Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

F. SEJDIU: UNMIKU TË RISTRUKTUROHET, KUVENDI TË NDRYSHOJË KORNIZËN KUSHTETUESE


Fatmir Sejdiu, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, si i shihni gjasat e rikthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, kur tashmë kanë filluar përpjekjet për dialog të brendshëm në Kosovë?

FATMIR SEJDIU
Unë mendoj se ka qenë një thirrje e përhershme e institucioneve të Kosovës dhe e liderëve politikë që serbët të kthehen në institucione dhe ky është dhe varianti më i mirë i angazhimit të përbashkët që pasi të integrohen, të kontribuojnë në proceset e mëtejshme për Kosovën. Mund të jetë që kjo fazë të cilësohet si fazë e përpjekjeve për një dialog të brendshëm, megjithatë deri tani nuk ka ndonjë shenjë pozitive, e cila mund të reflektojë me një veprim konkret. Sido që të jetë, edhe në kuvend, edhe në institucione të tjera, vërehet një mungesë e tillë, e cila në një farë mënyre, në sytë e ndërkombëtarëve paraqet një pengesë, sikurse paraqet pengesë edhe për vetë qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Flitet shumë për ristrukturimin e misionit të Kombeve të Bashkuara këtu. Si duhet të duket ky mision sipas jush?

FATMIR SEJDIU
Mbeten të shihen se cilat do të jenë hapat e parë që do t'i bëjë përfaqësuesi special. Në këtë aspekt mendoj se ndoshta orientimi themelor do të jetë në evitimin e një strukture, që në një formë apo në një formë tjetër, sikur dëshiron t'ja zgjatë mandatin vetes dhe në njëfarë mënyre nuk vihet në operacione ditore, në operacione më këmbëngulëse të themi në realizimin e objektivave themelore. Megjithatë është mision që nuk mund të ketë një infinit të qëndrimit të vet, është një mision që duhet të përfundojë me sukses, dhe mbi këtë bazë, besoj se edhe përfaqësuesi special dhe mekanizmat e tjerë do të kenë parasysh që të ndërtohet një strukturë efektive. Ajo strukturë efektive mendoj se mund të shtrihet edhe nëpër vetë shtyllat egzistuese, në reduktimin apo funksionimin e tyre, por të jetë në shërbim të përfundimit sa më të shpejtë të mandatit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndodhë me ndryshimet në Kornizën Kushtetuese? Do t'i miratoni ato në Kuvend apo do t'i mbetet legjislacionit tjetër?

FATMIR SEJDIU
Unë mendoj se ne kemi për borxh të përfundojmë një punë dhe kemi për borxh që këtë ta përfundojmë në bashkëpunim me misionin ndërkombëtar. Në një farë mënyre, do ta quaja të paarsyeshëm këtë reagim të kësaj faze, kur e njëjta gjë ka mundur të bëhet edhe në fazën e fillimit. Oferta jonë ka qenë që të bashkëpunohet gjatë gjithë procesit. Sido që të jetë ne do të bëjmë përpjekje edhe në fazën tjetër, ditët që vijnë, që të kemi një bashkëpunim korrekt dhe ndoshta do të kemi dhe përgjigjet e ngjashme nga ana tjetër. Sido që të jetë, ka qenë një premtim normal që kjo legjislaturë të përfundojë me miratimin e amendamenteve në Kuvend.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë standardet për Kosovën është fraza më e shpeshtë në fjalorin politik të Kosovës gjithë vitin e fundit. Sa janë përmbushur këto standarde dhe sa është vlerësuar përmbushja eventuale e tyre?

FATMIR SEJDIU
Unë nuk do doja që ta cilësoja këtë si një pjesë të lojës, që ka vazhduar shumë herët në kohën e Shtajnerit. Mendoj se si të tilla, ato ndoshta në mënyrën më të sinqertë janë kuptuar, sado që ka patur edhe vëretje nga ana e institucioneve të Kosovës dhe i gjithë mekanizmi struktural i insticioneve të Kosovës, është në veprim e sipër për zbatimin e atyre që janë pjesë e kompetencave apo përgjegjësive të tyre. Një gjë mund të them, sikurse e dëgjova dhe këto ditë se ka dhe shumë vende, që shumë nga pjesët e standardeve që kërkohen nga kosovarët nuk i kanë të zbatuara brenda vetëvetes. Unë vetëm do të përkujtoja fjalën e ambasadorit Zhorzh Mari Shëny, që ishte një nga misionarët e rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara në Kroaci dikur dhe në Mostar dhe ishte mysafir këto ditë në Prishtinë, që mori shembullin edhe të vetë Francës. Pra një vend me demokraci të shekujve, ta quajmë në Evropën Perëndimore, edhe ka shumë gjëra që në këtë shkallë, apo në këtë nivel mund të jetë në përpjekje vetë për t'i zbatuar, apo për të arritur një nivel më të mirë. Po ashtu një pjesë e asaj që është parashikuar në kuadrin e standardeve mund të themi lirisht se është e realizuar apo e zbatuar në Kosovë dhe është në proces e sipër. Ka diçka që nuk mund të shkojë dhe aq shpejt, posaçërisht pjesë të përgjegjësive ndoshta dhe të kombinuara, por edhe përgjegjësi të drejtpërdrejta të institucioneve ndërkombëtare, sidomos kur është çështja e lëvizjes etj etj. Duke patur parasysh këtu po ashtu një pengesë paralele, që vihet me egizstencën dhe funksionimin ende të institucioneve paralele të instrumentuara nga Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi tek standardet, ato jo vetëm që janë parakusht për statusin, por edhe normë e zhvillimit demokratik, siç e përmendët për Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ku e shihni ju Kosovën një vit pas samitit të Selanikut në planin e integrimit evropian, meqënëse atëhere qe e thënë që Ballkani nuk do të lihet jashtë procesit integrues?

FATMIR SEJDIU
Veprimet që janë bërë, janë në një hap ta quajmë koherent me kohën, krahas vështirësive të tjera, por ajo që është themelore dhe që është orientim themelor në institucionet e Kosovës, integrimi në pjesën evropiane, të integruar deri tani në proceset e mëtejshme, i Kosovës është i domosdoshëm për të mos lenë që Kosova të mbetet një oazë e mbyllur. Krahas Kosovës në këtë proces duhet të integrohen në veprime aktive edhe vendet përreth po ashtu, sepse sigurisht që influencimet janë reciproke dhe ato lenë thjesht pasojat e veta. Në këtë aspekt ndoshta mbetja e formulës që mesi i vitit 2005 do të jetë viti kur do të hyhet edhe në definimin e statusit përfundimtar, do të jetë një objektiv i arritshëm. Në këtë objektiv ne do të shpejtojmë bashkazi për të mos patur ndonjë pengesë paralele që mund të na vihet me këto temat e çuara më herët. Në këtë aspekt mund të themi se njohja e pavarsisë së Kosovës, sikurse është thënë shumë herët, do të shpejtonte rrëmbimshëm të themi shumë procese, për ta nxjerrë Kosovën me një identitet të ri, me një përgjegjësi të re, thjesht edhe si subjekt i njohur ndërkombëtarisht. Këtu do të cilësoja që të na jepet një shanc i drejtpërdrejtë që shqiptarët si shumicë në Kosovë, të marrin përgjegjësinë e ecjes më tej bashkë me minoritetet e tjera dhe trajtimin e tyre, sikurse kemi në kuadër të niveleve të përgjithshme të standardeve evropiane.

Intervistoi Rrahman Paçarizi










XS
SM
MD
LG