Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KËSHILLI I EVROPËS DHE UNMIK-u NËNSHKRUAN DY KONVENTA PËR TË DREJTAT E NJERIUT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nënshkrimi i Konventës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe asaj për parandalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor, që është bërë sot nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Walter Schwimmer dhe kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen, në praninë e kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministrit Bajram Rexhepi, është një hap i Kosovës drejt Evropës dhe dëshmi se Kosova nuk është një vend i harruar evropian, kanë deklaruar sot zyrtarë të lartë të Këshillit të Evropës dhe zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë të Kosovës.
Vetë sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Walter Schwimmer tha se nënshkrimi i këtyre konventave ka rëndësi shumë të madhe simbolike:
"Kjo konfirmon se populli i Kosovës duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës dhe populli i Kosovës e ka të ardhmen në Evropë," tha Schwimmer në ceremoninë e nënshkrimit të dy konventave evropiane. Ndërkaq, mikpritësi i tij Jessen Petersen tha se nënshkrimi ka ardhur si rezultat i një pune 18 muajshe të ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe të UNMIK-ut, të cilët kanë krijuar mundësitë që të nënshkruhet kjo marrëveshje:
"Komiteti i ministrave i Këshillit të Evropës do të monitorojë implementimin e konventave në Kosovë, ndërsa UNMIK-u do t’i ofrojë Këshillit, informacionet e duhura," tha zoti Jessen Petersen, duke çmuar lart gadishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për jetësimin e obligimeve që dalin nga këto konventa, e sidomos për mbrojtjen e pakicave.
"Institucionet e përkohshme në shumë raste kanë demonstruar përkushtimin e tyre të fuqishëm për rëndësinë e mbrojtjes së pakicave," tha Jessen Petersen për të përkujtuar se që nga java e shkuar siguria në përgjithësi dhe mbrojtja e pakicave në veçanti, duhet të jetë një trekëndësh i përgjegjësive ndërmjet UNMIK-ut, KFOR-it dhe institucioneve, si dhe banorëve të Kosovës.
Pas takimit me zotin Schwimmer, gjatë të cilit zoti Schwimmer tha se Kosova nuk është një vend i harruar evropian, kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, ritheksoi gadishmërinë e Kosovës për të marrë përsipër përgjegjësi të tilla:
"Nënshkrimin e dy konventave sot e konsideroj si moment me rëndësi në historinë e Kosovës. Ne jemi të vendosur për mbrojtjen dhe sigurinë e pakicave dhe për konventën mbi torturën. Ky është një hap i afrimit të Kosovës drejt Evropës dhe strukturave evroatlantike dhe po ashtu Kosova mund të them është e gatshme të marrë obligimet ndërkombëtare".
Edhe kryeministri Bajram Rexhepi tha se afrimi me strukturat evropiane është synim i Kosovës dhe qytetarëve të saj:
"Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve e afron Kosovën më afër Këshillit Evropian dhe strukturave evropiane, ku ne jemi të përkushtuar të bëjmë implementimin e të gjitha këtyre vlerave dhe dokumenteve bazë dhe përmes një sistemi monitorimi të marrim obligimet dhe përgjegjësitë për të cilat jemi të përkushtuar".
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Walter Schwimmer, i cili bashkë me kryeadministratorin Jessen Petersen kanë vizituar edhe disa rajone të Kosovës, tha se nënshkrimi i këtyre konventave nuk është e vetmja e arritur, pasi Këshilli i Evropës po angazhohet për decentralizimin, mbrojtjen e thesarit kulturor dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke i dëshiruar Kosovës zgjedhje të mbara, në mënyrë që të dëshmohet edhe një herë maturia e popullit të Kosovës.
Mirëpo në anën tjetër ombudspersoni i Kosovës Marek Antoni Novicky ka shprehur befasinë dhe zhgënjimin për faktin se nuk është ftuar në ceremoninë e nënshkrimit të konventave që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Në një komunikatë për opinion, zyra e ombudspersonit thotë se monitorimi i respektimit të të dtrejtave të njeriut është pikërisht mandati i institucionit të ombudspersonit.


XS
SM
MD
LG