Ndërlidhjet

UNMIK-u MIRËPRET MINISTRINË PËR KOMUNITETE, SERBËT ENDE TË NDARË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara, është deklaruar sot pasdite lidhur me deklaratën e djeshme të përbashkët ndërmjet liderëve shqiptarë dhe atyre serbë të nënshkruar në zyrën amerikane, duke i mirëpritur aspekte të shumta të saj. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Jeff Bieley, tha se UNMIK-u është i kënaqur me rezultatet pozitive nga takimi në mes të liderëve të Kosoves dhe se deklarata e përbashkët, sipas UNMIK-ut tregon përparimin demokratik në rindërtimin e marredhenieve ndëretnike.
“Lidhur me kërkesën specifike për ministrinë për komunitete, të drejta njerëzore dhe kthimet, ne e mirëpresim iniciativën për përmirësimin e rrethanave për kthimin e banorëve të Kosovës në shtëpitë e tyre”, tha zëdhënësi Bieley, duke mos precizuar definitivisht se do të lejojë apo jo UNMIK-u hapjen e kësaj ministrie.
Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit serb, nuk janë ende të sigurtë nëse deklarata e miratuar dje, është e mjaftueshme që ata të marrin këtë ministri dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, duke nënkuptuar këtu dhe kthimin e tyre në institucionet e Kosovës:
“Nuk ka ndonjë kusht për pjesëmarrjen tonë në institucione apo në zgjedhje, ngase bisedimet ishin të tilla që ne të mos e kushtëzojmë njëri tjetrin”, thotë shefi i grupit parlamentar të “Kthimit”, Dragisha Kërstoviç. Ai megjithatë e sheh formimin e kësaj ministrie si hap përpara, sidomos sa i përket kthimit të personave të zhvendosur, ngase zyra për kthim që aktualisht funksionon në kuadër të UNMIK-ut, sipas tij, nuk ka arritur deri më tani kurrëfarë rezultatesh.
Mirëpo, as përfaqësuesit serbë nuk kanë një konsensus të brendshëm lidhur me deklaratën e djeshme, që disa prej liderëve të tyre e firmosën në emër të komunitetit të tyre. Deputeti i koalicionit “Kthimi”, dhe anëtari i Këshillit Nacional Serb, Rangjel Nojkiç, beson se deklarata e djeshme shkon në dëm të interesave serbe, sepse sipas tij, ajo hap rrugën e bartjes së përgjegjësive të rezervuara te institucionet vendore:
“Shumë lehtë mund të ndodhë që nesër, kur ne të shtrojmë para bashkësisë ndërkombëtare problemin e bartjes së përgjegjësive, ata do të na thonë, zotërinj ju vetë jeni marrë vesh bashkë me shqiptarët që kompetencat të barten”, thotë Nojkiç. Me vetë faktin se kthimi dhe komunitetet janë e drejtë e rezervuar e shefit të UNMIK-ut, ai beson se bartja e kësaj përgjegjësie te qeveria e Kosovës, pavarësisht se kjo çështje do të drejtohej nga serbët, do të jetë rast i mirë për qeverinë që t’i kërkojë dhe përgjegjësitë për fushat e tjera.
Sidoqoftë, edhe në qeverinë e Kosovës tashmë është thënë se kjo ministri, mund të themelohet gjatë mandatit të ardhshëm të saj, duke i themeluar dhe ministritë e tjera të cilat kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi i ka kërkuar prej një kohe të gjatë.


XS
SM
MD
LG