Ndërlidhjet

PETERSEN: DUAM NJË KOSOVË ME RRITËM TË SHPEJTË TË ZBATIMIT TË STANDARDEVE


Alma Çupi, Tiranë

Kryeadministratori i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, i vlerësoi si shumë të mira bisedat e zhvilluara me presidentin, kryeministrin dhe ministrin e jashtëm shqiptar. Ai në konferencën për shtyp të zhvilluar pasdite tha se në këto takime ndau të njëjtat vlerësime për çështjen e Kosovës. Theksin kryesor kryeadministratori Petersen e vuri tek ritmi i standarteve, që do të çojnë në realizimin e statusit.
"Duam një Kosovë me një ritëm më të shpejtë të zbatimit të standarteve, të cilat do të çojnë në realizimin e bisedimeve për statusin e saj. Duam një Kosovë që të marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe të japë llogari për mënyrën se si i realizon këto përgjegjësi. Duam të ecim përpara me planin e vetëqeverisjes të pushtetit lokal në Prishtinë."
Më tej kryeadministratori i UNMIK-ut në Kosovë Petersen, e vuri theksin tek bashkëjetesa e minoriteteve.
"Duam një Kosovë multietnike, një Kosovë që të respektohet dhe të jetë anëtare e respektueshme e vendeve të rajonit dhe vendeve të Ballkanit perëndimor. Duam një Kosovë të normalizuar dhe të stabilizuar, me një status të qartë, me qartësinë që Kosova e stabilizuar mund të ndihmojë në stabilizimin e të gjithë rajonit. Duam një Kosovë, ku minoritet ta dinë që kanë një të ardhme të sigurt dhe me dinjitet".
Duke theksuar nevojën e zgjidhjes së problemeve me dialog, kryeadministratori Petersen tha se dialogu do të jetë në katër nivele. Një dialog i brendshëm, që do të zhvillohet midis komuniteteve që kanë shumicën dhe pakicën në Kosovë. Një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, sepse siç u shpreh Petersen, njohim interesin legjitim të Beogradit, por ky interes legjitim nuk mund të zëvendësojë rëndësinë që ka ndërtimi i institucioneve të pavarura në Kosovë.
Edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Katriot Islami, vlerësoi bisedimet e sotme në Tiranë që Petersen zhvilloi me zyrtarët më të lartë të shtetit. Ministri i jashtëm Islami tha se mbështetja e Shqipërisë ndaj UNMIK-ut do të jetë maksimale.
"Më duhet t'ju vë në dijeni për garancinë që kanë dhënë presidenti i Republikës, kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme, për mbështetjen maksimale që do t'i japin UNMIK-ut dhe zotit Petersen në detyrën e tij dhe në sfidat e ardhshme që lidhen me proceset në Kosovë".
Kryeadministratori Petersen, në të gjitha takimet dhe në daljen përpara medias vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë, si dhe e vlerësoi mjaft të rëndësishme marrëdhënien midis Shqipërisë dhe Kosovës.




XS
SM
MD
LG