Ndërlidhjet

KS: SERBËT TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJET E TETORIT"


Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të shteteve kryesore të Evropës në Këshillin e Sigurimit kanë kërkuar nga liderët e Serbisë dhe të Malit të Zi që ta tërheqin ftesën për bojkotin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen në Tetor.
Anëtarët e Këshillit u shprehën se pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë më së miri do ta luajnë rolin e tyre në krijimin e qeverisë lokale duke marrë pjesë në zgjedhje.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Stuart Holliday, e bëri një thirrje të drejtëpërdrejtë për liderët në Beograd, që pati jehonë edhe te përfaqësuesit e Francës, të Britanisë, të Gjermanisë dhe të Spanjës.
"Ne presim që kryeministri Koshtunica, presidenti Tadiq dhe qeveria e Serbisë do të dërgojnë sinjal të qartë se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje pa parakushte" – tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Stuart Holliday.
Përfaqësuesi i Unionit Serbi Mali i Zi, Zoran Llonçar, deklaroi në Këshillin e Sigurimit se kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje do të ishin më të mira nëse Kombet e Bashkuara do ta miratonin propozimin e Beogradit që serbëve të Kosovës, në komunat ku ata janë shumicë, t'u jepet e drejta për qeverisje lokale.
Ambasadori britanik, Jones Parry propozimin e Beogradit për vetë-qeverisje e pëshkruajti si "kontribut i dobishëm" për debatin e ardhshëm lidhur me Kosovën.
Por, zoti Parry tha se serbët e Kosovës duhet të mbeten të angazhuar në procesin politik dhe se ftesa aktuale e zotit Koshtunica për bojkotin e zgjedhjeve ishte dëshpëruese.
"Mos-pjesëmarrja vetëm do t'i dëmtojë serbët e Kosovës në kohën kur ne kemi parë progres lidhur me shqetësimet e tyre kryesore. Serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet t'u ribashkohen institucioneve" – tha ambasadori britanik, Jones Parry.
Zoti Parry së bashku me të dërguarin amerikan, Holliday, paralajmëruan përkrahjen e tyre për përshpejtimin e kalimit të përgjegjësive te autoritetet e institucioneve të Kosovës, që udhëhiqen nga shqiptarët, por kërkuan që të vazhdohet të bëhet presion për reformat kryesore.
Zoti Holliday tha se politika "standardet para statusit" që mbështetet nga Këshilli i Sigurimit duhet që liderëve kosovarë t'u japë më tepër përgjegjësi për progresin në Kosovë.
"Prania ndërkombëtare në Kosovë duhet të lëvizë më fuqishëm kah roli monitorues dhe më pak kah roli qeverisës. Ne, kuptohet, nuk do ta përkrahim transferin e plotë të kompetencave të rezervuara, që propozuan institucionet e qeverisjes në Kosovë gjatë muajit të fundit, por Kombet e Bashkuara mëtutje do t'i transferojnë kompetencat plotësuese tek autoritetet lokale ose mëtutje do t'i ndajnë së bashku këto kompetenca me ta" – tha i dërguari amerikan, Stuart Holliday.
Ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Agim Nesho, rekomandoi lëvizjen përpara për diskutimet për statusin final të Kosovës, duke thënë se kjo da ta stabilizojë rajonin.
"Ne mendojmë se kjo gjë do të ishte e dobishme kah stabiliteti, dhe që komuniteti ndërkombëtar, së bashku me diskutimet për standarde do të duhej ta merrte në konsiderim edhe statusin final të Kosovës, duke besuar se implementimi i politikës "standardet me statusin" do të shënonin përparim konkret në procesin politik në Kosovë dhe mëtutje do ta normalizonin situatën në rajon" – tha ambasadori i Shjqipërisë, Agim Nesho.
Por, anëtarët e Këshillit të Sigurimit në përgjithësi mbrojtën përsëri mesazhin e tyre nga muaji maj i këtij viti. Atëherë ata ftuan liderët shqiptarë të Kosovës për të treguar përkushtim të qartë për ndërtimin e demokracisë multi –etnike dhe për mbrojtjen e të drejtatve të minoriteteve, ose, në të kundërtën, diskutimet për statusin nuk do të ishin të mundshme.

Robert McMahon, Kombet e Bashkuara
XS
SM
MD
LG