Ndërlidhjet

ATHINA GATI PËR CEREMONINË HAPËSE TË LOJËRAVE OLIMPIKE


Don Hill

Kur grekët e vjetër kishin organizuar për herë të parë Lojërat Olimpike në vitin 776 para erës së re, ishte vetëm një garë e thjeshtë vrapimi në këtë qytet historik.
Ndërkaq në vitin 1896, në Athinë u mbajtët sërish të parat Lojëra Olimpike moderne.
Lojërat Olimpike pritet të fillojnë me një ceremoni ekstravagante, ku do të marrin pjesë 10 mijë e 500 atletë të rreth 28 disiplinave sportive, ndërkaq që do të ndahen 301 medalje të arta. Drejtuesja e komitetit organizativ të Lojërave Olimpike, Gianna Angelopoulos-Daskalaki thotë se ceremonia e hapjes së lojërave do të mahnitë shikuesit në mbarë botën që do ta përcjellin këtë ngjarje nëpërmjet televizionit, si dhe mijëra të pranishmit në stadiumin antik.
"Ceremonia e hapjes do ta rrëfejë historinë e vjetër të Greqisë, në përvjetorin e këtyre lojërave, nëpërmjet këngëve, valleve dhe befasive të tjera. Thjesht, kjo ceremoni do të kënaqë audiencën në mbarë botën dhe gjithashtu do t'ju befasojë", ka thënë Gianna.
Detajet e ceremonisë ishin planifikuar të jenë sekret, mirëpo gazetarët grekë, shumicën prej tyre i kanë publikuar. Tashmë dihet se ai që do ta mbajë flamurin në paradën tradicionale, do të jetë peshëngritësi Pirros Dhima, fitues i disa medaljeve të arta.
Në përfundim të mbrëmjes do të jetë befasia më e këndshme, që siç thonë organizatorët, kjo ka qenë e vetmja fshehtësi që nuk është publikuar.
Lojërat do të fillojnë ditën e shtunë dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, edhe pse ndeshjet në futboll kanë filluar në fillim të kësaj jave.
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Olimpike pati vendosur në vitin 1997, që Lojërat e rradhës, përkatësisht të këtij viti të mbahen në Athinë.
Lojërat verore "Athina 2004" janë të parat që pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Dhe natyrisht, zyrtarë të këtyre lojërave, nuk e kanë harruar as tragjedinë e vitit 1972 gjatë lojërave Olimpike që mbaheshin në Mynih të Gjermanisë kur 11 izraelitë ishin masakruar nga disa guerilë palestinezë. Këtë vit Lojërat Olimpike, do të kenë sigurinë e një niveli shumë të lartë.
Numri i tyre e tregon të vërtetën. 7 mijë ushtarë, policë dhe zyrtarë të sigurisë do të jenë prezentë. Grekët pastaj, kanë ftuar edhe trupat e NATO-së për ndihmë në çështjen e sigurisë, si dhe mbrojtja ajrore do jetë e nivelit më të lartë.
Mirëpo, edhe vetë shtetet kanë shtuar masat e sigurisë në mbrojtje të atletëve të tyre. Ministrja e Izraelit për Edukim dhe Sport, Limor Livnat thotë me këtë rast.
"Që nga Lojërat Olimpike të vitit 1972 në Mynih të Gjermanisë, ku u masakruan 11 sportistë izraelitë ne kemi masa të shtuara sigurie për sportistët tanë, edhe përkundër asaj që këtë vit, pra për herë të parë pas 11 shtatorit, ka pasur kërcënime për sulme terroriste gjatë këtyre Lojërave Olimpike. Sigurisht që delegacioni izraelit ka bërë gjithshka është e mundur që ata të mos jenë viktima të sulmeve terroriste", ka thënë Livnat.
Tradicionalisht Lojërat Olimpike mundohen që të mbajnë sa më larg frymën politike gjatë lojërave, edhe pse politika tradicionalisht ndërhyn.
Një ekip i Irakut të pas Sadamit do të jetë i pranishëm. Nga atletët amerikanë është kërkuar që sikurse fitorja ashtu edhe humbja të kremtohet në mënyrë modeste. Korea Jugore dhe ajo Veriore do të marshojnë së bashku në ceremoninë e hapjes, sikurse bënë edhe në Sidnej. Ndërkaq, të dyja Koretë janë duke u munduar të negociojnë që të përfaqësojnë Korenë në një ekip gjatë lojërave Olimpike të vitit 2008 që pritet të mbahen në Pekin.
XS
SM
MD
LG