Ndërlidhjet

9/11/2002-FITIMI I LUFTËS KUNDËR TERRORIZMI KËRKON DURIM, THONË EKSPERTËT (III)


Armiku Al-Kaida vazhdon të egzistojë, njëlloj sikurse edhe udhëheqësi i saj Osama Bin Laden. Por në tre vitet e fundit grupi nuk ka mundur të shkaktojë sulme të asaj shkalle sikurse ishin ato të 11 shtatorit. Ata vazhduan me sulme terroriste të kryera me bomba, apo të shtëna që linin dhjetra qindra njerëz të vrarë, e jo me mijëra viktima siç ndodhi në Amerikë.
Ekspertët thonë se kjo është shenjë që tregon se lufta kundër terrorizmit ka sukses në prishjen e operacioneve të Al-Kaidës. Magnus Ranstorp, është drejtor i Qendrës për Studime të Dhunës Politike dhe Terrorizmit në Skoci.
"Mendoj që pas sulmeve të 11 shtatorit së paku Shtetet e Bashkuara kanë pasur sukses në luftën kundër terrorizmit. Ata formuan një koalicion global dhe tashmë janë 90 apo 100 vende që bashkëpunojnë në shkëmbimin e informatave sekrete", thotë Ranstorp.
Autoritetet e hetuesisë në Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundim këtë vit se përgatitja sulmeve të 11 shtatorit kap shifrën rreth 400 apo 500 mijë dollarë. Ranstorp thotë se grupi i militantëve islamikë që morën përgjegjësinë për sulmet në Madrid, kishin në dispozicon 1/10 e kësaj shifre. Nga ana tjetër disa vëzhgues thonë se vetëm marrja e masave kundër terrorizmit nuk mjafton, parandalimi i sulmeve do të ishte gjysma e ballafaqimit me të. Hazem Saghie është komentator i gazetës arabe "Al-Hayat" me seli në Londër.
"Puna që duhet bërë, nuk është vetëm të goditen terroristët, por të bëhet diçka më pozitive që do të ndihmonte në zgjerimin e shtresës së mesme dhe sqarimin e ideve", thotë Hazem.
Hazem thotë se Perendimi duhet ta frymëzojë botën myslimane me, siç e quajti, një agjendë më progresive.
"Iniciativa e vetme që unë e konsideroj si shumë të rëndësishme në vitet e ardhshme është Iniciativa për një Lindje të Mesme të Madhe. Nxitja e qeverisjes së mirë dhe zgjerimi i ekonomisë janë disa nga prioritetet kryesore në çrrënjosjen në thelb të luftës ndaj terrorizmit", thotë Hazem.
Disa analistë thonë se gjasat janë të vogla që lufta e ideve mund të ndërrojë mendjen e ekstremistëve, por së paku mund t'i bindë njerëzit e tjerë që mos t'i përkrahin. Benjamin Barber, profesor i qeverisjes dhe politikës në Universitetin e Maryland-it në Shtetet e Bashkuara thotë se: "Mendja e bin Ladenit nuk mund të ndërrohet, por mund të ndërrohet mendja e atyre që i krijojnë atij rreth të lirë".
XS
SM
MD
LG