Ndërlidhjet

STANDARDET JANË BAZË PËR PËRCAKTIMIN E STATUSIT, THONË ZYRTARËT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Përmbushja e standardeve, i mundëson Kosovës të bëhet pjesë e familjes evropiane, kurse mospërmbushja e tyre krijon vetëm kthim prapa dhe frustime. Kështu tha sot Charles Brayshow, ushtrues detyre të shefit të administratës ndërkombëtare, në seminarin Roli i Komunave në Implementimin e Planit të Standardeve për Kosovën:
“Standardet janë bazë për definimin e statusit të Kosovës, por për mes tyre ndërtohet një shoqëri, në të cilën të gjithë kosovaret do të jetojnë në paqe dhe prosperitet,” tha Brajshow.
Dokumeti i Standardeve për Kosovën mbështetur nga të gjitha subjektet politike e institucionale në Kosovë është një udhërrefyes për angazhimet e qeverisë deri në fillimin e procesit për definimin e statusit të Kosovës, tha kryeministri, Bajram Rexhepi:
“Standardet nuk duhet shikuar vetë si një kusht për t’i realizuar disa interesa të komuniteteve etnike dhe politike. Ato duhet t'i shohim para së gjithash si një angazhim për nje shoqëri demokratike e të përparuar, për një shoqëri me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha zoti Rexhepi duke shtuar se në shumë raste komunat janë të pafuqishme dhe jo me kompetenca të mjaftueshme për të zbatuar politiken e standardeve.
“Disa nga çështjet më të ndjeshme, si kthimi i të zhvendosurve, liria e lëvizjes e drejta e pronës e të ngjashme, janë sfidat serioze për institucionet tona në periudhën vijuese. Për arritjen e një klime më të favorshme karshi çështjeve të tilla delikate, angazhimi edhe më i madh i komunave është më se i nevojshëm”.
Jakup Krasniqi, Ministër i Shërbimeve Publike është përqëndruar në disa pengesa, me të cilat përballen institucionet vendore për realizimin e standardeve.
“Vërtet kemi pasur diçka përgjithësisht për realizimin dhe zhvillimin ekonomik, por në këtë plan kemi pasur pengesa dhe vështirësi të mëdha. Ndoshta edhe për faktin se nuk ka egzistuar një bashkëpunim më i drejtpërdrejt dhe i nivelit më të mirë në mes administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore”.
Pikëpamjet e tyre, i kanë prezantuar dhe përfaqësuesit e komunave. Ismet Beqiri kryetar i kuvendit komunal të Prishtinës, tha se realizimi standardeve është një domosdoshmeri politike:
“Unë mund të them se në kuvendin komunal të Prishtinës i kemi sukseset e arritura në realizimin e standardeve, sikurse i kemi edhe pengesat. Kemi një barazi të gjuhës dhe siguri të lëvizjes, pjesëmarrja e punës është 8 për qind të minoriteteve” .
Ndërkohë, Petar Vasiç, kryetar i kuvendit komunal të Artanës, përkatësisht Novoberdes, duke e përkrahur implementimin e standardeve, tha se deri më tash janë vërejtur dhe disa lëshime në procesin e standardeve, të cilat sipas tij ende nuk janë përmirësuar:
“Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë dhe të cilët dëshirojnë të jetojnë në Kosovë, nuk i takon vetëm një bashkësie, por ju përket të gjitha komuniteteve,” tha zoti Vasiç, sipas të cilit pika kryesore për përmbushjen e këtyre standardeve është që të gjithë të tregojnë një vullnet të fuqishëm prej administrës se UNMIK-ut, qeverisë së Kosovës e deri tek qeveritë lokale. Sidoqoftë, pavarësisht rëndësisë që po i kushtohet procesit të implementimit të standardeve, tha kryeministri Rexhepi, disa prej tyre kërkojnë mbështetje më të fuqishme ndërkombëtare dhe financiare, kështu që ai u bëri thirrje të gjithë faktorëve relevantë që ta ndihmojnë Kosovën në përmbushjen e këtij qëllimi.

XS
SM
MD
LG