Ndërlidhjet

KAI EIDE TAKOHET ME UDHËHEQËSIT KOSOVARË PËRPARA HARTIMIT TË REKOMANDIMEVE PËR KOFI ANANIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë


Nëse nuk përfillen kërkesat për ndryshimin e rolit të UNMIK-ut dhe plotësimin e kapaciteteve qeveritare, Kosova mund të përfshihet nga trazirat dhe rreziqet serioze, i kanë thënë drejtuesit e institucioneve të Kosovës të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, ambasadorit norvegjez në NATO Kai Eide, i cili as sot nuk ka shpalosur asgjë nga raporti për Kosovën. Kai Eide është ngarkuar nga Kofi Anan që të përgatisë një raport për shkaqet që çuan në trazirat e marsit dhe për mundësinë e ristrukturimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Ai tha se raportin e tij që do të kompletohet së shpejti, megjithatë si i pari do ta shohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan:
"Nëse ka mundësi unë do të prisja deri sa të shkoj në Nju Jork, që t’ia dorëzoj raportin zotit Anan, i cili do të vendosë se çfarë të bëjë me të", tha zoti Eide, duke precizuar se sot dhe nesër do të merrte edhe një herë mendimet dhe qëndrimet e drejtuesve të institucioneve dhe të partive politike të Kosovës, para se t’i jepte raportit dorën e fundit.
Ai në orët e pasditës u takua me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, me kryetarin e Parlamentit Nexhat Daci, si dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi. Drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës thanë se bisedimet ishin të frytshme. Presidenti Rugova pas takimit përsëriti kërkesën e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila sipas tij është e gatshme të marrë mbi vete të gjitha detyrimet ndërkombëtare.
"Jemi të determinuar, pra Kosova si vend i pavarur, për mbrojtjen e minoriteve, për proceset shoqërore dhe për të gjitha detyrimet ndërkombëtare".
Ndërkaq, kryetari i parlamentit Nexhat Daci tha se mysafirit të lartë i ka kërkuar që të ushtrojë ndikimin e tij për nxitur ndryshime në Kosovë, posaçërisht në Misionin e Kombeve të Bashkuara, me që mungesa e ndryshimeve mund të nxisë turbullira politike:
"Nëse nuk ndryshohet diçka, ne po futemi në procese të turbelencave të mëdha të politikës dhe të rreziqeve, prandaj kërkuam përkrahje. Gjithsesi, qeveria duhet të kompletohet me të gjitha ministritë, pos mbrojtjes, ndryshimi komplet i rolit të UNMIK-ut dhe nuk po them asgjë të re, këto kërkesa janë qe një vit", tha Daci, duke tërhequr vërejtjen se përgjegjësitë për rrjedhat në Ksoovë do t’i marrin ata që nuk po i lejojnë këto rrjedha.
Zoti Eide në mbrëmje ka takuar dhe kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ka përsëritur kërkesat e tij:
"Ne bëmë disa sugjerime se çfarë duhet të ndryshohet në strukturën e UNMIK-ut dhe në institucionet e Kosovës se si mund të punohet më mirë", tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit kërkesa kryesore është dhënia e kompetencave dhe roli i UNMIK-ut, duke shpresuar shumë që nga raporti i zotit Eide të dalë një raport i paanshëm.
I dërguari i Sekretarit Anan, Kai Eide nesër paradite pritet të takohet me përfaqësues të koalicionit të serbëve, "Kthimi", me liderë partiakë dhe me ministrin Jakup Krasniqi, me të cilin do të bisedojë për decentralizimin.

XS
SM
MD
LG