Ndërlidhjet

HOXHAJ: PARTITË POLITIKE NUK KANË PLAN AFATGJATË PËR REALIZIMIN E SHTETIT FUNKSIONAL NË KOSOVË


Enver Hoxhaj, PDK

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, kryeadministratori i ri i Kosovës Soren Jessen Petersen ka premtuar një shpejtim dhe dinamizim të procesit implementues të standardeve. Sa prisni konkretisht që ky proces mund të përshpejtohet dhe në çfarë faze besoni se Kosova do të gjendet në vitin 2005 kur është në pyetje implementimi i standardeve të dhëna?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se qasja e kryeadministratorit të ri duket që është shumë pragmatike dhe duket që do të sjellë një dinamizëm të ri, sidomos me fokusimin e tij në katër prioritete kryesore siç është siguria, dialogu i brendshëm, përshpejtimi i plotësimit të standardeve dhe një lloj funksionalizimi ose strukturimi i administratës së UNMIK-ut. Mirëpo çështja e standardeve është një çështje e cila e ka përcjellë Kosovën me një debat shumë dogmatik. Kështu që unë shpresoj që në fund të fundit në vitin 2005, bashkësia ndërkombëtare do ta çmojë mbi të gjitha përkushtimin që do ta ketë klasa politike në Kosovë për realizimin e standardeve, mirëpo jo ndoshta dhe një përmbushje të saktë dhe precize, meqë ne e dimë se zhvillimet politike nuk mund të vlerësohen në formë statistike nëse diçka është përmbushur apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht çfarë mund të ndryshohet apo cilësohet si prioritet qoftë i UNMIK-ut, qoftë i institucioneve vendore, që të fokusohen gjatë këtyre 7-8 muajve të ardhshëm?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që ndër prioritetet kryesore do duhet të jetë që vërtet debati i transferit të kompetencave në disa fusha, të cilat do duhet të transferohen dhe mos përcillen më me premtime, por duhet të ndodhin. Dhe mirë do ishte të mos ishte një proces, por një akt, i cili ndodh në mënyrë automatike, me qëllim që edhe pak muaj që kanë mbetur, institucionet e Kosovës të fokusohen në këtë fushë. Në të njëjtën kohë të përcillet ndjenja tek qytetarët në Kosovë, se institucionet të cilat do të dalin pas zgjedhjeve të 23 tetorit, do të jenë shumë më kuptimplote, sepse do të kenë kompetenca më të shumta dhe do të ndodhë një lloj shpërndarje të pushtetit nga administrata e UNMIK-ut tek vendorët. Vendorët do të jenë "zot në shtëpinë e tyre", do të jenë ata të cilët do të vendosin për rrjedhën e proceseve politike. Mirëpo gjatë këtyre gjashtë muajve nuk besoj se do të ketë, kur kam parasysh pregatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve, ndonjë fokus kryesor sa i përket politikës së përmbushjes së standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se zgjedhjet e ardhshme të tetorit në Kosovë do të përqëndrojnë forcën e subjekteve politike më tepër në garën zgjedhore dhe eventualisht standardet të mbeten, kushtimisht thënë, pas dore?

ENVER HOXHAJ
Zgjedhjet do të karakterizohen me një luftë më të ashpër politike sesa janë përcjellë në institucionet e Kosovës, pasi institucionet e Kosovës për shkak të një koalicioni të gjerë, nuk mund të thuhet se janë përcjellë me fenomenin e luftës politike. Luftën politike zakonisht e kanë bërë mediat dhe një pjesë të madhe të iniciativave zakonisht e kanë shtyrë mediat tona, por jo partitë politike. Kështu që mendoj se gjatë gjithë kësaj kohe partitë politike do përpiqen ta bindin qytetarin e Kosovës se do të merren me prioritete të caktuara konkrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët koalicionin e gjerë. Aktualisht funksionon një qeveri e tillë. A besoni se subjektet mund të përqafojnë një model të tillë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme?

ENVER HOXHAJ
Kjo do të varet mbi të gjitha nga ajo se çfarë rezultati zgjedhor do të kemi. Mirëpo për të gjitha shoqëritë, të cilat kanë dalë nga një konflikt i thellë siç është shembulli i shoqërisë kosovare, zakonisht në periudhën e ndërtimit të fazës tranzitore demokratike, kërkohet që të aplikohet parimi i koalicioneve të gjëra. Tani për tani është vështirë të parashikohet, mirëpo mendimi im është që mbi të gjitha do duhet të kemi një qeveri, e cila ka një program të mirëfilltë dhe të gjitha ato parti të cilat do të marrin pjesë në formimin e kësaj qeverie të ardhshme, do duhet me të vërtetë ta miratojnë një program të detajuar. Kosova ka nevojë mbi të gjitha të ketë një qeveri me program të mirëfilltë, çka nuk mund të thuhet për institucionet aktuale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Wolfgang Petrich ka lansuar një ide që në Kosovë të mund eventualisht të krijohet një institut, apo një organ i posaçëm në kuadër të UNMIK-ut, i cili do të merrej vetëm me çështjen e statusit të Kosovës, pasi sipas tij standardet para statusit janë një formulë e tejkaluar. Si i shihni ju këto ide të zotit Petrich?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që një ide e tillë është thënë dhe në forma të tjera më herët, sidomos nga organizata joqeveritare, ose institute, ose analistë të pavarur evropianë, amerikanë, ku kërkohet që kryeadministratori i Kosovës të mos ketë një pozitë apo një identitet të dyfishtë, të jetë edhe shef i UNMIK-ut, po të jetë edhe ai që do ta mbartë procesin negociues mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa një institut i tillë do të mund kryesisht ta ndihmonte sa administratën e UNMIK-ut, po aq edhe Kosovën në tërësi sa i përket detajizimit. Kjo për arsye se, të gjitha partitë tona politike mjerisht e kanë përcaktuar prej kohësh që Kosova duhet të jetë shtet dhe shtet funksional, por asnjëra prej tyre nuk tregon se në çfarë forme do duhej të arrihej kjo. Pra me fjalë të tjera nuk egziston një lloj plani afatgjatë se si duhet të arrihet kjo. Kështu që një institut i tillë ndoshta do të mund ta ndihmonte sa Kosovën po aq edhe UNMIK-un dhe ndoshta do të mund t'i sillte të dy faktorët kryesorë politikë në një binar.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG