Ndërlidhjet

SISTEMI I SIGURISË - PËRGJEGJËS PËR DËSHTIMIN NË RASTIN E SULMEVE TË 11 SHTATORIT


Bëhet publik raporti mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit

Strukturat e sigurisë amerikane, përfshi dhe shërbimet e zbulimit, gjatë viteve '90 kanë funksionuar me mendësinë e Luftës së Ftohtë në një kohë kur kërcënimi kryesor për vendin ishte Al Kaeda dhe grupet e ngjashme. Ky është konkluzioni i Komisionit të pavaruar hetimor mbi sulmet e 11 shtatorit, raporti i të cilit sot u bë publik, pas 20 muaj hetimesh. Raporti prej 567 faqesh e cilëson qasjen e CIA-s dhe të FBI-së si të dështuar sa i përket imagjinatës dhe mendësisë. Kritikat vazhdojnë dhe për Kongresin, i cili nuk ka mbikqyrur dhe analizuar si duhet punën e dy agjencive kryesore të zbulimit.
"Ne kemi qenë të papërgatitur dhe nuk e kemi kapur thellësinë e rrezikut, i cili kishte ardhur deri në këtë shkallë në një periudhë relativisht të gjatë kohore. Ashtu sic e japim dhe në raport bëhet fjalë për një dështim të politikës, drejtimit, aftësive dhe mbi të gjitha dështim i imagjinatës për të kuptuar gjendjen", tha Thomas Kean, kreu i komisionit.
Komisioni 10 anëtarësh, i cili përbëhej nga anëtarë të dy partive nuk fajësoi në raportin e vet personalisht as presidentin Clinton dhe as atë Bush. Njëherësh sipas raportit nuk ka pasur lidhje mes Al-Kaidës dhe Irakut, ashtu sic ka thënë presidenti Bush përpara ndërhyrjes ushtarake në Irak. Lidhur me Iranin hartuesit e raportit kanë deklaruar se ka pasur një lloj bashkëpunimi mes terroristëve dhe Iranit, por nuk ka informacione se Irani ishte në dijeni për sulmet, apo i ka ndihmuar ato në ndonjë mënyrë.
Në mesin e rekomandimeve më të rëndësishme të raportit është dhe ajo për krijimin e një qendre gjithëkombëtare të kundër-terrorizmit, që do drejtohej nga një drejtor, prej të cilit do vareshin edhe CIA, dhe FBI-ja.
Kean dhe zëvendësi i tij, Hamilton, i kanë dorëzuar presidentit Bush një kopje të raportit.
"Anëtarët e Komisionit kanë bërë një punë vërtet të mirë duke na sjellë mësimet e dala nga pësimet, dhe nga ato që u bënë gabim para 11 shtatorit. Ata kanë bërë rekomandime të rëndësishme se si duhet ecur përpara. I siguroava ata se aty ku Qeveria duhet të veprojë, do ta bëjë një gjë të tillë", tha presidenti Bush pas marrjes së raportit
Në mesin e dështimeve raporti sjell dhe rastin e Zakaria Musait, që besohet të ketë qenë pjesë aktive e planit për sulme, i cili qe arrestuar një muaj para ngjarjeve tragjike. FBI-ja, sipas raportit, nuk bëri asnjë lidhje mes interesit të tij për të mësuar t'i japë aeroplanëve me kërcënimet e ardhura deri në atë kohë.
"Ajo cfarë mund të themi me siguri është se asnjë nga masat e marra nga Qeveria amerikane para11 shtatorit nuk pengoi apo nuk shtyu në kohë planin e Al Kiadës", tha Kean.
Mos reformimi i sistemit të sigurisë pas Luftës së Ftohtë ishte dështimi kryesor, pasi ai sistem ishte i përgatitur për kërcënime që vinin nga armiku më i madh i asaj kohe, ish-Bashkimi Sovjetik. Ndërkohë Al-Kaeda e themeluar nga Bin Ladeni ishte tjetër strukturë dhe paraqiste një lloj tjetër rreziku.
Pas publikimit të raportit kandidati presidencial demokrat, senatori John Kerry deklaroi:
"Thelbi i problemit është se nuk ka kohë për t'u grindur. Kjo nuk është kohë për politikë. Kur cështja shtrohet për të mbrojtur sigurinë tonë dhe atdheun nuk ka demokratë e republikanë, por vetëm amerikanë dhe Amerikë."

Andrew Tully
XS
SM
MD
LG