Ndërlidhjet

GRUPI KONTAKT PLUS U BËN THIRRJE SERBËVE TË DALIN NË ZGJEDHJE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Grupi i Kontaktit, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje edhe një herë serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 tetorit, pasi pjesëmarrja në zgjedhje është mënyra më e mirë për t’u siguruar se do të mund të dëgjohet plotësisht zëri i të gjitha komuniteteve, thuhet në komunikatën e Grupit të Kontaktit pas mbledhjeve të mbajtuar sot në Prishtinë me UNMIK-un dhe liderët e institucioneve e të partive, si dhe me kryetarë të komunave të Kosovës.
Thirrje të njëjtë u kanë bërë komuniteve edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova tha se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse:
"Ishte një kërkesë që të marrin pjesë të gjitha grupet etnike, pra edhe serbët, ndërkohë që një iniciativë e tyre qytetare merr pjesë. Ju siç e dini ata kanë edhe vende të rezervuara – po të marrin pjesë do të fitojnë edhe më shumë. Pra, ishte qëndrim i përbashkët se pjesëmarrja është aktivitet dhe rezultat. Pra qëndrimi ynë është që të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje dhe ne kemi përvojë në këtë plan."
Ndërkaq, kryeminstri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se vërehej një gatishmëri e serbëve për vendim pozitiv lidhur me zgjedhjet:
"Mendoj se kishte një gadishmëri të tyre, por kërkuan mbështetje të fuqishme nga grupi Kontakt Plus dhe kërkuan nga Beogradi që ose t’i ftojnë të marrin, ose të mos i pengojnë dhe kërkuan që të bëjmë një kërkesë shtesë për një ambjent të sigurt dhe të zhvillojmë fushatë të qetë. Ne shpresojmë që pas gjithë këtyre takimeve do të marrin pjesë",tha kryeministri Rexhepi, duke premtuar se institucionet do t’i përmbushin obligimet për të siguruar mbrojtje më të madhe për pakicat, zotim që e konfirmuan edhe përfaqësuesit serbë. Dragisha Kërstoviç, shef i koalicionit "Kthimi" tha se institucionet kanë ofruar garanci për mbështetje institucionale në realizimin e të drejtave të pakicave, ndërsa Oliver Ivanoviç, po nga ky koalicion tha se personalisht angazhohej për një zgjidhje të shpejtë:
"Unë personalisht jam për zgjidhje të shpejtë dhe jo që gjërat të zvarriten dhe që në momentin e fundit të vendoset për gjëra kaq të rëndësishme," tha Ivanoviç, duke shfaqur shpresën se vendimi do të merret pas takimit të Grupit të Kontaktit në Beograd dhe disa takimeve të tjera, në të cilat do të vendoset nëse serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, apo do të kërkojnë zgjidhje alternative.
Ndërkohë, në deklaratën e Grupit të Kontaktit përshëndet “Kornizën për Reformë të Vetë-qeverisjes Lokale” e hartuar nga UNMIK dhe qeveria e Kosovës, si një hap i rëndësishëm në procesin e decentralizimit, por theksohet se gjatë këtij procesi duhet të konsultohen të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe Beogradin. Ashtu si zhvillohet plani konkret për vetë-qeverisjen lokale, UNMIK-u dhe IPVK duhet të kenë parasysh fushat e tjera të përgjegjësisë lokale sikurse që është policia komunale, thuhet në deklaratë.
Mirëpo, udhëheqësit e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë e imponimeve për futjen e pjesëve nga plani i qeverisë së Serbisë për Kosovën në kornizën e reformimit të pushtetit lokal. Presidenti Rugova me këtë rast tha:
"Ne e kemi ekipin e qeverisë që punon. Do të jetë ky ekip që do të vendosë dhe institucionet dhe nuk vjen në konsiderim asnjë imponim nga jashtë".
Presidenti Rugova tha se ky proces duhet të ndërtohet në vija vertikale dhe jo në vija etnike. Edhe kryeministri Rexhepi tha se plani i qeverisë së Serbisë vazhdon të jetë i papranueshëm. Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se janë bërë përparime në këtë plan:
"Ne kemi bërë përparime në zbatim të planit që e ka hartuar grupi i përbashkët. Mendoj se korniza për të cilën është arritur marrëveshja është plan kosovar dhe si të tillë do t’i japim mbështetje edhe në provat e mundshme që do të fillojnë".
Grupi i Kontaktit po ashtu ka vlerësuar se institucioneve të Kosovës u duhen dhënë më shumë kompetenca dhe ka mirëpritur synimet e kryeadministratorit Petersen për fuqizimin e institucioneve, që të mund të jenë në nivel të përgjegjësive që kërkohen nga ato.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se janë kërkuar më shumë kompetenca:
"Vërehet një gadishmëri e zotit Petersen për bartjen e kompetencav,e veçanërisht kërkuam në fushë të ekonomisë në mënyrë që të kemi përshpejtim të zgjidhjes së problemeve sociale në Kosovë."
Në anën tjetër, të gjithë pjesëmarrësit thanë se Grupi i Kontaktit Plus ka vlerësuar përparimin që është bërë në përmbushjen e standardeve dhe është theksuar se Grupi i Kontaktit se do të bëjë një vlerësim intern në fund të shtatorit për progresin që Kosova ka bërë në implementimin e standardeve. Implementimi i standardeve në Kosovë gjatë javëve të ardhshme, para zgjedhjeve për Parlament, nuk duhet të ngadalësohet, thuhet në deklaratë.


XS
SM
MD
LG