Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BOOT: MIRËPRES GATISHMËRINË E SHEFIT TË RI TË UNMIK-UT PËR RISTRUKTURIMIN E MISIONIT


Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta përkrah Kosovën duke i ofruar asaj ndihmën teknike dhe materiale, ka thënë sot në Prishtinë, ministri i jashtëm i Holandës, njëherit kryesues i radhës së BE-së, Berend Boot. Ai i ka bërë këto komente, pas takimeve me udhëheqësit kosovarë dhe ata të pranisë ndërkombëtare. Boot tha se roli i Bashkimit Evropian në Kosovë ka qenë çdo herë i rëndësishëm, por duke pasur parasysh se BE-ja është donatori kryesor, ky rol sipas tij mund të rritet edhe më tepër. Ai tha se e ka mirëpritur gatishmërinë e shefit të ri të UNMIK-ut, për risktrukturimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe zhvillimin e institucioneve vendore.

“Bashkimi Evropian aktualisht është dhuruesi më i madh në Kosovë, ka investuar mjete dhe ofruar ekspertizë, si dhe Kosova është një prej marrësve kryesor të fondeve të BE-së dhe vendeve anëtare, përfshirë këtu dhe Holandën”, tha Berend Boot. Në këtë aspekt, ai tha se BE-ja po i shikon mundësitë se si mund të gjenden mënyrat për ndihma e BE-së të drejtohet në proceset aktuale të zhvillimit ekonomik.
Pas takimit me kryeministrin Bajram Rexhepin, shefi i diplomacisë holandeze tha se BE-ja dhe vendi i tij i shohin si prioritete në Kosovë, përmbushjen e standardeve procesin e rindërtimit, kthimin e personave të zhvendosur, decentralizimin dhe zhvillimin ekonomik.
Të gjitha këto procese tha ai janë të domosdoshme që Kosova ta ketë rrugën hapur drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se proceset në Kosovë po rikonsolidohen pas trazirave të marsit. Tash në vijim janë zgjedhjet parlamentare, të cilat mund t’i ngadalësojnë disa procese, por ne do të përpiqemi që sidomos procesi i përmbushjes së standardeve të mos ketë ngecje, tha kryeministri Rexhepi, duke shtuar se ai pret që çështja e statusit të Kosovës të hapet gjatë mesit të vitit të ardhshëm:
“Për Unionion Evropian standardet janë prioritet dhe se ne do të bëjmë maksimalisht një përparim të dukshëm dhe me të drejtë presim që në mesin e vitit 2005 të fillojnë diskutimet për definimin e statusit final të Kosovës. Sigurisht që presim me të drejtë dhe kërkuam që Holanda të bëjë një presion pozitiv në Unionin Evropian dhe të angazhohen më tepër në lëminë e ekonomisë, e cila është një barrë njëbrengë, ku nuk jemi shumë optimist për momentin”, theksoi Rexhepi.

Kryeministri i Kosovës tha po ashtu se me diplomatin e lartë evropian kishin biseduar dhe për ristrukturimin e UNMIK-ut, por kjo temë, tha Rexhepi, do të jetë në tavolinën e vlerësimeve pas raportit që pritet t’i dorëzojë zotit Kofi Anan, i dërguari i tij Kai Eide dhe pas ardhjes së zotit Petersen në krye të administratës ndërkombëtare. Ministri i jashtëm holandez, ka biseduar ndaras dhe me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugovën dhe ushtruesin e detyrës së shefit të UNMIK-ut, Çharles Brayshaw.

Zijadin Gashi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG