Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN DO DISKUTOJË MË 30 GUSHT PLANIN SERB PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Më 30 gusht shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, do të diskutojë me autoritetet e Beogradit lidhur me planin e qeverisë së Serbisë për Kosovën, ku përfshihet decentralizimi dhe autonomia territoriale, kulturore, politike dhe personale për serbët e Kosovës. Zoti Jessen Petersen e ka parë planin e qeverisë së Serbisë për Kosovën dhe të hënën do të diskutojë me zyrtarët e Serbisë lidhur me këtë plan, tha zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley:
"Kur Petersen të kthehet nga Beogradi do të mund të thotë se cilat elemente të planit mund të jenë të përdorshme për t’u marrë parasysh nga grupi punues për reformën e pushtetit lokal," tha zëdhënësi Bieley, ndërkohë që refuzimi i deritanishëm i UNMIK-ut për të marrë parasysh planin e qeverisë së Serbisë për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë, ka qenë arsyetimi i Beogradit zyrtar për t’u bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.
Mirëpo, zyrtarët e qeverisë së Kosovës e kanë kundërshtuar synimin e UNMIK-ut për të diskutuar lidhur me përfshirjen e ndonjë pjese të planit të qeverisë së Serbisë në dokumentin e reformës së pushtetit lokal. Ministri Jakup Krasniqi, ministria e të cilit bashkë me UNMIK-un ka përgatitur kornizën për reformën e pushtetit lokal, tha për Evropën e Lirë, se korniza është hartuar si rezultat i punës së përbashkët të qeverisë, UNMIK-ut, Këshillit të Evropës dhe USAID-it, prandaj nuk ka nevojë për elementet e planit të Serbisë:
"Ne konsiderojmë se çdo ndërhyrje dhe imponim tjetër, jo vetëm që nuk e ndihmon reformimin e pushtetit lokal në Kosovë, por edhe krijon komplikime të reja, ndoshta edhe të paparashikueshme."
Ministri Krasniqi po ashtu ka thënë se UNMIK-u nuk duhet të bjerë pre e kushtëzimeve të Beogradit, që ka kushtëzuar lejimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje me shqyrtimin e planit të qeverisë së Serbisë për Kosovën:
"Ne mendojmë se qytetarët serbë duhet të binden dhe t’i pranojnë institucionet e Kosovës, të marrin pjesë në këto institucione dhe të shfrytëzojnë gjithshka që u jep reformimi i pushtetit në përgjithësi dhe reformimi i pushtetit lokal dhe në veçanti".
Ndërkohë, zyrtarët e UNMIK-ut thanë se fakti që kryeadministratori Jessen Petersen do të diskutojë në Beograd lidhur me këtë plan, nuk do të thotë se ai plan do të vihet domosdoshmërisht në bazën e dokumentit për pushtetin lokal:
"Zoti Petersen ka nënvizuar se pushteti lokal ka të bëjë me Kosovën, prandaj procesi duhet të ndërtohet në Prishtinë nga grupi i përbashkët punues i UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës," tha zëdhënësi Jeff Bieley, duke shpjeguar se të martën, më 31 gusht shefi i UNMIK-ut do të marrë pjesë edhe në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, ku do të diskutohet edhe lidhur me planin e qeverisë së Serbisë për Kosovën, në përpjekje për t’i bindur serbët të heqin dorë nga bojkotimi i zgjedhjeve.
Mirëpo, ministri Krasniqi ka tërhequr vërejtjen se nuk është punë e Beogradit të merret me pushtetin lokal të Kosovës:
"Ne jemi të bindur se Serbia duhet ta bëjë reformimin dhe decentralizimin e pushtetit lokal në hapësirën e saj, kurse qeveria e Kosovës dhe administrata e UNMIK-ut kanë hartuar një projekt të mirë dhe po them sërish se ky projekt është perspektivë për të gjithë banorët e Kosovës".
Ndërkohë, vetë kryeadministratori Petersen dje ka thënë se nuk e dinte se cila do të jetë përmbajtja përfundimtare e dokumentit të Grupit të Kontaktit, po ai do të jetë produkt i të gjitha propozimeve të deritanishme për Kosovën.




XS
SM
MD
LG