Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KAMMERHOF: STANDARDET PRIORITET I KOSOVARËVE


Albana Isufi, Prishtinë

KFOR-i ka dhënë maksimumin për të kryer detyrën e vet në Kosovë, por çdoherë është dashur edhe përkrahja e liderëve politikë, ka thënë komandanti i KFOR-it Holger Kammerhof në takimet e tij të fundit me liderët e institucioneve të Kosovës. Gjenerali Kammerhof, i cili për më pak se një vit ka udhëhequr misionin ushtarak të NATO-së në Kosovë, ka vlerësuar situatën e sigurisë si të mirë, me shpresën se stabiliteti i njëjtë do të vazhdojë gjatë dhe pas zgjedhjeve të tetorit. Ai thotë se përmbushja e standardeve duhet të jetë prioritet i kosovarëve.
“Kosovarët duhet të fokusohen tani në standardet për Kosovën.
Është shumë me rëndësi që standardet për Kosovën të kuptohen mirë në nivelin lokal, pasi jeta dhe rrethanat nëpër komuna ndërtojnë një shoqëri multietnike dhe demokratike”, tha Kammerhof.
Presidenti Ibrahim Rugova tha se me gjeneralin Kammerhof kanë theksuar domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike në tetor. Zoti Rugova ka thënë se Kosova ka nevojë për praninë e NATO-s edhe pas zgjidhjes së statusit final.
“Unë insistoj gjithmonë se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte proceset e brendshme demokratike, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e botës. Dhe vizioni ynë është që në të ardhmen ne të mund të kemi baza të NATO-s këtu, me mandat tjetër, që është vullnet i popullit të Kosovës”, tha Rugova.
Nga ana tjetër kryeministri Bajram Rexhepi ka vlerësuar se gjenerali gjerman Kammerhof është një nga komandantët e KFOR-it që e ka kryer detyrën e tij me shumë korrektësi.
“Shumë pak është përzier në politikë, ka pasur raste kur të tjerët janë përzier më tepër dhe ky me të vërtetë e ka kryer në mënyrë profesionale detyrën e tij,” tha Rexhepi.
Komandanti i tetë i KFOR-it Holger Kammerhof është dekoruar nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me medalje të artë për shërbimet ushatarake në Kosovë dhe për Kosovën.
Më 1 shtator Kammerhof do t’ia dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralit francez Yves de Kermabon.


XS
SM
MD
LG