Ndërlidhjet

RIDLMAJER:"SERBIA HUMBI KOSOVËN PËR SHKAK TË ZOTËRIUT QË GJENDET NË HAGË..."


Andras RIDLMAJER, ekspert për Ballkanin nga Universiteti i Harvardit



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ridlmajer, në Serbi shumë shpesh shtrohet çështja e fatit të trashëgëmisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Nga ana tjetër në Kosovë disa ekspertë të kësaj sfere pohojnë se disa manastire që serbët i konsiderojnë të vetat janë ngritur në kohën e invadimit serb në Kosovë dhe mbi themelet e kishave të rrënuara katolike. Si i komentoni ju këto pohime?

A. RIDLMAJER
Këtë debat e vështroj si çdo tjetër të ngjashëm që insiston në tezën se kush ka ardhur i pari në një teritor dhe kujt çfarë i takon. Këto janë argumente të rrejshme dhe manipulim me historinë. Kombet në kuptimin modern kanë lindur në shekullin XVIII – të. Njerëzit nuk kanë menduar në këtë formë në kohën e Mesjetës, ndërsa shtetet kanë qenë dinasti. Religjioni nuk ka qenë i lidhur me identitetin kombëtar siç është tash. Ngjashëm është edhe me arkitekturën. Kur kam dëshmuar në Tribunalin e Hagës, Slobodan Millosheviqi ka tentuar të tregoj se kur serbët kanë sulmuar xhamitë në Kosovë ata nuk kanë atakuar kulturën shqiptare, sepse kishim të bënim me arqitekturën turke që ata, siç thoshte ai, kishin harruar ta marrin me vete kur braktisën këtë pjesë të Ballkanit. Por, ky është një nonsens. E gjithë arkitektura e ngritur në Kosovë pavarësisht nga stili dhe forma i përket trashëgëmisë kosovare. Ate e kanë ngritur njerëzit e atjeshëm, shqiptarët, serbët dhe të tjerët....
Sidoçoftë, është nonsens që sot të kërkohen të drejta mbi bazën e pohimeve se diç ju ka takuar para 500 vitesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ridlmajer, megjithate disa qarqe në Serbi shtrojnë pyetjen se çfarë do të bëhet me trashëgëminë serbe nëse Kosova pavarësohet?

A. RIDLMAJER
E vetmja shpresë për të zgjidhur këto probleme është rrespektimi i të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato kulturore dhe fetare. Nëse flasim për fatin e trashëgëmisë kulturore, atëherë duhet të ndajmë çështjen e të drejtave të njeriut dhe pushtetit. Është manipulim të flasësh se kush ka ardhur i pari diku dhe cilat kulte janë më të rëndësishme. Çështje kyqe është se kush e ka pushtetin dhe kontrrollin mbi një teritor.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shinhi ju këto zhvillime në kontekstin e pavarësimit të Kosovës?

A. RIDLMAJER
Nëse Kosova pavarësohet, kjo do të ketë efekt pozitiv te shqiptarët për t'u liruar nga frika se forcat serbe sërish do të këthehen dhe do të marrin kontrrollin. Pra, në këtë aspekt situata do të normalizohej. Por, ekziston një problem shumë i madh – kanë ndodhur shumë gjëra të këqija, ndërsa është bërë pak që kjo të tejkalohet. Po të kishte ekzituar vullnet i mirë ka pasur mundësi që të bisedohej për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Mendoj se kjo mundësi ka ekzistuar deri nga mesi i viteve të 90-ta. Tash jemi në një situatë shumë të vështirë. Nga njëra anë politikanët siç janë Koshtunica dhe Drashkoviq thonë se Kosova kurrë nuk do të pavarësohet, ndërsa nga ana tjetër liderët shqiptarë kërkojnë pavarësinë me urgjencë. Mendoj se asnjëra nga këto endrra nuk është realiste. Njëkohësisht, ballafaqohemi me situatë shumë të vështirë dhe zhagitja e mëtejme ndikon në hezitimin e investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë. Kush do të filloj biznes në teritorin që nuk ka të përcaktuar të ardhmen dhe ku çështjet pronësore nuk janë të zgjidhura?
Sidoçoftë, mendoj se serbët në Kosovë dhe Beogradi zyrtar duhet të kuptojnë se gjasat për ri-integrimin e Kosovës në Serbi, madje dhe nëse para 10 vitesh kanë ekzistuar, i ka humbur zotëriu që tash gjendet në Hagë dhe disa të tjerë që ende gjenden në Serbi, gjithnjë përderisa një qeveri e arsyeshme në Beograd nuk i dërgon në Tribunalin Ndërkombëtar. Pra nuk është realiste të flitet për ri-integrimin e Kosovës në Serbi dhe as për pavarësinë e Kosovës në këtë çast. E vetmja gjë për të cilën tash mund të bisedohet janë çështjet praktike dhe të gjitha ato, pos çështjes së sovranitetit, mund të zgjidhen. Në këtë kontekst mund të zgjidhet edhe çështja e trashëgëmisë kulturore. Kusht për ta jetësuar këtë është që çështja e trashëgëmisë të ndahet nga politika. Nëse vetëm kishat ortodokse do të kenë status të veçant dhe do t'i ruante ushtria, ndërsa njëkohësisht nga bashkësia ndërkombëtare tash pesë vjetë pas luftës nuk arrijnë kurrfarë mjetesh për ri-konstruimin e objekteve fetare të shqiptarëve, që u dëmtuan gjatë luftës, kjo gjithësesi që ngritë tensionet. Në këto rrethana Kisha ortodokse bëhet cak simbolik i sulmeve të shqiptarëve dhe njëkohësisht armë në dorë të propagandës serbe dhe esktremistëve shqiptarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ridlmajer, më heret thatë se nuk është reale që Kosova të ri-integrohet në Serbi dhe as të pavarësohet në këtë çast. Në çfarë konteksti dhe në çfarë rrethanash është e mundur pavarësia sipas jush?

A. RIDLMAJER
Bashkësia ndërkombëtare druan se pavarësia mund të ketë implikime të mëdha për rajonin, sepse pastaj edhe disa të tjerë do të shtronin kërkesa të ngjashme. Nëse Kosova bëhet e pavarur, pse të mos pavarësohet edhe Mali i Zi, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në ndarjen e Bosnjës dhe Maqedonisë. Për shkak të këtyre çëshjteve shumëkush në ministritë e punëve të jashtme bën gjumë të parahatshëm.
Në planin afatgjatë zgjidhja e vetme për shumë nga këto probleme është integrimi në Unionin Evropian. Kur flitet për Unionin Evropian mendohet në standarde të caktuara, në rrespektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e trashëgëmisë kulturore e historike dhe në lirinë e qarkullimit. Nëse keni të drejtë të jetoni dhe punoni kudo çoftë atëherë kufinjët më nuk janë aq të rëndësishëm. Para 500 vitesh në ministritë e punëve të jashtme diskutohej me të madhe se kujt duhet t'i takojë Alzasi – Francës apo Gjermanisë? Atbotë kjo ishte një çështje e komplikuar politike, por tash nuk është.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN

XS
SM
MD
LG