Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KFOR: 2000 TRUPA SHTESË PËR ZGJEDHJET


Albana Isufi, Prishtinë

Një sërë masash të sigurisë, ndër to dhe përforcimi i KFOR-it me 2000 trupa shtesë do të ndërmerren gjatë fushatës zgjedhore si dhe gjatë zgjedhjeve të 23 tetorit në Kosovë.
Për këto masa kanë njoftuar sot shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe komandanti i KFOR-it Yves de Kermabon, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët si dhe institucionet e Kosovës, që të kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë.
Soren Jessen Petersen ka thënë se siguria është veçanërisht e rëndësishme për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e tetorit, gjë që sipas tij është kërkuar edhe nga vetë komuniteti serb si dhe nga Beogradi zyrtar.
Por, ai ka thënë se pjesëmarrja në zgjedhje nuk duhet të kushtëzohet me asgjë.
“ E kam bërë të qartë edhe në diskutime me kryeministrin serb se nuk do të ketë lidhje në mes të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe çështjeve të tjera, nuk do të ketë kushtëzime për një gjë kaq të rëndësishme për serbët e Kosovës siç është pjesëmarrja në institucionet demokratike dhe në zgjedhje, pjesëmarrje me të cilën bëhet e qartë se shqetësimet legjitime të serbëve të Kosovës po merren parasysh”, tha Jessen Petersen, duke shtuar se të gjitha masat, bashkëpunimi më i ngushtë mes forcave të sigurisë të UNMIK-ut dhe KFOR-it, krijimi i mekanizmave të përbashkët të planifikimit, patrullimet e përbashkëta, janë bërë me qëllim që të ofrohet kjo siguri për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për komunitetin serb.
Jessen Petersen dhe Kermabon kanë bërë të qartë se marrja e këtyre masave të sigurisë nuk ka të bëjë me ndonjë të dhënë se gjatë fushatës zgjedhore mund të ketë prishje të rendit publik, por siguria sipas tyre është faktori kryesor i të gjitha proceseve që e çojnë përpara Kosovën.
“KFOR-i është i gatshëm të përkrahë procesin e zgjedhjeve, të garantojë një ambjent të qetë dhe të sigurt. Kemi disa dispozita specifike, forca të shpejta që janë të gatshme të reagojnë në rast të incidenteve. Nga ana tjetër për të treguar gadishmërinë që bashkësisë ndërkombëtare ka për procesin e zgjedhjeve, ne do të përforcohemi me 2 mijë trupa shtesë, të cilat do të vijnë nga tre shtete dhe do të qëndrojnë një muaj në Kosovë, gjatë fushatës zgjedhore si dhe gjatë zgjedhjeve”, tha Kermabon.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka nënvizuar se muajt që vijnë janë shumë të rëndësishëm për Kosovën duke marrë parasysh zgjedhjet, përmbushjen e standardeve, bartjen e kompetencave si dhe fillimin eventual të bsiedimeve për statusin përfundimtar. Jessen Petersen tha se është në të mirë të vetë serbëve, që të jenë pjesë e të gjitha këtyre proceseve vendimtare për Kosovën.




XS
SM
MD
LG