Ndërlidhjet

GRUPI I KONTAKTIT KËRKOI NGA BEOGRADI T'U BËJË THIRRJE SERBËVE TË KOSOVËS TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Marash Berisha, Beograd

Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit u përpoqën sot në Beograd të arrijnë marrëveshjen për daljen e serbëve në zgjedhjet e 28 tetorit në Kosovë. Delegacioni prej 6 anëtarësh nga Bashkimi Evropian dhe NATO bisedoi me kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtunica, presidentin e Serbisë Tadiç dhe me Ministrin e Jashtëm të bashkësisë shtetërore Vuk Drashkoviç. Për bisedimet e Grupit të Kontaktit dhe kryeministit Koshtunica u shpall një kumtesë nga kabineti i qeverisë. Në atë thuhet se Koshtunica përsëriti se për daljen e serbëve në Kosovë në zgjedhjet e tetorit, nevojitet një nivel më i lartë i mbrojtjes së tyre, që do të arrihej me anë të decentralizimit të pushtetit në Kosovë. Në mbledhje u arrit marrëveshja që gjatë këtij muaji të vazhdojë dialogu rreth këtyre çështjeve në kuadër të Grupit të Kontaktit. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës është në interesin e Republikës së Serbisë, por thirrja e Beogradit zyrtar serbëve që të dalin në zgjedhje mund të pasojë vetëm pas vendosjes së mekanizmave të qarta dhe efikase të mbrojtjes institucionale të tyre. Kjo duhet bërë në bazë të dy planeve egzistuese të decentralizimit, të UNMIK-ut dhe të atij që ka miratuar Kuvendi i Serbisë. Pa këto mekanizma, çdo apel nga Beogradi s'do të kishte ndikim dhe do të dekurajonte akoma më tepër bashkësinë serbe, konkludoi Tadiç. Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç, në bisedë me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit vuri në dukje rrezikun që sipas atij sjell hapja e zgjidhjes së çështjes definitive të statusit të Kosovës, veçmas kur kjo nënkupton pavarësinë. Do të ishte shumë e dobishme, është i mendimit Drashkoviç që Grupi i Kontaktit në këtë çast, në përputhje me Këshillin e Sigurimit 1244 dhe në konceptin e statusit evropian të Kosovës, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të politikës standardet përpara statusit. Siç mësohet Grupi i Kontaktit në biseda me zyrtarë serb, nuk ka shtruar kushte direkte për dalje në zgjedhje. Po ashtu u deklarua jozyrtarisht se kur është fjala për decentralizimin, bashkësia ndërkombëtare është gati të pranojë atë pjesë të planit të qeverisë së Serbisë që ka të bëjë me ingjerencat e komunave, dhe me formimin e komunave të reja në mjediset serbe.



XS
SM
MD
LG