Ndërlidhjet

84% E BANESAVE TË DËMTUARA NË MARS JANË RINDËRTUAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar sot se të gjitha dëmet e shkaktuara në objektet e banimit gjatë trazirave të marsit, do të sanohen deri në muajin tetor, ashtu siç është parashikuar deri tani. Ndërkohë, po sot është themeluar dhe Komisioni i përzier vendor dhe ndërkombëtar për vlerësimin dhe riparimin e dëmeve në të gjitha objektet fetare. Këtë komision do ta përbëjnë ekspertë nga Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, ekspertë për mbrojtjen e monumenteve nga Serbia, ekspertë nga kishat serbe dhe ekspertë vendorë. Qëllimi i punës së këtij komisioni do të jetë vetëm paraqitja e raportit vlerësues për shkallën e dëmtimeve në 35 kishat e dëmtuara, ndërsa ky komision nuk ka të bëjë me rindërtimin. Aktualisht, për sanimin e dëmeve në objektet fetare, qeveria e Kosovës ka ndarë një fond prej 3.7 milion euro, ndërsa zëvendëskryeadministratori Charles Brayshaw, duke u bazuar në kompetencat e tij, ka ndarë dhe 500 mijë euro të tjera për këtë qëllim. Këto mjete, është vlerësuar se janë të mjaftueshme për fazën e parë të vlerësimeve, por jo edhe për atë të rindërtimit.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës, tashmë ka ndarë dhe rreth 11 milion euro për rindërtimin e objekteve të banimit dhe shkollave të dëmtuara gjatë trazirave. Sipas, Sylë Ukshinit, shef i zyrës për informim të kryeministrit të Kosovës, pjesa më e madhe e këtyre objekteve është rindërtuar, apo është në rindërtim e sipër:
“Përafërsisht 84 përqind të objekteve të banimit janë rindërtuar dhe një pjesë e tyre janë në rindërtim e sipër. Ky proces është paraparë që të përfundoj diku në muajin tetor”, tha Ukshini.
Pas fazës së rindërtimit, qeveria e Kosovës pret që qytetarët e zhvendosur gjatë trazirave të marsit të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Secilës familje që do të kthehet, qeveria u ka premtuar t’u ndajë dhe nga 2 mijë euro për blerjen e inventarit.
Premtimet e qeverisë janë se objektet shkollore do të jenë të gatshme për mësim që nga 1 shtatori, pëderisa ato të banimit nga muaji tetor.

XS
SM
MD
LG