Ndërlidhjet

MALOKU: KUVENDI I KOSOVËS MERITON NJË NOTË KALUESE NË MANDATIN E KALUAR


Naim Maloku, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, në raportin e tij mbi Kosovën ka shprehur shqetësimet e tij mbi sigurinë, lirinë e lëvizjes dhe çështjet tjera që janë të ndërlidhura kryesisht me komunitetin serb në Kosovë. Si u përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se shqetësimet e shprehura janë qëllimmira për një avancim të këtyre problemeve me të cilat po ballafaqohemi. Problem ka qenë dhe është ende lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në krejt territorin e Kosovës. Ne kemi probleme edhe me lëvizjen e lirë të shqiptarëve në pjesë të ndryshme të Kosovës, ku janë ende nën kontrollin e forcave paralele të sigurisë, edhe në veriun e Kosovës. Ato, është e ditur që, janë forcat paralele të serbëve atje të sigurisë, grupe të ndryshme. Pra, ne jemi edhe vetë të shqetësuar me mungesën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Jemi duke bërë përpjekje maksimale si institucione të Kosovës, në konform të kompetencave që i kemi. Mendoj se me bartjen e kompetencave të sigurisë në institucionet vendore të Kosovës, do të ketë avancime edhe në atë drejtim dhe do të hiqet prej rendit të ditës, nga shqetësimet e mundshme edhe kjo çështje. Mendoj se janë bërë përpjekje dhe me kalimin e kompetencave, do të hiqet kjo çështje nga rendi i ditës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raport është kritikuar Kuvendi i Kosovës për ndryshimet që i ka miratuar në Kornizën Kushtetuese, duke thënë se me një gjë të tillë, ky institucion vazhdon të merret me çështje që nuk janë prioritare. Çfarë mendoni ju?

NAIM MALOKU
Mendoj se ato janë prioritare për Kosovën. Edhe vetë Korniza Kushtetuese nuk ka pasur mandat të përhershëm dhe atëhere kur është nënshkruar Korniza Kushtetuese, edhe pse ka qenë e imponuar, ajo nuk ka qenë me mandat të përhershëm, pra është paraparë edhe ndryshimi i saj dhe Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë hapat legjitim, pra hapat që janë paraparë edhe me këtë Kornizë Kushtetuese, ndryshimi i saj. Ne për t’i avansuar çështjet në Kosovë në të gjitha sferat, por edhe në sferën e sigurisë, në fushën e ekonomisë, në zhvillimin e vetë institucioneve të Kosovës, është dashur praktikisht të ndërmarrim hapa në ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, përndryshe ajo ka filluar të jetë shumë e ngushtë për vetë institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, përfaqësuesit e serbëve vazhdojnë të mos kenë vendim të prerë mbi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të 23 tetorit, në kërkim të një thirrje unanime nga Beogradi zyrtar. Si e shihni ju lidhshmërinë e komunitetit serb në Kosovë me Beogradin, cilat janë ndikimet?

NAIM MALOKU
Inkurajues është qëndrimi i Këshillit të Sigurimit në mbledhjen e fundit, ku ju sugjerohet, ju bëhet thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 tetorit, për faktin se duhet të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës dhe proçeseve në Kosovë. Unë mendoj se definitivisht duhet të marrë fund shantazhimi i Beogradit përmes serbëve të Kosovës, këtu pra, shantazhimi i Kosovës nga ana e Beogradit. Çdo implikim i Beogradit në proçeset në Kosovë, do të jetë me pasoja negative për vetë qytetarët e Kosovës, pra edhe për vetë serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, pas pushimeve vjetore, mandati i përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës skadon në muajin tetor, me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Sa i ka përmbushur detyrimet ky Kuvend përballë elektoratit që e ka përzgjedhur atë, sa në fakt jeni të kënaqur me punën e këtij institucioni deri tani?

NAIM MALOKU
Pavarësisht nga kritikat dhe hapësira që është krijuar për t'u kritikuar parlamenti i Kosovës, mendoj se ky legjislacion, ky mandat, ky Kuvend, në një masë të madhe i ka kryer obligimet e veta të përcaktuara edhe me Kornizën Kushtetuese, në bazë të së cilës edhe ka funksionuar ky Kuvend. Është krijuar një bazë e respektueshme ligjore, është krijuar një përvojë për mandatin e ardhshëm dhe mendoj se, mbi të gjitha, në këto tre vite ka mbizotëruar në Kuvendin e Kosovës një klimë relativisht relaksuese politike, nëse përjashtohet nga kjo fakti se koalicioni “Kthimi” e bojkotoi Kuvendin pa arsye, duke u thirrur fillimisht në muralet. Pastaj u pa se nuk ishte çështja te muralet, por vetë shantazhimi i punës së Kuvendit të Kosovës. Mendoj se Kuvendi i Kosovës e meriton një notë kaluese në mandatin e kaluar.

Intervistoi: Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG