Ndërlidhjet

A PO BËJNË PUBLIKE SHBA-TË SHUMË DETAJE RRETH SHËRBIMEVE TË ZBULIMIT?


Kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tom Ridge, gjatë fundjavës bëri publike se është ngritur shkalla e gadishmërisë në Uashington e Nju Jork, pas informacioneve për sulme të mundshme terroriste kundër institucioneve financiare në këto qendra.
"Informacionet e agjencive të zbulimit kanë sjellë të dhëna të detajuara, tepër specifike. Cilësia e këtyre informatave, bazuar në disa burime dhe në vende të ndryshme, haset rrallë. Por ato janë njëherësh alarmuese si për nga sasia ashtu dhe për nga detajet", tha Ridge. Caqet më të mundshme, sipas zyrtarëve amerikanë, janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në Uashington, Bursa amerikane dhe selitë e institucioneve financiare të rëndësishme në Nju Jork.
Mediat amerikane menjëherë kanë shkruar për burimet e mundshme nga kanë ardhur këto informacione, duke spekulluar se kryesisht ato janë zbuluar gjatë dy operacioneve të javëve të fundit në Pakistan. Ndër burimet e mundshme të këtyre informacioneve citohen të jenë dhe takimet ditore mes CIA-s e FBI-së, që kanë mundur të krijojnë një pamje të kërcënimeve aktuale. Deklaratat e zyrtarëve dhe shkrimet e mediave ndoshta ndihmojnë të sigurojnë qytetarët se institucionet po marrin të gjitha masat e mundshme për të parandalur sulmet terroriste, por cfarë ndikimi kanë ato në mbledhjen e informacioneve nga agjencitë e zbulimit?
Kenneth Allard, ish oficer i shërbimeve të zbulimit, thotë se rregulli numër një në spiunazh është të bësh publike sa më pak informacione që të jetë e mundur.
"Informacioni dhe përparësia që të jep informacioni është dicka që mund të shkojë në të kundërt shumë shpejt. Mund të jetë që amerikanët mendojnë se kanë infomacione konkrete të mjaftueshme, që duke i bërë disi publike, përfshi dhe duke thënë dicka për burimin e informacioneve mund të ndikojë në shtyrjen e planeve të terroristëve. Por në fakt ju nuk mund ta dini nëse një plan i tillë funksion apo jo. Përgjigjen nuk mund ta mësosh së paku para gjashtë muajsh", thotë Allard për të shtuar se ndonjëherë publikimi mund të ketë ndikim pozitiv, pikërisht se ndryshon planet e terroristëve.
"Nëse një sulm i paraparë shtyhet, apo krijohet konfuzion në mesin e organizatorëve, cfarë kërkon ribërjen e planit atëherë mund të fitosh në kohë. Gjatë kësaj kohe të fituar mund të realizohet një bashkëpunim me një tjetër burim, mund të arrestosh personat kyc, nëse ke fat, apo një morri ngjarjesh mund të ndodhin. Nga ky këndvështrim nuk është strategji e keqe", sqaron Allard, ish oficer i shërbimeve të zbulimit.
Simon Serfati është një tjetër ekspert në cështjet e sigurisë kombëtare, në një qendër kërkimore në Uashington. Serfati mendon se publikimi i informacioneve të tilla është në interes të administratës.
"Debati rreth ngjarjeve të 11 shtatorit ishte në një shkallë të gjerë rreth idesë se administrata dinte shumë më tepër se cfarë kishte informuar publikun. Përse nuk veproi bazuar në ato që dinte, pyetet shpesh.
Tani duke ndarë informacionet me publikun, qoftë dhe informacione që mund të mos jenë plotësisht të besueshme, politikanët e sotëm kërkojnë të mbrojnë veten. Është një lloj politike sigurie", shpjegon eksperti i cështjeve të sigurisë Serfati. Ai më tej shton se Pakistani, nga ku besohet të vijnë informacionet, është një vend problematik. Presidenti pakistanez Musharaf mund të jetë aleat i Bushit, por rreth tij ka njerëz që me kënaqësi i krijojnë hapësirë Al-Kaidës dhe grupeve të ngjashme, që të hartojnë plane të tilla.


Andrew Tully, Evropa e Lirë
XS
SM
MD
LG