Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: FORMULA "STANDARDET PARA STATUSIT" NUK ËSHTË REALE


"Kemi pasur thirrje për një zgjerim të UNMIK-ut pas ngjarjeve të marsit, për shtrirjen e disa institucioneve aty, rritjen e stafit etj. Kemi pasur thirrje për një protektorat të Bashkimit Evropian nga liberalët gjermanë. Nuk mendoj që kjo linjë koloniale është diçka e mençur dhe nuk jam plotësish i sigurt se nëse krijimi i një agjencie tjetër do të jetë një zgjidhje e përshtatshme", thotë, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke komentuar idenë e diplomatit austriak Wolgang Petrich, për krijimin e një institucioni të veçantë nga UNMIK-u, që do të merrej me çështjen e statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë u shënua me ardhjen në Prishtinë të shefit të ri të Unmikut. Zoti Jessen-Petersen, me të ardhur në Prishtinë, tha se "nuk do të ketë normalizim në Ballkan, pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës". Disa analistë thonë se kjo është një qasje e re. Sipas jush a është kjo vërtetë një qasje e re?

PATRICK MOORE
Po sigurisht është…së paku nga këndvështrimi i Kombeve të Bashkuara. Javën që kaloi patëm një ide kur lexuam raportin e diplomatit norvegjez Kai Eide që iu paraqit në korrik Kofi Ananit, ku u vërejt nxitja për një qasje të re në çështjen e Kosovës: e kjo është që çështja e statusit duhet zgjidhur sa më parë. Ngjarjet e 17 marsit tregojnë më së miri që ka ardhur koha jo për të thelluar burokracinë ndërkombëtare me një mandat të zgjatur, por për t'u përpjekur për zgjidhjen e çështjes së statusit. Mendoj që është një ndryshim mëse i mirëpritur. Ishte mjaft befasues si ndryshim dhe jam i sigurt që ishte zhgënjim për ata njerëz të cilët shpresuan të siguronin avantazhe politike nga dhuna e marsit, në mënyrë që të kishin një arsyetim për të shtyrë çështjen e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me standardet, zoti Jessen-Petersen tha se "standardet janë rruga për një Kosovë më të mirë". A do të thotë kjo se ai do të vazhdoj me formulën "standardet para statusit" ose ai do ta bëjë këtë në një mënyrë tjetër?

PATRICK MOORE
Kam frikë se këtë pyetje duhet t'ia drejtoni atij, por ajo që duket të jetë e qartë është që zoti Petersen do të ecë me disa prioritete mes standardeve dhe nuk do të presë që gjithçka të kryhet me sukses përnjëherësh. Në përgjigje të pyetjes suaj kam përshtypjen se ajo që ndoshta do të bëjë ai është zgjidhja e disa çështjeve mjaft shpejt dhe pastaj do të implementonte sugjerimin e ambasadorit pakistanez në Kombet e Bashkuara për standardet me statusin. Gjëja më e rëndësishme për të interesuarit, që kanë kërkuar zgjidhje të çështjes së statusit që nga viti 1999, është që tani duket se po lëvizet, që ka një ndjenjë urgjence dhe indikacione të qarta, që nga dhuna e marsit janë bërë konkluzione mjaft të mira. Pra mbetet të shohim se si do të vazhdojë më tej.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju shtrova këtë pyetje sepse në përgjithësi, ndërmjet analistëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve, mbretëron bindja se formula "standardet para statusit" është diçka e tejkaluar. Në këtë aspekt dëshiroj ta citoj diplomatin austriak Wolfgang Petrich, i cili ka shprehur mospajtim me formulën "standardet para statusit". Ai poashtu ka thënë se është i nevojshëm krijimi i një institucioni, ndaras nga administrata e Unmikut, që do të merrej me zgjidhjen e çështjes së statusit final të Kosovës. Cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

PATRICK MOORE
Zoti Petrich është një person që meriton shumë respekt. Nuk është vetëm një zyrtar tjetër ndërkombëtar, por edhe një anëtar i minoritetit slloven të Austrisë, një profesionist i arsimuar në çështjet e Ballkanit dhe që karrierën e tij politike e bëri si një anëtar i Partisë Socialiste të Austrisë. Ai gjithashtu ka qenë Përfaqësues i lartë në Bosnje. Prandaj është një person opinioni i të cilit meriton një konsideratë të veçantë. Jam dakort me ju që kjo nuk është reale. E gjithë kjo gjë është tepër joreale. Asnjërës nga republikat e ish - Jugosllavisë, përfshirë Serbinë, nuk i është kërkuar që të implementonin një paketë të tillë standardesh para se të fitonin të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe sundim të shumicës. Dhe nuk shoh se pse Kosova duhet të veçohet. Sa i përket çështjes së institucionit të ri, mendoj se, me gjasë, nuk është shumë mençuri të krijohet një burokraci e re ndërkombëtare. Kemi patur thirrje për një zgjerim të UNMIK-ut pas ngjarjeve të marsit, për shtrirjen e disa institucioneve aty, rritjen e stafit etj. Kemi pasur thirrje për një protektorat të Bashkimit Evropian nga liberalët gjermanë. Nuk mendoj që kjo linjë koloniale është diçka e mençur dhe nuk jam plotësish i sigurt se nëse krijimi i një agjencie tjetër do të jetë një zgjidhje e përshtatshme.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG