Ndërlidhjet

DEPUTETI GJERMAN PROPOZON ZËVENDËSIMIN E UNMIK-ut ME EUMIK-un


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian jo vetëm që duhet të marrë një rol më aktiv në Kosovë, por Kosova duhet të vihet nën protektoratin e BE-së, ka pohuar sot, deputeti gjerman Reinhard Stinner. Ai paraqiti në Prishtinë idenë tashmë të proklamuar të liberalëve gjermanë për zëvendësimin e UNMIK-ut me misionin e BE-së, që do të quhej EUMIK, por i cili do të dallonte shumë nga misioni i tashëm ndërkombëtar. Sipas këtij propozimi, që deputeti Stiener me mbështetjen e fondacionit Fridrih Nauman ua kanë paraqitur dhe liderëve vendorë, thuhet se Kosova do të dorëzonte sovranitetin e vet tek BE-ja, duke pamundësuar kështu kthimin e saj nën sovranitetin e Serbisë apo pavarësimin e saj të menjëhershëm. Misioni i BE-së, sipas këtij propozimi, do të merrte përsipër politikën e jashtme në Kosovë, përderisa mbrojtjen e saj do të vazhdonte ta bënte NATO, përmes KFOR-it:
“Me këtë propozim dua të them se Bashkimi Evropian duhet të jetë më e angazhuar në Kosovë, sepse ky është një problem i Evropës”, tha Stinner.
Propozimin e vet për largimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara nga Kosova, Stinner e ka mbështetur dhe në faktin se UNMIK-u, sipas tij, nuk po tregohet efikas që nga siguria, drejtësia e deri te zhvillimi ekonomik i Kosovës, përderisa vendet si Gjermania e të tjera, po shpenzojnë para në Kosovë dhe nuk e dinë se çka po investohet me këto para, tha ai. Stinner, tha po ashtu, se propozimi i tij, mund të jetë më i pranueshmi, krahasuar me propozimet e shqiptarëve dhe serbëve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës:
“Ata i diskutojnë tre opsione, i pari është kthimi i menjëhershëm Kosovës në Serbi, që mendoj se është i pamundshëm, opsioni i dytë është pavarësimi i shpejtë i Kosovës, që ka përkrahjen e brendshme, por nuk ka mbështetës të shumtë jashtë Kosovës, si dhe opsioni i tretë kantonizimi i Kosovës, që mendoj se do të sillte dezintegrimin e saj”, tha Stinner. Sidoqoftë, ai tha se propozimi i tij është në fazën fillestare dhe ende nuk përmban detaje. Pas Prishtinës, Stinner ka vazhduar me vizitën në Beograd, ndërsa më pas, tha ai, do të mund të flas për zhvillimin e këtij propozimi për fazat tjera.

XS
SM
MD
LG