Ndërlidhjet

NËN KRITIKA NË RRITJE OKB-ja STUDION NDRYSHIMIN E POLITIKAVE NË KOSOVË


Robert McMahon - OKB Nju Jork

Kur diplomati danez, Soren Jesen Petersen, do të marrë detyrën e shefit të UNMIK-ut, do të përballet me nevojën për ndryshime radikale që duhet të ndërmarrë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Diplomati danez duhet t'i provojë udhëheqësve vendorë, të cilët janë dyshues ndaj UNMIK-ut se është i aftë ta drejtojë Kosovën, të bëjë ndryshimet e nevojshme, veçanërisht pas dhunës së marsit. Njëherësh ai duhet të ringjallë bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, në një kohë kur serbët e Kosovës kanë deklaruar se nuk do marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit.
Petersen duhet të gjejë dhe rrugën efikase që do sigurojë të drejtat e pakicave në Kosovë. Megjithatë kreu i ri i UNMIK-ut duhet t'i japë përgjigje edhe thirrjeve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe ekspertëve ndërkombëtarë se misioni duhet të zvogëlohet. Vetë Kombet e Bashkuara po shohin mundësinë e kalimit të përgjegjësive tek institucionet vendore.
Një nga kritikët kryesorë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka qenë Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Nikolas Uajt, drejtori për Ballkanin në këtë organizatë, për Evropën e Lirë thotë:
"Infrastruktura, përfshi këtu furnizimin me ujë dhe energji elektrike, është relativisht më e keqe se gjatë sundimit serb në Kosovë. Ka probleme reale në terren, por OKB-ja nuk është dëshmuar si administrator i besueshëm në Kosovë", thotë Uajt.
Dhuna e marsit sipas ekspertit Uajt ka dëshmuar edhe faktin tjetër, se Kombet e Bashkuara kanë dështuar veçanërisht në drejtimin e ekonomisë e sidomos të procesit të privatizimit.
Privatizimi mund të shihet si një nga shkaqet kryesore për shkallën e lartë të papunësisë veçanërisht tek të rinjtë, derisa moskalimi i përgjegjësive tek kosovarët në këtë fushë ka shtuar mosbesimin mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
"Çështja do të ishte ndryshe nëse Kombet e Bashkuara e kishin dëshmuar veten si më kompetente se institucionet vendore. Por në fakt nuk është kështu. Shtylla e katërt e UNMIK-ut, përgjegjëse për ekonominë dallohet për paaftësi dhe korrupsion, që nga krijimi i saj", thotë Uajt nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Edhe eksperti tjetër, Daniel Server, mendon se më shumë përgjegjësi duhet t'i kalojnë shumicës shqiptare në Kosovë.
"Prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë jo vetëm që duhet të jetë më i kufizuar në numër dhe më e aftë, por njëherësh duhet të kalojë gjithë përgjegjësitë e mundshme tek vendorët dhe njëherësh duhet t'i japë fund të ashtëquajturave shqetësime se vendorët do bëjnë gabime. Institucioneve vendore duhet t'u lejohet të bëjnë gabime, pasi kështu mësohet. Ndërkaq megjithë kufizimet shqiptarëve iu duhet dhënë mundësia që të përfshihen dhe në çështjet e sigurisë", thotë Server.
Edhe vendet kyçe në Këshillin e Sigurimit, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbështesin kalimin e përgjegjësive tek vendorët.
Edhe raporti i diplomatit norvegjez Kai Eide shkon në këtë drejtim. Ndërkaq zyrtarët e Kombeve të Bashkuara flasin shumë pak zyrtarisht për këtë raport. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Gajtanas, lidhur me raportin thotë:
"Mendoj se raporti i Eide do të adresojë shqetësimet dhe çështjet e ngritura nga organizatat jo qeveritare dhe palët e tjera të përfshira në Kosovë", tha Gajtanas.
Ndërsa ekperti amerikan Server thotë se një bashkërendim i mirë mes Uashingtonit e Brukselit dhe më shumë vullnet politik nga Prishtina e Beogradi do ndihmojnë në problemet e pakicave dhe të statusit.
"I vetmi problem që pengon diskutimin e statusit përfundimtar është mënyra e trajtimit të serbëve dhe pakicave të tjera. Dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me kthimin e disa qindra njerëzve. Thelbi është ndryshimi i atmosferës në të cilën pakica serbe dhe të tjerët do jetojnë në Kosovë. Nga armiqësore ajo duhet të kthehet së paku në indiferencë, nëse nuk mundemi ta bëjmë miqësore për momentin", thotë Server.
XS
SM
MD
LG