Ndërlidhjet

PETERSEN TAKON KRYETARIN DHE KRYESINË E KUVENDIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Premtimet për angazhime të përbashkëta për Kosovën mbi bazat e partneritetit ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, i kanë karakterizuar takimet e para të realizuara dje ndërmjet kryeadministratorit Soren Jessen Petersen me kryeparlamentarin Nexhat Daci dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
Petersen tha se ai është në Kosovë që të bashkëpunojë ngushtë me vendorët mbi bazat e partneritetit.
“Qëllimi ynë është krejtësisht i njëjtë, sepse duam që ta lëvizim Kosovën përpara, në një gjendje ku do të ketë siguri, ku Kosova mund të ketë një ekonomi të zhvilluar dhe drejt një Kosove që do të paraqesë një anëtare të respektuar të rajonit, duke lëvizuar përpara drejt Evropës”, theksoi Petersen, pas takimit të parë me kryeparlamentarin Daci. Pasi Petersen, ende është në ditët e para të misionit të tij, ai tha se ende nuk mund të japë një përgjigje të qartë lidhur me nismën e Kuvendit për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese.
Ndërkohë, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se gjatë takimit të parë me Petersenin, ata kanë mbajtur qasje të ngjashme, duke u përqëndruar në nevojën për përparim të vazhdueshëm në mirëqenien e Kosovës dhe minoriteteve.
“Do të krijojmë një atmosferë të mirë parazgjedhore në mënyrë që të ketë pjesëmarrje të të gjithë kosovarëve. Parimet që i ka paraqitur zoti Petersen me ardhjen e tij, janë plotësisht të pajtueshme me aspiratat tona dhe ne do të punojmë bashkarisht që në një periudhë të shpejtë vërtet t’i realizojmë aspiratat strategjike që janë të Kosovës”, tha Daci.
Menjëherë më pas, Petersen takoi në përbërje të plotë dhe Kryesinë e Kuvendit. Pavarësisht faktit se organet e Kosovës po bojkotohen nga përfaqësuesit serbë, në këtë takim ishin të pranishëm dhe dy deputetët e koalicionit “Kthimi” në kryesi, edhe pse ata nuk deshën të prononcohen.
Kurse anëtari tjetër i Kryesisë që u prononcua pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Bajram Kosumi, tha se e veçanta e diskutimit ishte dakordimi për një bashkëpunim më të ngushtë, pasi mungesa e bashkëpunimit, shtoi ai, ka rezultuar me rezultate të mangëta në të gjitha fushat.
“Ajo që kërkova nga Peterseni është që të arriturat e deritashme të pesë vjetëve të pasluftës, të mos vazhdojmë t’i vëmë në sprovë me stagnimin që është krijuar dy vitet e fundit në Kosovë. Të mos lejojmë t’i sprovojmë ato të arritura dhe t’i vëmë në dyshim, por të shikojmë përpara, të ecim përpara. Ky shikim përpara e ka një kuptim, bartjen e plotë të pushtetit te institucionet e Kosovës. E luta zotin Petersen që të përdorë tërë ndikimin e vet në Nju Jork që të kuptohet kjo çështje dhe pushteti i plotë të kalojë te institucionet e Kosovës, kurse misioni i UNMIK-u të ndryshojë dhe ketë karakter mbikqyrës, kontrollues etj”, pohoi Kosumi.
Si rezultat i takimeve të sotme, u tha se doli dhe propozimi që shefi i UNMIK-ut të takohet kohë pas kohe me kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, deri në mbarimin e mandantit të këtij legjislativi duke shqyrtuar mundësinë që ai t’i nënshkruajë të gjitha ligjet që Kuvendi do t’i miratojë gjatë këtij muaji, kur edhe përfundon mandatin tre vjeçar.

XS
SM
MD
LG