Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

A. ARIFAJ: MOSPJESËMARRJA E SERBËVE NË ZGJEDHJE UA MOHON ATYRE PËRFAQËSIMIN LEGJITIM NË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Ardian Arifaj, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Arifaj, çështja më aktuale e këtyre ditëve është amullia e krijuar rreth pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet e përgjithshme të 23 tetorit. Cilat mendoni se do të jenë pasojat e mundshme në rast se komuniteti serb vendos që t’i bojkotojë këto zgjedhje?

ARDIAN ARIFAJ
Pasojat do të jenë të shumëfishta dhe do të prekin shtresa dhe segmente të ndryshme të shoqërisë kosovare. Së pari do të prekin vetë serbët e Kosovës, duke ua mohuar atyre mundësinë që të kenë një përfaqësim legjitim, përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike në institucionet qendrore të Kosovës dhe me këtë, kjo e mohon në një farë mënyre edhe pjesëmarrjen në vendimarrje, për vendime më të rëndësishme për vetë Kosovën. Por do ta dëmtojnë edhe vetë legjitimitetin e organeve qendrore të Kosovës, pra do të prekin edhe vetë institucionet qendrore të Kosovës, duke i vënë në pyetje vendimet e dala nga to, për shkak se në to nuk do të marrë pjesë, apo nuk do të marrin pjesë përfaqësuesit e njërit prej komuniteteve kryesore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa vëzhgues thonë se subjektet politike serbe në Kosovë mund edhe të çertifikohen për zgjedhje, por dalja e tyre në votime do të vazhdojë të mbetet e paqartë deri më 23 tetor. Çfarë mendoni ju, a mund të pritet një lëvizje e tillë?

ARDIAN ARIFAJ
Këto luhatje vërehen që tani, në mes të gatishmërisë apo dëshirës më mirë të themi, që të marrin pjesë në zgjedhje, gjë që e pamë në gatishmërinë e së paku 2 subjekteve të reja që të dalin në zgjedhje dhe që të çertifikohen për zgjedhje, por në anën tjetër, është edhe frika, hezitimi që vërtetë të marrin pjesë në këto zgjedhje. Një lëvizje e tillë, një luhatje e tillë shihet sot, por mund të pritet që të vazhdojë deri në ditën kur do të mbahen zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju varësinë politike të udhëheqësve serbë në Kosovë nga autoritetet zyrtare në Beograd? Çfarë mund të bëjnë institucionet vendore në Kosovë për të mundësuar një integrim më të thellë të komunitetit serb në strukturat kosovare?

ARDIAN ARIFAJ
Sigurisht se një pjesë të përgjegjësisë pse serbët e Kosovës shikojnë nga Beogradi e jo nga Prishtina, e mbajnë edhe vetë udhëheqësit kosovarë, të cilët deri tani nuk kanë ditur, nuk kanë ofruar ide, vizion, për atë se ku do ta kenë vendin serbët në këtë Kosovën e re që po ndërtohet. Deri më tani, nuk kanë shprehur, nganjëherë as gatishmërinë që të bisedojnë për gjendjen dhe pozitën e serbëve në këto institucione të reja që po ndërtohen dhe kjo i ka shtyrë serbët e Kosovës që mbështetje, përkrahje për interesat e tyre të kërkojnë në Beograd, si një shtyllë, si një qendër e cila do t’i përkrahë ata dhe do t'u sigurojë atyre mbrojtjen e të drejtave. Institucionet, sigurisht se duhet të tregojnë se janë më të gatshme, jo vetëm të dëgjojnë për shqetësimet dhe brengat, në disa raste, legjitime të komunitetit serb në Kosovë, por edhe të tregojnë gadishmëri që të bëjnë diçka që t’i zgjidhin këto probleme. Nëse shikojmë, për shembull, sferat e shëndetësisë apo edukimit dhe arsimit të qytetarëve, atëhere e shohim se aty ka nevojë që të bëhet ende, që të punohet shumë më shumë që t’ju ofrohen atyre kushte më të mira që të mund t’i realizojnë këto të drejta themelore për edukim apo për shërbim shëndetësor. Deri më sot liderët kosovarë, qofshin ata në nivelin qendror, qofshin ata në nivelet lokale, kanë treguar shumë pak gadishmëri që të bisedojnë për këto çështje e megjithatë, këto janë interesa legjitime të një komuniteti të qytetarëve të Kosovës edhe nuk mund t'u mohohen këto të drejta. Derisa liderët, tani jemi duke folur për shqiptarët si popull shumicë në Kosovë, derisa këta nuk tregojnë gadishmëri që të marrin mbi vete përgjegjësinë edhe për realizimin e këtyre të drejtave për komunitetet e tjera në Kosovë, atëherë këto komunitete shumë pak do t’ju besojnë këtyre institucioneve, shumë pak do t’ju besojnë këtyre liderëve dhe gjithmonë do të kërkojnë mbështetje dhe përkrahje në qendrat e tjera jashtë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, sa mund të ndikojnë të gjitha këto zhvillime në proçesin e përmbushjes së standardeve?

ARDIAN ARIFAJ
Nëse vihet në pyetje apo kontestohet tërë legjitimiteti i institucioneve të dala nga këto zgjedhje, atëhere sigurisht që do të jetë e pamundur që të realizohen standardet për Kosovën, sepse implementues, realizues i këtyre standardeve do të jetë qeveria e dalë nga parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme. Nëse vihen në pyetje vetë zgjedhjet e këtyre liderëve të rinj, parlamentarëve të rinj, nga të cilët pastaj do të zgjidhen edhe organet e tjera ekzekutive, atëhere sigurisht që do të vihet në pikëpyetje tërë procesi i standardeve.

Intervistoi Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG