Ndërlidhjet

PRAGË


Diplomati danez Soren Jessen-Petersen do të ketë pesë sfida kryesore me të cilat do të përballet në Kosovë, titullohet teksti i agjencisë Reuters.
E para, Kombet e Bashkuara kanë thënë se do ta rishikojnë statusin e Kosovës në mesin e vitit 2005, për të parë nëse liderët kosovarë kanë bërë progres të mjaftueshëm në standardet demokratike dhe të drejtat e minoriteteve, politikë kjo e njohur si 'standardet para statusit'.
E dyta, siguria për minoritetet dhe kthimi i refugjatëve janë çështje kyçe me të cilat përballet misioni ndërkombëtar kur e trajton çështjen e statusit final. Ndërkaq, me të arritur në Prishtinë, Petersen deklaroi se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet, për të patur stabilitet në rajonin e Ballkanit.
Sfida e tretë për shefin e ri të UNMIK-ut janë zgjedhjet e përgjithshme. Beogradi u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës t'i bojkotojnë zgjedhjet, gjë që do të ishte goditje serioze për përpjekjet e Perëndimit në ndërtimin e demokracisë shumëetnike në Kosovë, ku shqiptarët përbëjnë 90-përqindshin e popullatës dy-milionëshe.
Agjencia Reuters më tej transmeton se Petersen do të duhet t'u përgjigjet kritikëve, të cilët thonë se Kombet e Bashkuara kanë bërë shumë pak për ringjalljen e ekonomisë së rrënuar kosovare, ku sipas Bankës Botërore, Prodhimi Vendor për Banor sillet rreth 790 dollarë në vit.
Kreu i ri i UNMIK-ut gjithashtu do të përballet edhe me presionin e palës shqiptare për bartje më të madhe të pushtetit tek autoritetet vendore, transmeton Reuters.
XS
SM
MD
LG