Ndërlidhjet

SHAQIRI: REFERENDUMI KTHEN PRAPA TË GJITHA PROCESET NË MAQEDONI


Hysni Shaqiri, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, referendumi për riorganizimin e ri territorial u caktua për 7 nëntor. Cili mendoni se do të jetë ndikimi i referendumit në marrëdhëniet ndëretnike dhe në raportet e ardhshme politike në vend?

HYSNI SHAQIRI
Me vetë faktin që pakoja e ligjeve për decentralizim është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, por njëkohësisht pse mos them për momentin i takon edhe procesit të reformave në Maqedoni, ndërlidhet edhe me interesin e vetë Maqedonisë si shtet, në proceset integruese euroatlantike. Janë disa prej çështjeve që ja bëjnë të ditur gjithë opinionit të gjerë të brendshëm se Maqedonia medoemos duhet të ballafaqohet me këto sfida, duhet deri në fund të shkojë drejt reformave dhe ta përfundojë këtë proces, por njëkohësisht duhet ta përmbyllë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që afroi pajtueshmërinë e dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni. Zgjidhje tjetër nuk ka në Maqedoni. Kjo inciativë, si iniciativë për referendum, për ta rishqyrtuar vendimin e marrë në parlament për paketën e ligjeve, Maqedoninë e fut në një krizë të thellë politike, që mendoj se do të jetë shumë e dëmshme për të gjithë qytetarët, por edhe për vetë shtetin e Maqedonisë. Do të jetë pengesë kryesore edhe për proceset integruese në Maqedoni dhe për proceset që kanë të bëjnë me reformat. Fatkeqësia qëndron në faktin se një pjesë e intelektualëve maqedonë, nuk janë në gjendje, apo nuk duan ta kuptojnë këtë realitet aktual në Maqedoni. Moskuptimi i këtij realiteti edhe më tutje do të thotë thellim i krizës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri në rast të suksesit të referendumit, lideri i partisë suaj, i BDI-së zoti Ali Ahmeti, paralajmëroi luftë civile në vend. Sa janë reale paralajmërime të tilla?

HYSNI SHAQIRI
Me vetë faktin që tani për tani kjo përbërje e këtij koalicioni, në qoftë se më 7 nëntor nuk merr një verifikim pozitiv nga ana e qytetarëve, atëhere faktikisht kjo qeveri do të bjerë dhe gjithë parlamenti do duhet të shpërndahet dhe duhet të vijnë forcat e reja. Dihet se cilat janë rrugët dhe cili është procesi që çon drejt asaj që të kemi forca të reja politike që ta udhëheqin vendin. Duhet të ketë zgjedhje të lira parlamentare, që për momentin Maqedonisë nuk i leverdisin, nuk i përgjigjen. Pra mendoj se Maqedonia përfundimisht është në mes të një udhëkryqi, që ndoshta edhe mund të them se futet në një krizë. Kur them krizë aq të thellë politike, atëhere nënkupton gjithshka. Nuk dua ta përcaktoj se do të shkojë drej një konflikti, por diçka do të ndodhë. Megjithatë konflikti politik, implikon diçka tjetër që s'do mend. Ne në Maqedoni e kishim konfliktin e armatosur të vitit 2001, konflikt i cili erdhi si rezultat i neglizhencës së klasës politike maqedone, për shumë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve. Dhe e keqja kulminoi me një konfrontim të armatosur. Megjithatë ne tani, meqënëse e pranuam atë dokumentin e Ohrit dhe jemi përcaktuar për zbatimin e plotë, atëhere faktikisht ky koalicion duhet të ketë përgjegjësinë deri në përmbylljen e të gjitha proceseve që janë në interes të paqes dhe stabilitetit. Referendumi është një akt, apo një iniciativë që i kthen të gjitha proceset mbrapa dhe Maqedoninë e ve në një pozitë shumë të rëndë politike dhe mund të them se gjithshka mund të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, ju përmendët koalicionin qeverisës. Referendumin e mbështeti dhe partneri juaj. A mund të flitet për ndryshim raportesh mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lidhjes Socialdemokrate?

HYSNI SHAQIRI
Është e vërtetë se në momentin kur u konstatua data për mbajtjen e referendumit, që nuk u votua por vetëm u konstatua, ne ishim prezent dhe patjetër grumbullimi i 180 mijë nënshkrimeve, do të thotë është e drejtë ligjore që të shpallet referendumi. Por tani duhet të punohet që të mos ketë mbështetje nga ana e qytetarëve të Maqedonisë. Ne si Bashkim Demokratik për Integrim duhet të punojmë gjithkund që atë ditë shqiptarët ta bojkotojnë, mos dalin në referendum, por njëkohësisht pse mos them, edhe të punojmë në drejtim të asaj që të bindet edhe një pjesë e maqedonësve që është pjesë sadoqoftë për momentin më e kapshme rreth kësaj çështjeje dhe ka njohuri më profesionale dhe më reale rreth këtij problemi, që t'ju bëhet me dije dhe atyre se duhet ta bojkotojnë dhe një pjesë e tyre referendumin. Tani koalicioni si koalicion, ka përgjegjësi për momentin jashtëzakonisht të madhe, me vetë faktin që duhet të shkojë deri në fund që referendumi mos të ketë sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, po si e shpjegoni mosndërhyrjen e theksuar të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu edhe vetë janë nënshkrues të marrëveshjes?

HYSNI SHAQIRI
Këtu gjithshka është e diskutueshme. Faktori ndërkombëtar ka qenë i interesuar me çdo kusht që të arrihet një marrëveshje dhe pakoja e ligjeve për decentralizim të kalojë në parlament, sepse është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe ato janë garancë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në mënyrë që gjithshka të përfundojë si e parasheh Marrëveshja e Ohrit. Tani iniciativa del prej qytetarëve të cilët kanë mbështetjen prej Kongresit Botëror Gjithëmaqedon dhe një klase të intelektualëve dhe një pjese të klasës politike të maqedonëve, që e mbështetin këtë iniciativë. Faktori ndërkombëtar e ka kryer obligimin e vet dhe e vëzhgon situatën. Megjithatë edhe ato kanë dhënë plot deklarata rreth kësaj çështjeje, rreth kësaj iniciative, ku dihet qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, se në Maqedoni punën nuk janë në rregull sa i përket çështjes së procesit të stabilitetit dhe kthimit të mirëbesimit mes qytetarëve. Ky proces, kjo iniciativë tani për tani është pengesë kryesore për të gjitha proceset e mëtejshme në Maqedoni. Këtë e ka thënë faktori ndërkombëtar, edhe Bashkimi Evropian dhe pse mos them edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe gjithë forcat që kanë qenë të kyçura në procesin paqësor në Maqedoni në vitin 2001 dhe janë të interesuara që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet në tërësi.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG