Ndërlidhjet

BUÇKOVSKI:"PERIUDHË VENDIMTARE PËR REFORMAT"


Vlado Buçkovski, Ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër, Samiti i NATO-s në Stamboll po afrohet. A jeni të sigurt se në dokumentin përfundimtar të këtij tubimi do të ketë nota pozitive për përpjekjet e Maqedonisë që të bëhet anëtare e NATO-s?

VLADO BUÇKOVSKI
Sipas informatava të fundit që posedojmë do të kemi notë pozitive për progresin që Republika e Maqedonisë ka bërë gjatë dy viteve të fundit. Do të ketë riafirmim plotësues të parimit të dyerve të hapura dhe një inkurajim që Maqedonia, bashkë me Kroacinë dhe Shqipërinë, ta përforcojë reformën në shtet, por edhe bashkëpunimin rajonal. Nga ana tjetër është evidente se ky nuk është Samit i zgjerimit. Nëse Samiti i ardhshëm i NATO-s mbahet në vitin 2006, atëhere ai do të jetë samiti, në të cilin do të dërgohen ftesat për zgjerim.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë Samit, dhe në përgjithësi drejt NATO-s, Maqedonia është në shoqëri, apo në pako bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. A vlerësoni se po të ishte Maqedonia vetë në këtë rrugë do të arrinte një progres më të madh, apo ndoshta më të vogël?

VLADO BUÇKOVSKI
Përvoja tregon se gjatë dy raundeve të fundit të zgjerimit të Aliancës kjo u bë në grupe. Duke filluar me Grupin e Vishegradit ku Hungaria, Polonia dhe Çekia u anëtarësuan në NATO dhe duke marrë parasysh zgjerimin e fundit ku 7 anëtarët e Grupit Vilnus arritën statusin e anëtareve të plota të kësaj organizate, është evidente se do të vlerësohen arritjet individuale të të gjithë aspirantëve që janë pjesë e Grupit të Adriatikut. Por, gjithashtu është evidente se së bashku do të hyjmë në zgjerimin e ardhshëm të NATO-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Maqedonisë në këtë samit nuk i jepen sinjale të forta për anëtarësimin e saj të ardhshëm në NATO, a jeni të përgatitur që ta pranoni përgjegjësinë?

VLADO BUÇKOVSKI
Nuk ka ikje nga përgjegjësia. Unë si anëtar i qeverisë mbaj përgjegjësinë për atë që qeveria bën për afrimin drejt NATO-s. Vlerësoj se pas 18 muajve pjesa e qeverisë që ka marrë pjesë në afrimin e Maqedonisë drejt NATO-s, (e kam fjalën për Ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme dhe në një segment edhe në Ministrinë e Financave) kanë bërë një punë të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë mase zbatohet shtimi i numrit të pjesëtarëve të bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë, në strukturat e mbrojtjes?

VLADO BUÇKOVSKI
Definitivisht një nga projektet që është lart në agjendën e reformave në fushën e mbrojtjes është shtimi i përqindjes së pjesëtarëve të bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Rezultatet janë jashtëzakonisht të mira dhe deri në vitin 2007 do të kemi përfshirje të drejtë dhe adekuate në pjesën e ushtarëve profesionalë, në pjesën e personave civile në Armatën e Republikës së Maqedonisë dhe në pjesën e nënoficerëve. Në formë drastike do të përmirësohet përfshirja e drejtë para së gjithash, e bashkësisë shqiptare, pikë së pari në Ministrinë e Mbrojtjes, kurse në disa pjesë të tjera, siç është ajo e nënoficerëve, numri është shtuar edhe mbi 20 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat jane reformat më të rëndësishme që duhet të zbatohen në fushën e mbrojtjes gjatë dy viteve të ardhshme, gjegjësisht, pas përfundimit të Samitit në Stamboll?

VLADO BUÇKOVSKI
Çelësi i suksesit të reformave gjatë dy viteve të ardhshme, deri në çastin kur e presim ftesën për anëtarësim të plotë në NATO do të jetë zbatimi i pasqyrës strategjike të mbrojtjes. Periudha që vijon pas Samitit në Stamboll do të jetë periudha kruciale për reformat e mbrojtjes. Nëse deri me tani fokusi më shumë ishte në atë që ka të bëjë me krijimin e një atmosfere, dhe proceset e para të reformave, tani kur kemi hyrë në zbatimin e kësaj pasqyre strategjike të mbrojtjes, do të shihet edhe kapja e vërtetë e reformave në Armatën e Republikës së Maqedonisë.

Intervistoi Ivan Bllazhevski



XS
SM
MD
LG