Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

9/11/2001 - DITË E ZHVILLIMEVE TË LLAHTARSHME (I)


Ishte ditë e martë, 11 shtator 2001, një ditë e zakonshme dhe e ngrohtë në Nju Jork City. Nju Jorkasit filluan edhe një ditë të re pune dhe gjithshka dukej të jetë normale.
Por, një pamje dhe zëra jo të zakonshëm thyen rutinën e atij mëngjesi.
Aeroplani Boeing 757 me udhëtarë, shkonte duke iu afruar shumë e më shumë gradaçelave të qytetit. Një bubullimë ajrore i bëri njerzit të ndalen dhe të shohin se çfarë po ndodhte.
Pa kaluar shumë kohë, ata panë aeroplanin amerikan që vinte nga Bostoni, duke ju afruar njërës nga Kullat e Qendrës Botërore Tregëtare, por nuk mund të besonin se diçka e tillë po ndodhte para syve të tyre.
Aeroplani kishte goditur pjerrtazi pjesën ndërmjet katit të 94 dhe 99 të ndërtesës, me ç'rast menjëherë e kaploi zjarri, u thyen të gjitha ditaret, dilte tym, thjesht nuk mund të kuptohej në asnjë mënyrë ajo që ndodhte.
Pamjet që në fillim mendohej se u shkaktuan aksidentalisht, ishin të tmerrshme. Ishte ora 9 e mëngjesit, vetëm 17 minuta pasi që aeroplani i parë e goditi ndërtesën. Gazetarë të shumtë ishin mbledhur në vendin e ngjarjes, duke raportuar për atë se çfarë kishte ndodhur në Nju Jork, mirpo duke mos pritur se diçka e njëjtë mund të ndodhë sërisht.
Edhe aeropani i dytë po ashtu nga Bostoni që barte 53 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit goditi tjetrën ndërtesë të Qendrës Botërore Tregëtare në Nju Jork. Besohej se pesë rrëmbyes e kishin marrë kontrollin e aeroplanit duke e detyruar pilotin të godiste ndërtesën.
Nuk ishte e qartë nëse ato mund të ishin sulme të koordinuara terroriste.
Presidenti Xhorxh Bush atë kohë ishte në një shkollë në Sarasota të Floridas për të folur për disa nisma të reja të qeverisë. Bushi ishte i njoftuar për njërin nga aeroplanët, që në atë kohë supozohej se ishte aksident dhe vazhdoi vizitën e tij në shkollë. Më vonë, Andrju Card, shef i tij i personelit, iu afrua presidentit duke i përshpëritur në vesh: "Aeroplani i dytë ka goditur Qendrën Botërore Tregëtare. Amerika është duke u sulmuar."
Pak para se të largohej nga shkolla presidenti Bush dha deklaratën e parë rreth këtyre sulmeve.
"Kam biseduar me zëvendëspresidentin, guvernatorin e Nju Jorkut dhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve. I kam urdhëruar që t'i ndihmojnë viktimat dhe familjet e tyre dhe të përcjellin hetime të plota me qëllim zbulimin e personave që qëndrojnë prapa këtyre akteve. Terrorizmi kundër kombit tonë nuk do të qëndrojë", kishte deklaruar Bush.
Mirëpo, sulmet nuk kishin mbaruar. 40 minuta më vonë, një aeroplan tjetër amerikan që barte 63 udhëtarë ishte rrëmbyer nga pesë veta duke e detyruar pilotin të futej në Pentagon, në selinë e Departamentit të Mbrojtjes Amerikane. Rreth 125 njerëz janë vrarë në këtë ndërtesë së bashku me të gjithë udhëtarët dhe ekuipazhin e aeroplanit.
Nga ana tjetër në Nju Jork mbretëronte atmosferë alarmante, zjarrëfikës, policë, që mundoheshin të qetësonin situatën si dhe njerëz të shumtë që ishin grumbulluar për të mësuar diçka më shumë lidhur me atë që po ndodhte, ose për të kërkuar të afërmit e tyre.
"Njerëzit kërcenin nga dritaret. Kam parë së paku 13 apo 14 njerëz që kanë kërcyer nga ndërtesa. Është tmerr, nuk mund të besojë se çfarë është duke ndodhur", thotë një dëshmitar.
Pesë minuta pasi njëra nga Kullat Binjake ishte rrënuar, u njoftua edhe për një sulm tjetër me aeroplan që barte 38 udhëtarë, ku katër rrëmbyes e kishin detyruar pilotin të futet në Uashington D.C.
Në Nju Jork, flaka emocionale dhe dëmet strukturale ishin të konsiderueshme.
Më shumë se 2 mijë e 800 njerëz, përfshirë këtu 343 zjarrfikës humbën jetën në Kullat Binjake në Nju Jork.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush më vonë sërish iu drejtua kombit lidhur me masat e sigurisë.
"Ushtarët tanë brenda Amerikës dhe në vende të ndryshme të botës janë në gjendje gadishmërie. I kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura për vazhdimin e përkujdesjes për siguri dhe funksionim normal të qeverisë", deklaroi Bush.
Lajmi për sulmet në Shtetet e Bashkuara i bëri shumë liderë botërore të reagojnë dhe njëherësh të shprehin solidarizim me Amerikën. Në mediat amerikane filluan spekulime se prapa këtyre sulmeve qëndron rrjeti terrorist Al-Kaida me në krye Osama Bin Ladenin.
Ndërkaq, me tu kthyer në Uashington Bush premtoi se "përgjegjësit e këtyre sulmeve do të gjenden, dhe se terroristët kanë ndikuar që kombi të bashkohet në luftën kundër tyre".




XS
SM
MD
LG