Ndërlidhjet

NË KUVENDIN E MAQEDONISË VAZHDON DEBATI PËR LIGJIN E DECENTRALIZIMIT


Isuf Kadriu, Shkup

Deputetët e Lidhjes Socialdemokrate në vazhdimin e sotëm të seancës parlamentare për paketën ligjore të decentralizimit, kanë akuzuar partitë opozitare se me veprimet e tyre po synojnë destabilizimin e vendit. Ata këto pohime i mbështesin në reagimet e partisë opozitare VMRO-DPMNE ndaj ligjit për organizimin territorial të Maqedonisë, duke mospranuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Shkup dhe propozimet e ofruara për qytetet e Strugës dhe Kërçovës.
" Askush nuk e ka mandatin të përfitojë kapital politik duke frikësuar qytetarët me destabilizim të Maqedonisë", tha koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jani Makraduli, duke ua tërhequr vërejtjen deputetëve opozitarë, se do të jenë përgjegjës në rast të përshkallëzimit të gjendjes së përgjithshme në vend. Deputeti tjetër i Lidhjes Socialdemokrate Boris Kondarko, tha se opozita po luan me ndjenjat e qytetarëve duke ofruar konceptin e patriotizmit të rrejshëm, gjë që sipas tij do të ketë pasoja të paparashikueshme për vendin, pasi me veprime të tilla, Maqedonia vështirë se do të mund të gjejë vendin e saj në familjen evropiane.
"Me këtë koncept ju në fakt nuk dëshironi të jetoni me shqiptarët, të cilët janë realitet në Maqedoni dhe që u takojnë të gjitha të drejtat sikur maqedonasve", tha Kondarko, sipas të cilit projektligjet për decentralizim, i hapin rrugën integrimit të Maqedonisë në strukturat evroatlantike. Por deputetët e opozitës haptazi janë deklaruar kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Shkup.
" Unë jam kundër asaj që Shkupi të jetë dygjuhësor", tha deputeti Sllobodan Danevski, sipas të cilit nuk ka asgjë natyrale në procedurën për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, meqë siç shprehet Danevski, shqiptarët janë pakicë në kryeqytet. Ndërkohë deputeti tjetër i VMRO-së Zharko Karaxhovski, tha se partia shqiptare jo që po bën kantonizimin e Maqedonisë, por dhe më shumë, ndarjen e saj. Ndaj këtyre pohimeve në emër të deputetëve të BDI-së, ka reaguar koordinatori Rafiz Haliti.
" Nuk jemi as për kantonizim as për federalizim. Opsioni jonë është integrimi i shqiptarëve në këtë shtet. Nëse zoti Karaxhovski doni ta federalizoni ju Maqedoninë, doni ta kantonizoni ju Maqedoninë, është mirë që t'i thoni popullatës qartë se ne përfaqësuesit e VMRO-së duam federalizim, por mos i akuzoni për këtë gjë shqiptarët sepse nuk është në rregull."
Debati për paketën ligjore të decentralizimit apo miratimi i këtyre ligjeve të marrëveshjes kornizë, duhet të përfundojë deri më 11 shtator, kur edhe pritet shpallja e zgjedhjeve lokale të caktuara për 21 nëntor.
XS
SM
MD
LG