Ndërlidhjet

9/11/2001-LUFTA KUNDËR TERRORIZMIT SHTRIHET NË PLAN GLOBAL (II)


Me fillimin e luftës kundër terrorizmit, si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit, si kërcënim kryesor ndaj Shteteve të Bashkuara është parë rrjeti Al-Kaida.
Por, tre vite më vonë, organizatat ndërkombëtare terroriste, si dhe grupe të pavarura të frymëzuara me ideologjitë dhe metodat e tyre, zgjeruan në mënyrë dramatike fushëbetejat.
"Pashë dy shpërthime shumë të fuqishme, auto ambulancat erdhën menjëherë, po ashtu edhe policë e zjarrfikës të shumtë", pohonte një dëshmitar, ndërsa përshkruante sulmet e marsit në Madrid, ku humbën jetën 191 njerëz.
Hetuesit më pas zbuluan se një anëtar i grupit radikal islamik i akuzuar për këto sulme, ka pasur kontakte me udhëheqës të lartë të rrjetit terrorist Al-Kaida. Shpërthimet në Spanjë kanë qenë sulmet e para në Evropë me përmasa aq të mëdha, të kryera nga organizatat terroriste që janë në rrjetë me Al-Kaidën.
Në fund të marsit, disa persona me bomba vetëvrasëse sulmuan stacionet policore në Bukhara dhe Tashkent të Uzbekistanit. Nga këto sulme së paku 47 veta humbën jetën. Zyrtarë vendorë fajësuan militantët e një grupi islamik të Uzbekistanit, që po ashtu janë në rrjet me Al-Kaidën.
"Disa persona që i kemi arrestuar kanë dëshmuar se ata janë trajnuar në një kamp të terroristëve nga instruktorë arabë, që më parë ishin trajnuar nga militantët e Al-Kaidës", thotë Rashid Kadyrov, prokuror në Uzbekistan.
Në fund të majit në Khobar të Arabisë Saudite u sulmua lagjia e banuar me shtetas të huaj, ku humbën jetën 22 veta. Edhe këtë sulm, rrjeti i Al-Kaidës e mori përsipër.
"Është në interesin e të dyja palëve, Arabisë Saudite dhe të huajve që jetojnë këtu, që sulme të tilla të mos ndodhin. Cilido njeri që ka pak lidhje me Islamin, njerëzimin apo dinjitetin, nuk do të kishte mëshirë për ta", deklaroi pas sulmeve mbreti saudit Abdullah bin Abdyl Aziz.
Këto janë disa nga sulmet me përmasa më të mëdha që kanë ndodhur në vitet e fundit, duke mos i anashkaluar edhe ato në Afganistan dhe Irak, si dhe përpjekjen e dështuar të militantëve të Al-Kaidës për ta vrarë presidentin pakistanez Pervez Musharraf.
Disa analistë thonë se rritja e sulmeve globale ilustrohet me
qëndrueshmërinë e rrjetit të Al-Kaidës, pavarësisht se Uashingtoni i shkatërroi bazat operative të tyre në Afganistan.
Rrjeti mbijetoi gjatë për arsye se mijëra luftëtarë të trajnuar në kampet e Al-Kaidës në Afganistan gjatë viteve 80' dhe 90', më vonë u kthyen në vendlindje për t'iu bashkangjitur ndonjë grupi apo për të krijuar grupet e veta në botën myslimane.
Disa grupe lokale kanë dëshmuar për përpjekjet e kryengritësve që të kopjojnë suksesin e Al-Kaidas në betejat e tyre me qeveritë rajonale.
Julian Lindley është analist në Qendrën për Politikë dhe Siguri në Gjenevë. "Është shumë e qartë, kur ka koalicion të vendeve që ballafaqohen me aq shumë grupe, atëherë forca që ato mund të durojnë është shumë e madhe. Por është shumë e vështirë të gjenden qendrat e rëndësishme të këtyre grupeve dhe të shkatërrohen. Megjithatë, mendoj se po largohemi nga periudha pas sulmeve të 11 shtatorit kur Shtetet e Bashkuara kërkuan angazhim më të madh nga të tjerët", vlerëson analisti Lindley.
Nëse organizatat terroriste dhe shumë shtete e shohin luftën kundër terrorizmit si luftë globale, shumë analistë vlerësojnë se kjo betejë mund të zgjatë me vite.
XS
SM
MD
LG