Ndërlidhjet

REPUBLIKANËT PËRSHËNDESIN BUSHIN PËR UDHËHEQJEN KUNDËR TERRORIZMIT


ROBERT McMAHON

Zyrtarët më të lartë të partisë republikane e filluan konventën 4-ditëshe duke e përshëndetur presidentin George Bush si lider të paluhatshëm të luftës.
Senatori John McCain dhe ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudolf Giuliani, i mbrojtën politikat e Bushit kundër terrorit, dhe vendimin për luftën për rrëzimin e Saddam Husseinit.
Kishte gjithashtu referenca të shumta për sulmet terroriste, që e goditën qytetin para 3 viteve.
Për të dytën ditë me radhë, politikat e sigurisë së presidentit Goeorge Bush nxitën emocione të fuqishme në Nju Jork, por këtë herë turrma ishte në anën e tij.
Liderët e Partisë Republikane e nisën Konventën kombëtare të hënën në mbrëmje, duke e përshëndetur Bushin si kryekomandant i fortë, i cili ka marrë vendime të vështira për t'i mbrojtur Shtetet e Bashkuara. Deklaratat erdhën si kundërshtim i protestave masovike kundër luftës të dielën, dhe i kritikave nga Partia opozitare Demokratike.
Senatori John McCain, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudolf Giuliani, dhe figura tjera nga radhët e republikanëve, thanë se Bushi është përgjigjur si duhet ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
McCain, veteran i Luftës në Vietnam, tha se Bushi i ka dëshmuar aftësitë për t'i menaxhuar krizat.
"Ai është sprovuar dhe është ngritur në nivelin e sfidës më të lartë të kohës, dhe unë e përshëndes. E përshëndes vendosmërinë e tij për ta bërë botën një vend më të mirë, më të sigurtë e më të lirë. Nuk u lëkund, dhe nuk u zbraps nga zgjidhjet e vështira. Ai nuk do të dorëzohet, ashtu siç nuk do të dorëzohemi as ne", tha McCain.
Duke e mbrojtur luftën në Irak, ai tha se Shtetet e Bashkuara i përdorën të gjitha opcionet diplomatike për t'ia dalë mbanë me liderin e Irakut Saddam Hussein. Mosveprimi, tha McCain, do të çonte në kërcënime më serioze kundër Shteteve të Bashkuara.
"Zgjidhja jonë nuk ishte ndërmjet status quo-së dhe gjakderdhjes së luftës. Ishte ndërmjet luftës dhe kërcënimit, dhe mos lejoni askush t'ju thotë ndryshe", tha senatori McCain.
Muajin e kaluar, në konventën e demokratëve në Boston, liderët e partisë e kritikuan administratën e Bushit për mungesën e maturisë në qasjen ndaj luftës.
Ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Giuliani, tha se vendimi i Bushit për politika më të ashpra para rezistencës, ishin reminishenca të ish kryeministrit britanik Winston Churchill, dhe ish presidentit amerikan Ronald Reagan.
"Ronald Reagan e pa dhe e përshkroi Bashkimin Sovjetik si 'perandori e ligë', ndërsa opinioni botëror nuk e nënvleftësoi inteligjencën e Reaganit. Presidenti Bush e sheh terrorizmin botëror nga ligësia që terrorizmi e ka", tha Giuliani.
Duke e përsëritur pohimin kryesor të Partisë Republikane, se kandidati demokrat John Kerry është i pavendosur, Giuliani i theksoi qëndrimet e ndryshme të Kerry-t për luftërat në Irak në vitin 1991 dhe 2003.
Ai gjithashtu u përpoq t'i portretizojë disa shtete evropaine, si për shembull Gjermaninë, si të dobta në luftimin e terrorizmit, dhe sugjeroi se Kerry do të mund të bjente nën ndikimin e tyre.
"Është me rëndësi kritike të shihet kontrasti në qasjen e dy njerëzve: presidentit Bush, liderit që është i gatshëm të merr vendime të vështira, madje edhe me kusht të shmangies së opinionit, dhe John Kerry-t, dosja e të cilit sugjeron për njeriun që shpesh i ndryshon qëndrimet, madje edhe në çështjet e rëndësishme", tha Giuliani.
Në Konventë mori pjesë edhe Zainab al-Suwaij, drejtuese e Kongresit Islamik Amerikan, një irakiene e cila e braktisi vendin në vitin 1991.
"Amerika nën lidershipin e mëshirueshëm të presidentit Bush u dha irakienëve dhuratën më të çmuar që një popull mund t'ia japë tjetrit. Dhuratën e demokracisë dhe lirisë për të përcaktuar ardhmërinë e vet", tha Suwaij.
XS
SM
MD
LG