Ndërlidhjet

KOALICIONI "KTHIMI" NUK KANDIDON PËR ZGJEDHJE NË AFATIN E CAKTUAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

23 parti politike, 2 koalicione, pesë kandidatë të pavarur dhe tre iniciativa qytetare kanë paraqitur kërkesat e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës që mbahen në tetor të këtij viti, kanë bërë të ditur zyrtarë të OSBE-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Të njëjtët zyrtarë thanë se vetëm një entitet politik serb është kandiduar për këto zgjedhje, por jo edhe koalicioni "Kthimi", apo ndonjë nga partitë përbërëse të tij.
Sidoqoftë, Adnan Merovci, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tha se afati për subjektet politike që të kandidohen për zgjedhje ka përfunduar dje, ndërkohë që janë paraqitur 33 subjekte politike.
"Në mesin e 33 subjekteve politike kemi parti politike, apo subjekte politike të grupeve të ndryshme etnike dhe mund t’ju them se gjithëpërfshirja në procesin e aplikimit për certifikim, mund të konsiderohet si e arritur," tha zoti Adnan Merovci, duke precizuar se kanë konkuruar subjekte shqiptare, serbe, turke, boshnjake, rome dhe gorane. Ndërkohë, nga subjektet serbe ka konkuruar vetëm një parti e Serbisë, por jo edhe koalicioni "Kthimi", pasi përfaqësuesit e këtij koalicioni kanë thënë se ende nuk kanë qëndrim për pjesëmarrjen apo jo në zgjedhjet e Kosovës. Sipas ligjit në fuqi, tha Mervoci, afati ka përfunduar dje:
"Sa i përket koalicionit Kthimi, si emërtim i tillë, deri dje nuk ka aplikuar për certifikim. Sa u përket masave që do të merren, rregulla thotë qartë se subjektet që duan të hyjnë në fletëvotim duhet të aplikojnë dhe të certifikohen. Çdo vendim tjetër, është vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve."
Zëdhënësi i OSBE-së, përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, Sven Lindholm duke shpjeguar mundësitë që edhe subjekte të tjera serbe të marrin pjesë në zgjedhje, tha:
"Shqyrtimi i secilit subjekt politik që konkuron pas kalimit të afatit të rregullt, duhet të bëhet me miratim të veçantë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve," tha Lindholm, për të shpjeguar se vonesa të tilla me rastin e kandidimit për zgjedhje ka pasur edhe më parë:
"Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, kur ndonjë subjekt politik ka synuar të kandidohet pas afatit të përcaktuar, por edhe atëherë kjo është bërë me miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve," tha Lindholm, për të sqaruar se një kompetencë e tillë i është dhënë KQZ-së nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.
Serbët e Kosovës kanë thënë se presin edhe konsultime me Beogradin pas zgjedhjeve presidenciale që mbahen atje të djelën.
Sidoqoftë, brenda 15 ditësh pritet të bëhet certifikimi i subjekteve të kandiduara, edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk është kompletuar dhe vërtetuar. Ndërkohë, subjektet garuese nga 29 qershori deri më 23 korrik janë të obliguara t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për zgjedhje
XS
SM
MD
LG