për shoqërinë civile shqiptare apo etnikisht të përzier?

YLBER HYSA
Në rrjetin tonë të organizatave, e cila shtrihet dhe mbulon tërë Kosovën, ka edhe serbë dhe të tjerë, madje disa nga koordinatorët e subprojekteve tona edhe serbë. Për këtë arsye ne kemi qenë në gjendje që ta mbulojmë tërë Kosovën, kur kemi bërë monitorimin e zgjedhjeve, apo siç po bëjmë tani, monitorimin e të gjitha asambleve në Kosovë. Në këtë aspekt madje kemi patur projekte të tilla që kemi shkuar ta transferojmë njohurinë tonë për monitorimin e zgjedhjeve edhe në vende multietnike si në Preshevë dhe Maqedoni. Madje në Maqedoni me vete kemi patur rrjetin tonë multi etnik, për t'u përpjekur për të bërë të njëjtën gjë në Maqedoni. Herën e fundi kur jemi thirrur që të vëzhgojmë zgjedhjet në Azerbajxhan, me vete kemi patur edhe serbin kosovar, gjë që gjithësesi tregon edhe gadishmërinë e disa pjesëtarëve të komunitetit serb për t'u integruar në përpjekjet e përbashkëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, mendoni se statusi aktual politik i Kosovës ka të bëjë me veprimtarinë dhe efektivitetin e kësaj shoqërie civile?

YLBER HYSA
Ka të bëjë me aktivitetin e të gjithë neve, por jo proporcionalisht rëndësia dhe mundësitë tona janë të njëjta. Ka dallim të madh mes institucioneve kosovare, mes liderëve kosovarë dhe politikanëve në një anë, apo parlamentit dhe njerëzve të vullnetit të mirë të cilët janë në shoqërinë civile. Në fakt shoqëria civile aq më pak mund të luajë rol nëse nuk egziston një sistem i rregulluar, i cili do të ketë dhe garanca ligjore dhe do të sigurojë një bashkëveprim të tillë. Ndaj në këtë aspekt mundësia dhe faji nuk janë të njëjta.

Intervistoi Vullnet Poshka


XS
SM
MD
LG