Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

GJYKIMI I MILLOSHEVIQIT DHE MOHIMI KOLEKTIV NË SERBI


INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE

Gjatë viteve të kaluara, derisa prokuroria e Tribunalit të Hagës ka paraqitur argumentet e saj për të dëshmuar se ish presidenti jugosllav, Slobodan Millosheviq, ka orkestruar krimet më të rënda në fund të shekullit të 20-të, ky i fundit ka shfrytëzuar cdo mundësi jo vetëm për t’I sfiduar faktet e paraqitura, por edhe për t’I thënë opinionit të tij në Serbi se që të gjithë kanë qenë viktima të një konspiracioni ndërkombëtar. Kritikët të thonë se procesi I gjykimit në përgjithësi është dështim, për faktin se më shumë ka dëmtuar drejtësinë për luftërat në Ballkan se sa që e ka ndihmuar atë. Por, edhe pse gjykimi është i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u realizuar, ai deri më tash është zhvilluar normalisht pothuajse në të gjitha kriteret, në bazë të të cilave një gjykim mund të quhet i drejtë dhe efektiv.
Ndjeshmëria e këtij gjykimi është shoqëruar me padurimin për të dënuar me shpejtësi Milosheviqin dhe për të parë transformimin e Serbisë nga një cerdhe e nacionalizmit agresiv në një demokraci funksionale. Të frustruar me ngathtësinë e përparimit në këto dy cështje, kritikët kanë gjetur hapësirën e tyre, duke thënë se gjykimi është duke e rritur popullaritetin e Milosheviqit dhe duke e vonuar vendosjen e demokracisë në Serbi. Por, kjo nuk është edhe aq e vërtetë.
Edhe pse idetë ultranacionaliste dhe autoritare vazhdojnë të joshin shumë votues serbë, gjykimi i Milosheviqit nuk e ka krijuar famën e nacionalistëve radikalë. Shpjegimi për suksesin e këtyre të fundit qëndron në jogatishmërinë e qeverive që kanë ardhur në pushtet pas Milosheviqit për të hapur një debat të sinqetë mbi luftërat e viteve të 90-ta.
Shumë njerëz në Serbi akoma nuk janë përballur me krimet e tmershme që janë bërë gjatë këtyre viteve, të cilat kanë dalë si rezultat i politikave që ata kanë mbështetur. Koncepti i serbëve të “viktimizuar” vazhdon të mbizotërojë përgjegjësinë morale dhe “spastrimi etnik” i serbëve në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë vazhdon të jetë më shqetësues se sa gjenocidi në Srebrenicë dhe krimet tjera të kryera nga serbët.
Gjykimi I Milosheviqit në Hagë nuk ka mundur ta ndryshojë një mentalitet të këtillë të mohimit kolektiv dhe as që mund të pritet që ai të bëjë një gjë të këtillë, ndryshimet duhet të vijnë nga vetë Serbia. Ndërkohë, detyra parësore e Tribunalit është të vendosë drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre. Fundja, suksesi i këtij gjykimi do të vlerësohet nga drejtësia që do të vihet, e jo nga kohëzgjatja e procesit apo ndikimi që ai mund të ketë në politikën serbe.
XS
SM
MD
LG