Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË USHTROJNË PRESION PËR MË TEPËR PËRGJEGJËSI


Robert McMahon, Nju Jork Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për realizimin e më tepër kompetencave lidhur me punët e brendshme po bëhen në kohën kur Kombet e Bashkuara po përpiqen ta ringjallin procesin për implementimin e standardeve në Kosovë. Dje zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i kundërshtoi vendimet e Kuvendit të Kosovës për ndryshime në Kornizën kushtetuese, që përfshinë edhe të drejtën për organizimin e referendumit për pavarësi. Zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit kanë sinjalizuar se ata dëshirojnë të gjejnë mënyra më efektive për transferin e autoritetit nga misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet e Kosovës.

Sfida e fundit e Kuvendit të Kosovës ndaj autoritetetit të Kombeve të Bashkuara po ndodhë në kohën kur ekspertët e OKB-së po synojnë gjetjen e mënyrave të reja për transferin e pushtetit tek institucionet që udhëhiqen nga shumica shqiptare. I dërguari i posaqëm i Kombeve të Bashkuara, diplomati norvegjez, Kai Eide pritet që, në fund të këtij muaji, ti raportoj sekretarit të përgjithshëm Kofi Annan lidhur me misionin e tij në Kosovë. Zoti Eide ishte caktuar për ti hetuar shkaqet e përleshjeve të ashpra etnike në muajin Mars dhe për të rekomanduar mënyrat për përmirësimin e bashkëjetesës ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Rekomandimet e tij mund të çojnë në aksionin e Këshillit të Sigurimit të KB-së që do të ndikonte në kalimin e autoritetet nga administrata e Kombeve të Bashkuara në autoritetet e Kosovës. Por, zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se ata nuk presin ndryshime fundamentale në procesin e reformave, që ftojnë për përmirësime në trajtimin e minoriteteve para diskutimeve për statusin final.

Ushtruesi i detyrës së misionit të Kombeve të Bashkuara, Charles Brayshaw u shpreh se veprimet e djeshme të Kuvendit të Kosovës, dalin jashtë kompetencave të tij. Ai tha se aktet e këtilla marrin "kohë dhe energji" nga implementimi i standardeve, që janë të nevojshme para se të shqyrtohet çështja e statusit final, që parashihet për mesin e vitit 2005. Për tu bërë të plotëfuqishme vendimet e djeshme të Kuvendit të Kosovës duhet të nënshkruhen nga Charles Brayshow.

Villiam Nash, nga Këshilli për marrëdhënie të jashtme, me seli në Nju Jork, ishte administrator rajonal në Kosovë. Ai i tha radios "Evropa e Lirë" se autoritetet shqiptare të Kosovës ende nuk kanë dëshmuar se janë të aftë për qeverisje përkatëse të të gjithë qytetarëve të Kosovës:
- Shqiptarët e Kosovës kanë qenë shumë agresivë, së fundit, në kërkim të asaj që më së miri do të përshkruhej si një agjendë e pavarësisë. Kjo agjendë, megjithëse e kuptueshme, nuk merr në konsiderim dështimin e udhëheqjes së Kosovës për të realizuar sigurinë e nevojshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, e më së shumti për minoritetet.

Ai poashtu fajëson liderët serbë për veprimin e strukturave paralele në Kosovë. Ai thotë se formula e re për zhvillimin e autoritetit në Kosovë do të varet nga paraqitja e liderëve përgjegjës lokalë. Në këtë aspekt ai thotë:
- Ju duhet të kërkoni liderë përgjegjës brenda bashkësisë së Kosovës, si për atë shqiptare ashtu edhe për atë serbe dhe ata do të duhet të fillonin nga pikëvështrimi se çdokush që don të realizoj rol udhëheqës në Kosovë duhet të marrë përgjegjësi për udhëheqje për të gjithë qytetarët, e jo vetëm për grupin etnik me të cilin janë të lidhur individualisht.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vazhdimisht ka ftuar liderët shqiptarë për ti respektuar të drejtat e pakicave. Por, Këshilli i Sigurimit poashtu ka theksuar shkallën e pamjaftueshmërisë në trasnferin e autoritetit. Në një kumtesë në muajin Prill, Këshilli i Sigurimit ka ftuar Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan për të propozuar marrëdhënie të reja institucionale për transferin e autoritetit te organet e përkoshme. Raporti që pritet të publikohet nga diplomati norvegjez, Kai Eide mund të përmbajë propozime të këtilla.

Ambasadori i Rumanisë në Kombet e Bashkuara, Mihnea Motoc aktualisht e kryeson Këshillin e Sigurimit. Ai i tha radios "Evropa e Lirë" se ai e mbështet politikën "standardet para statusit":
- Mendoj se Bashkësia ndërkombëtare ishte shumë e sigurtë në vlefshmërinë e politikës standardet para statusit...në implementimin e standardeve. Kishte indikacione të mjaftueshme, të mira, se gjërat po lëviznin. Pastaj, shkallëzimi i dhunës ishte pothuajse i papritur. Qartazi, ishte një dush i ftohtë.
XS
SM
MD
LG