Ndërlidhjet

NATO-ja NUK DO TË LARGOHET NGA KOSOVA


Rrahman Paçarizi, Sllatinë

Situata në Kosovë është përmirësuar dukshëm, pas trazirave të marsit, ndërsa NATO-ja është e gatshme të përballet me çfarëdo situatash dhe nuk do të lejojë përsëritjen e trazirave si ato të marsit, ka thënë sot në aeroportin ushtarak në Sllatinë, kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali gjerman, Harajd Kujat.
Në fund të vizitës dyditëshe në krye të një delegacioni 40 anëtarësh të Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali Kujat tha se e kishte përcjellë situatën në Kosovë, prandaj ishte i bindur se ky vend po zhvillohej:
"Unë kam qenë shtatë herë në Ksoovë dhe ajo që kam parë është se vendi po zhvillohet," tha gjenerali Kujat, për të shtuar se këtij vendi i duhet ndihma e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ka ftuar që të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe serbët që të ndihmojnë për zhvillimin e mëtejshëm.
Sidoqoftë, ai ka lavdëruar punën që kanë bërë trupat paqëruajtëse në Kosovë dhe si shembull për këtë ka përmendur një hulumtim të fundit të opinionit, ku 83 për qind e popullit të Kosovës e mbështet KFOR-in dhe shumica dërrmuese e popullsisë është e kënaqur nga puna e KFOR-it:
"Kjo ndjenjë e besimit, i trimëron ushtarët e NATO-s në Kosovë dhe NATO-ja mund të mburret me suksesin e arritur deri më tani në këtë mision," tha gjenerali Kujat, duke shtuar se Kosova vazhdon të mbetet prioritet i lartë i komitetit ushtarak, si organi më i lartë ushtarak i NATO-s, edhe pse NATO-ja vazhdimisht po zgjeron misionin e saj në gjithë botën.
Megjithatë, tha gjenerali Kujat, vetë populli i Kosovës duhet të kujdeset për këtë vend, pasi, "kur digjni shtëpitë, duhet ta dini se digjni pronat tuaja dhe vendin tuaj. Prandaj, jo vetëm KFOR-i dhe policia, por që të gjithë qytetarët e Kosovës janë përgjegjës për ambjentin e sigurt në Kosovë," tha ai, duke konfirmuar se politika e NATO-s për Kosovën ka mbetur e pandryshuar:
"E di se ka pasur disa spekulime për reduktimin e trupave, por unë mund t’ju them se në një të ardhme të konsiderueshme, nuk e kemi ndërmend të reduktojmë forcat tona këtu," tha gjenerali Kujat.
Ndërkaq, komandanti i forcës paqëruajtëse në Kosovë, gjenerali Holger Kammerhoff tha se synimi i KFOR-it bashkë me UNMIK-un është ndërtimi i Kosovës shumetnike, në të cilën të gjithë do të kenë të drejtat e barabarta. Duke u ndërlidhur me këtë, gjenerali Kujat tha se pas arritjen e këtij qëllimi, Kosova nuk do të mund të jetë pjesë e arkitekturës evropiane.
Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali Kujat, tha se Trupat e Mbrojtjes së Kosovës janë një organizatë për situata emergjente civile dhe ky është pozicioni i qartë i NATO-s për të ardhmen e TMK-së. I pyetur se cila do të jetë forca ushtarake që do ta zëvendësojë NATO-n në Kosovë, kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s tha se aktualisht nuk ka ndonjë synim të NATO-s për t’u larguar nga Kosova, por kur të vijë ajo ditë do të diskutohen mundësitë e ndryshme.





XS
SM
MD
LG